21 Gusht 2019

Këshilli Shtetëror i Cilësisë do t’a denoncojë çdo ndërhyrje nga politika

Prishtinë, 16 korrik - Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), përmes një komunikate dërguar mediave ka bërë një sqarim rreth vendimeve të fundit për mos akreditimin e universiteteve.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se, vendimet e KShC -së janë në funksion të garantimit të cilësisë në arsim dhe mbrojtjes së familjeve dhe fëmijëve të tyre nga programe/institucione me cilësi të kontestueshme dhe larg standardeve evropiane.

Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se Institucionet e Arsimit të Lartë nuk kanë marrë vlerësim pozitiv për akreditimin e universiteteve dhe se ato nuk do të mund të regjistrojnë studentë në vitin akademik 2019-2020. Prandaj, ato nuk do të mbyllen, por do t’i nënshtrohen sërish procesit të ri-akreditimit institucional.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë,  paralajmëron se çdo ndërhyrje e paligjshme nga politika do të denoncohet në institucionet e drejtësisë.

Njoftimi i plotë:

Komunikatë për Qytetarët e Kosovës nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë
 
Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës:
 
Si anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), ju drejtohemi me përgjegjësi, për informimin tuaj në lidhje me vendimet e marra nga KShC, më datën 15 korrik 2019. 
 
Fillimisht, dëshirojmë t’ju njoftojmë se KShC është organ i vetëm për vendim-marrje dhe politikëbërje në çështjet e akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL-ve) dhe programeve të studimeve në Republikën e Kosovës, mandat ky i dhënë nga Ligji për Arsimin e Lartë. Për më shumë, KShC është votuar nga Parlamenti i Kosovës, në Prill të vitit 2018, me 76 vota nga 120.  Me këtë, Parlamenti i Kosovës, ka treguar përkushtimin e vet për zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë, dhe ka marrë rol aktiv pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që jashtëligjshëm kishte shkarkuar KShC-në paraprake, që rezultoi me përjashtim nga EQAR. 
 
Qytetarë të nderuar:
 
AKA ka një sërë standardesh të bazuara në European Standard Guidelines 2015 –Standardet dhe Udhëzimet për Sigurimin e Cilësisë në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë 2015, që synojnë garantimin e cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë, konform standardeve evropiane. Këto standarde përfshijnë akreditimin institucional të IAL-ve dhe programeve të studimit. Në të parën janë 11 standarde (misioni publik dhe objektivat institucionale; planifikimi strategjik, qeverisja dhe administrimi; planifikimi dhe menaxhimi financiar; integriteti akademik, përgjegjësia dhe përgjegjësia publike; menaxhimi i cilësisë; mësimi dhe mësimdhënia; hulumtimi; stafi, proceset e punësimit dhe zhvillimi profesional; administrimi i studentëve dhe shërbimet mbështetëse; burimet e mësimit dhe objektet; dhe bashkëpunimi institucional), dhe të dytën janë 7 (misioni publik dhe objektivat institucionale; menaxhimi i cilësisë; stafi akademik; përmbajtja e procesit arsimor; studentët; hulumtimi; infrastruktura dhe burimet). Këto standarde janë përcaktuar bashkërisht me AKA-në, IAL-të dhe ekspertët ndërkombëtar, përmes një procesi gjithëpërfshirës në hartimin e tyre. Mbi këtë bazë, KShC ka miratuar këto standarde në Korrik të vitit 2018. 
 
Qytetarë të nderuar:
 
Vlerësimi i bazuar në këto standarde bëhet nga ekspertët ndërkombëtar. Ky është një proces transparent, IAL-të janë të informuara për çdo hap në vlerësimin institucional dhe/apo të programeve mbi këto standarde, dhe marrin pjesë në çdo fazë të vlerësimit nga ekspertët ndërkombëtar.  KShC merr vendime mbi rekomandimet e ekspertëve sipas mandatit që ka dhe legjislacionit në fuqi. Ekspertët janë nga ENQA, miratuar nga KShC, ndërsa përzgjedhja e ekspertëve për vlerësim të IAL-ve dhe programe të studimeve, është përgjegjësi e drejtorit dhe stafit të AKA-së. Përzgjedhjen e ekspertëve për IAL-të dhe programet e ka bërë AKA. 
 
