22 Tetor 2019

Komuna e Mitrovicës ndanë bursa për 50 studentë

Mitrovicë, 17 shtator - Në sallën e Kuvendit Komunal, studentët përfitues të bursës komunale për vitin akademik 2018/2019, kanë nënshkruar kontratat të cilat ua dorëzoi kryetari i komunës, Agim Bahtiri.

Me këtë rast kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i është drejtuar studentëve edhe me një fjalë rasti ku tha se ndjehet krenar si kryetar komune, sepse asnjë studenti që i plotëson kushtet, nuk i është mbyllur dera, sepse secili student që i ka plotësuar kriteret e konkursit do të gëzojë të drejtën e përkrahjes për marrjen e bursës.

“Ju që keni përfituar bursa jeni studentë të dalluar, jeni ardhmëria e qytetit tonë dhe sigurisht përpos ngritjes profesionale, nesër edhe ndonjëri prej jush do të jetë në pozita udhëheqëse në komunë e më lartë. Ju inkurajoj që të mësoni e studioni për të ngritur diturinë tuaj që në të ardhmen të bëheni profesionistë të vërtetë”, ju tha kryetari Bahtiri.

Pas nënshkrimit të kontratës, studentët janë shprehur të jenë të kënaqur me ndarjen e këtyre bursave. Disa nga ata janë shprehur të jenë mirënjohës për mbështetjen që komuna po iu ofron, si një motiv shtesë për të vazhduar studimet dhe një lehtësim financiar për familjet e tyre.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 tetor 2019 - Me rastin e 30 vjetorit të rënies së komunizmit, Instituti Shkencor Kosovaro-Suedez do të organizojë konferencën shkencore ndërkombëtare me titull '30-vjetori i rënies së sistemit komunist'. (Hoteli Sirius, ora 9:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit mbahet dita e dytë e “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit” me ç‘rast do të organizohet konferencë per koordinimin ndërinstitucional në trajtimin e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore si dhe sfidat në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike pranë misionit të USAID-it në Kosovë, Matthew Cullinane, do të flasë në hapjen e Konventës së tretë vjetore të Industrisë së Veshmbathjeve në Kosovë. (Hoteli Emerald, ora 10:00)

- Punëtorët teknik të Fakulteteve të UP-së “Hasan Prishtina” në Prishtinë, do të protestojnë para Rektoratit të UP-së. (Para Rektorati, ora 10:00)

- Nën patronatin e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri do të mbahet Panairi i Sportit me të gjitha klubet sportive të qytetit të Mitrovicës. (Sheshi “Isa Boletini” në Mitrovicë, ora 10:00)

- Dega e Alternatives në Gjakovë mban konferencë për media. (Zyrët e Alternativës në Çarshinë e Jupave në Gjakovë, ora 11:00)

- Bëhet promovimi i librit “Gjinekologjia me obstetrikë  për infermieri dhe mami” me autore Prof. dr. Myrvete Paçarada dhe bashkautorë  Ass. dr. Vlora Ademi Ibishi dhe Ass. dr. Nyltene Kongjeli. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 11:00)

- Më rastin e Ditës Boterore të Energjisë, Instituti për Politika Zhvillimore mban konferencë për media me temë 'Cilat duhet të jenë prioritete e qeverisë së re në sektorin e energjisë në Kosovë?  - Rekomandime dhe propozime nga shoqëria civile'. (Zyrët e Resource Center (Lagjja Pejton, Rr. Pashko Vasa, nr. 1, përballë Hotel Royal, ora 13:00)

- Këshilli Prokurorial i Kosovës mban takimin e 173-të. (Objekti i Prokurorisë së Shtetit, ora 13:30)

- ETEA organizon premierën e shfaqjes “Muret Flasin” që i dedikohet përkujtimit të organizimit të arsimit paralel gjatë viteve të '90-ta. (Shtëpia - shkollë “Sami Frashëri” e familjes Aliu - Hertica, ora 20:00)