29 Mars 2024

KOMF kërkon mbrojtjen e shëndetit mendor të fëmijëve në shkolla

Prishtinë, 25 shtator - Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), përmes organizatave anëtare ka përcjellë rifillimin e procesit mësimor e më specifikisht mbarëvajtjen e procesit mësimor gjatë dy javëve të para.

Krahas marrjes së masave për një rikthim të sigurtë në shkolla për shkak të pandemisë, i cili ishte në të njëjtën kohë edhe fokusi kryesor nga të gjitha palët, KOMF ngre si një çështje jetike e shumë të rëndësishme, mbrojtjen e shëndetit mendor të fëmijëve gjatë kësaj faze të rikthimit në shkolla.

Pandemia globale Covid-19, prej muajsh tashmë ka shkaktuar një paralizë të shumë sferave të jetës, me ndryshime radikale e të menjëhershme në mënyrën e jetesës tonë.

Kjo situatë e jashtëzakonshme, shoqëruar me pasigurinë totale për të nesërmen, privimin e pjesshëm të lirisë, ndarjen nga njerëzit e dashur dhe ndërprerjen e detyruar të aktiviteteve të përditshme, sipas KOMF ka prodhuar shqetësim, ankth e traumë tek çdo individ, mbi të gjitha tek grupet më të ndjeshme, siç janë fëmijët.

KOMF konsideron se ndërprerja e mësimit ishte një ndër faktorët kryesor të cilët shkaktuan kaos në jetët e fëmijëve e ndër të tjera ngjallën frikë e pasiguri mes tyre.

"Ndërprerja e mësimit në muajin mars 2020, ishte e detyrueshme dhe e përshpejtuar si pasojë e shpërthimit të pandemisë, duke mos lënë asnjë hapësirë për ta bërë procesin më gradual e të pranueshëm për fëmijët", thekson KOMF.

KOMF konstaton se edhe rinisja e procesit mësimor është bërë pothuajse në mënyrën e njëjtë, pa hapa të mjaftueshëm përgatitor të zhvilluar në bashkëpunim apo me pjesëmarrjen e fëmijëve dhe prindërve.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka përcaktuar modelin për rifillimin e procesit mësimor, ndarjen e klasave në grupe, mësimin e kombinuar, etj.

Megjithatë nuk janë bërë mjaftueshëm konsultime apo sesione paraprake (qoftë virtuale) me fëmijët dhe prindërit për t’i informuar dhe përgatitur ata rreth asaj çfarë pritet të ndodhë nëpër shkolla me fillimin e vitit.

Po ashtu KOMF konsideron që nuk ka pasur konsultime të mjaftueshme me nxënësit sa i përket ndarjes në klasa dhe ka munguar një qasje e unifikuar për ndarjen në grupe e cila do të minimizonte pakënaqësitë.

Për pasojë ndarja e nxënësve në dy grupe shpesh ka ndarë fëmijët prej shoqeve apo shokëve të ngushtë duke ndikuar negativisht në entuziazmin dhe vullnetin e tyre për tu kthyer në shkolla.

Po ashtu, dilemat rreth nisjes së procesit mësimor dhe shtyrja e datës së fillimit të shkollës, shoqëruar me mungesën e përgatitjeve të duhura, kanë ndikuar dukshëm në gjendjen psikologjike të fëmijëve, aq më tepër kur marrim në konsideratë situatën e rënduar përgjatë muajve të fundit.

Shëndeti mendor njëjtë si ai fizik, ka një rëndësi të pakontestueshme në garantimin e zhvillimit të fëmijëve  në përputhje të plotë me interesin më të mirë të tyre.

Është jetike që shkollat, institucionet, mësimdhënësit dhe të gjithë ofruesit e shërbimeve të kujdesen fillimisht që fëmijët të përshtaten në mënyrë graduale e të pranueshme nga vetë ata në mjediset ku marrin shërbime, të ndihen të sigurtë, të qetë e të mbrojtur.

Kjo është cekur edhe në udhëzime të lëshuara nga profesionistë të fushës së shëndetit mendor dhe zhvillimit të fëmijëve.

Ndër të tjera, një grup i ekspertëve nga disa universitete në Angli, në një thirrje drejtuar autoriteteve arsimore në muajin maj 2020, kanë nënvizuar faktin se është thelbësore që me hapjen e shkollave autoritetet të prioritizojnë lojën, socializimin dhe shëndetin mendor të fëmijëve mbi mësimin formal dhe progresin akademik pasi shëndeti i varfër mendor, mund të çojë në probleme mendore afatgjata[1].

Nisur nga gjithë kjo situatë, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit mendor të fëmijëve, KOMF rekomandon:

MASh, Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe shkollat krahas marrjes së masave sipas udhëzuesit për rikthim në shkolla, duhet të shohin mundësinë për angazhim të stafit shtesë teknik dhe profesional.

Angazhimi i stafit profesional, sikurse angazhimi i psikologëve shtesë dhe i punëtorëve social, është më se i domosdoshëm në këtë periudhë të vështirë;

Mësimdhënësit të zhvillojnë orën e kujdestarisë por edhe orë të tjera përgjatë javës, duke i zhvilluar si orë diskutimi mbi vështirësitë, problemet dhe mbi shëndetin mendor, me qëllim të mbështetjes së fëmijëve dhe mbrojtjes së shëndetit të tyre.

Në këtë mënyrë i gjithë sistemi i jep prioritet mirëqenies emocionale të fëmijëve dhe shëndetit mendor të tyre, dhe në të njëjtën kohë garanton mbështetje për këdo që ka nevojë për ndihmë;

Mësimdhënësit të organizojnë sa më shumë aktivitete rekreative dhe argëtuese me fëmijët me qëllim largimin e stresit dhe të ankthit; Në këtë periudhë, ekuilibri emocional i fëmijëve duhet të jetë konsiderata e parë;

Të mbahen takime virtuale me prindër për të diskutuar mbi rëndësinë e shëndetit mendor të fëmijëve dhe rolin e prindërve në këtë drejtim;

Mësimdhënësit të organizojnë takime të rregulla virtuale me të gjithë nxënësit e klasës, ku ata do të kenë mundësi të takohen me shokët/shoqet e klasës të cilët nuk i kanë takuar deri më tani për shkak të ndarjes që është bërë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)