 
KShC është e shqetësuar për manipulimin e opinionit publik dhe përdorimin e vendimeve të KShC-së për lojë politike. Vendimet e KShC-së janë në funksion të garantimit të cilësisë në arsim dhe mbrojtjes së familjeve dhe fëmijëve të tyre nga programe/institucione me cilësi të kontestueshme dhe larg standardeve evropiane. KShC garanton qasje të studentëve në arsim cilësor
dhe premtues për zhvillim shoqëror në Kosovë, të krahasueshëm me vendet evropiane. Jemi të përkushtuar të rezistojmë ndaj çdo ndërhyrje në pavarësinë e AKA-së dhe vendim-marrjen e KShC-së. Çdo ndërhyrje të paligjshme nga politika do t’i denoncojmë në institucionet e drejtësisë.   
 
IAL-të që nuk kanë marr vlerësim pozitiv për akreditim, nuk do të mund të regjistrojnë studentë në vitin akademik 2019-2020. Prandaj, ato nuk do të mbyllen, por do t’i nënshtrohen sërish procesit të re-akreditimit institucional. Studentët aktual vazhdojnë studimet në programet e akredituara. Shpresojmë se këto vendime do të ofrojnë bazë për reflektim dhe veprim të IAL-ve për përmbushjen e standardeve për akreditim.  
 
Qytetarë të nderuar:
 
Për çdo informatë rreth IAL-ve dhe programeve valide të studimit dhe atyre që nuk kanë akreditim, ju lutem përcillni webfaqen e AKA në http://www.akreditimi-ks.org, apo na kontaktoni në këtë email adresë: akreditimi@rks-gov.net  
 
Me respekt,
 
Gazmend Luboteni Vjollca Krasniqi Arta Jakupi  Rozafa Koliqi Magdalena Ziolo  Herbert K. Amato Jeffery Amato Dukagjin Zeka 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 gusht 2019 - Vazhdon greva e punëtoreve të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “ Adem Jashari”. (Aeroporti i Prishtinës, ora 8:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale Fejzë Kabashi do të vizitojnë disa shtëpi të cilat po ndërtohen në kuadër të projektit “Ndërtimi i shtëpive për familjet skamnore”. (Lagjja “Bajram Curri” e më pas do të vizitohen edhe disa shtëpi në fshatin Zhur. (Nisja do të bëhet nga Shtëpia e Bardhë, ora 9:45)

- Në kuadër të Etnofestit mbahet punëtoria kreative dhe instalacione me atelje te pikëtorëve dhe skulptorëve. (Ambientet e Etnofestit në fshatin Kukaj, ora 10:00)

- Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala dhe kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, do të nënshkruajnë memorandum të bashkëpunimit për rregullimin e objektit Mulitifunksional Inovativ në Shtime. (Objekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme kati i 3-të, ora 10:00)

- Mbahet mbledhjen e rregullt të Komitetit për Politikë dhe Financa e Komunës së Mitrovicës. (Salla e mediave të Komunës së Mitrovicës, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala miraton draft raportin e punës së Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, pret në vizitë  Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi. (Zyra e Kryetarit të Komunës së Deçanit, ora 11:00)

- Fillojnë punimet në rrugën Budisalc-Zllakuqan i Klinës. (Pranë përmendores së Kolë Mirditës në Zllakuqan, ora 11:00)

- Komuna e Vushtrrisë mban mbledhje komemorative për veteranin e arsimit dhe UÇK-së, si dhe ish drejtorin e arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Behxhet Jashari. (Salla e Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë, ora 11:30)

-  Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Nënkryetari Muhedin Nushi do të mbajnë konferencë për media. (Objekti i vjetër të Komunës, ora 11:30)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi vëjn gurethemelin e shkollës fillore “Heronjtë e Dukagjinit” në Gllogjan. (Gllogjan, ora 11:30)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi inspektojn punimet në objektin përcjellës të Shkollës Fillore “Isa Boletini” në Isniq. (Isniq, ora 12:00)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit mban ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr.49. në të cilën janë 132 asete. (Hoteli Grand, ora 12:30)

- Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj pret në takim një delegacion prej 60 studentësh të programit Akademia Verore, nga shtete të ndryshme të botës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:30)

- Në kuadër të Etnofestit mbahet zona e debatit për shtëpin tradicionale dhe familjen e madhe shqiptare. (Shtëpia e vjetër në Fshatin Kukaj, ora 17:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e e rajonit të Zhupës dhe Podgorës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shtëpia e Kulturës në Reçanë, ora 19:00)