19 Shtator 2020

Hoti kërkon mobilizim të përgjithshëm për fillimin e vitit të ri shkollor

Prishtinë, 11 gusht - Me kërkesë të Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka organizuar sot një takim virtual me kryetarët e Komunave të Kosovës dhe me drejtorët e Departamenteve Komunale të Arsimit, në të cilin është diskutuar për përgatitjet finale që po i bëjnë institucionet e vendit për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021.

Në këtë bashkëbisedim morën pjesë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u përfaqësua nga Merita Koçinaj – Berisha, e cila njëherësh është edhe prorektore e Universitetit të Prishtinës.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, kërkoi nga të gjitha institucionet relevante të arsimit në vend që t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme për ta filluar sa më mbarë vitin e ri akademik, por gjithnjë duke i marrë parasysh rekomandimet e ekspertëve të shëndetësisë për luftimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID 19.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Ramë Likaj theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021.

Ai paraqiti tre skenarët e kësaj ministrie për fillimin e vitit të ri shkollor, të cilët janë: A. Rikthimi në ambientet shkollore, B. Mësimi i kombinuar, dhe C. Mësimi nga platformat e ndryshme.

Në këtë takim, pjesëmarrësit u pajtuan që opsionet e MASH-it të shndërrohen sa më parë në vendime dhe si të tilla t’u dërgohen Departamenteve Komunale të Arsimit, të cilat, varësisht nga kapacitet që kanë, duhet të përcaktohen se cilin opsion do ta zbatojnë në komunën e tyre.

Sidoqoftë, mbizotëroi qëndrimi se, sidomos për klasat e ulëta, prioritet t’i jepet mundësisë së pjesëmarrjes fizike të nxënësve në procesin mësimor, nëse këtë e mundësojnë kushtet epidemiologjike. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Shtator 2020 - Për nder të 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet, “Muzeu Lëvizës”, Komuna e Prishtines bashkë me Muzeun e mirëpresim edhe nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani dhe drejtoreshën ekzekutive të Unioni i Bashkive Shqiptare të Rajonit, Andriola Kambo hapin 'Muzeu Lëvizës'. (Sheshi 'Ibrahim Rugova', ora 10:00)

- Let’s Do It Kosova në kuadër të Lëvizjes Globale “Let’s Do It World” sjell përsëri në Kosovë “Ditën e Pastrimit të Botës 2020” ku do të fillojë me aktiviteti te pastrimin e qytetit nga mbeturinat. (Në afërsi të stadiumit “Fadil Vokrri”, lokacioni te parkingu i autobusëve, ora 11:00)

- Udhëhqës të Komunës së Prishtinës bashkë me Unionin e Bashkive Shqiptare të Rajonit, Andriola Kambo zhvillojnë një vizitë në Muzeun e Kosovës. (Muzeu i Kosovës, ora 11:30)

- Let’s Do It Kosova vazhdon me aktivitetin e dytë qëndror për shënimin e “Ditës së Pastrimit të Botës 2020”. (Parku i Qytetit të Prishtinë, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media në të cilën flasin Kryetari i LV-së, Albin Kurti dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 14:00)

- Përfaqësues të lartë nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës mbajn konferencë për media, të organizuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me aksionin e realizuar mbrëmë në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës dhe rajone tjera. (Prokuroria Themelore në Gjilan, rruga ‘’Marie Shllaku’’, ora 14:00)

- Udhëhqës të Komunës së Prishtinës bashkë me Unionin e Bashkive Shqiptare të Rajonit, Andriola Kambo zhvillojnë një vizitë në Kopshtin me Bazë në Komunitet “Cicërimat”. (Kopshtin “Cicërimat”, ora 14:00)

- Udhëhqës të Komunës së Prishtinës bashkë me Unionin e Bashkive Shqiptare të Rajonit, Andriola Kambo zhvillojnë një vizitë në Parku Germia. (Parku Germia, ora 15:00)