08 Shkurt 2023

Komuna e Mitrovicës e gatshme për fillimin e vitit shkollor 2021/22

Mitrovicë, 26 gusht - Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Skënder Avdiu,  ka ftuar në takim  drejtorët e të gjitha institucioneve edukativo arsimore për të diskutuar rreth përgatitjeve të bëra me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2021/22.

Gjatë këtij takimi drejtorët e shkollave raportuan për përgatitjet që i kanë bërë në shkollat e tyre, si pastrimet e përgjithshme të objekteve shkollore, dezinfektimet, furnizimin me materiale higjienike dhe dezinfektuese, vaksinimet e mësimdhënësve, përpilimet e orareve shkollore sipas skenarëve të udhëzuesit dhe aktivitetet e tjera të ndërmarra.

Ndërsa i drejtori i DKA-së, Skender Avdiu, foli rreth përgatitjeve që i ka bërë MASHTI rreth fillimit të vitit shkollor, si udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor, udhëzuesin për organizimin e procesit edukativo arsimor sipas skenarëve, protokollin për masat antiCovid, si dhe furnizimin me tekste shkollore.

Drejtori i SHFMU “Nonda Bulka” shprehu pakënaqësinë e tij rreth rrënimit të objektit të kësaj shkolle në pjesën veriore të qytetit dhe fillimit të ndërtimit të universitetit paralel. Kësaj pakënaqësie dhe këtyre shqetësimeve iu bashkuan të gjithë drejtorët e shkollave dhe DKA-ja dhe kërkuan nga organet kompetente të reagojnë.

Nga ky takim u nxjerrë përfundimi se të gjitha shkollat janë të gatshme të fillojnë mësimin me 1 shtator, ku u theksua se përqindja e punonjësve arsimor të vaksinuar është në rritje e sipër,  aktualisht 65% e punonjësve arsimor janë vaksinuar kurse pjesa tjetër e mësimdhënësve i kanë terminët e caktuara dhe pritet të vaksinohen në ditët në vijim.

Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e organizatës gjermane GIZ të cilët i njoftuan shkollat për procesin e aplikimit dhe përzgjedhjes së dy shkollave të mesme të ulëta, për projektin “Aftësimi për Tregun e Punës” (Fit for Jobs) për mbështetjen e tranzicionit të nxënësve nga shkollat e mesme të ulta në shkolla profesionale, e pastaj tranzicionin e tyre në tregun e punës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 shkurt 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, shqyrton Projektligjin për Sigurinë e përgjithshme të produkteve. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)
    
- Përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raportojnë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me Raportin e Auditimit për të “Hyrat nga Qiraja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 10:00)
    
- Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë mban tryezë diskutimi me temën: “Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës – progresi në zbatimin e tij”. (Hotel Sirius, ora 10:00)    

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare me pikat e pa përfunduar. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-së, ora 13:30)
    
- Organizata paditëse GLPS dhe një qytetare e Republikës së Kosovës do të paraqesin Padi për konflikt administrativ për refuzimin e kompensimit për personin paraplegjik dhe tetraplegjik. (Pallati i Drejtësisë, Ndërtesa A, ora 14:00)

- Federata e Futbollit e Kosovës mbledh të gjitha klubet e Superligës së Kosovës në një ngjarje të veçantë, ku fituesit e fushatës së nisur javë më parë në rrjetet sociale do të shpërblehen me fanella të nënshkruara nga vet lojtarët e ekipeve të ndryshme. (Kati i parë në Albi Mall, ora 18:00)

- Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) organizon hapjen e ekspozitës së përkohshme të veprës “Albumi familjar – Mes kujtimit dhe realitetit” (Family Album – Between Recollection and Reality) nga Alban Muja, e cila do të pasohet me një bisedë me artistin. (Vendi: Qendra e Dokumentimit, Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, Dardani, ora 19:00)