24 Shtator 2018

Haradinaj: Shkollimi i të rinjve duhet bazuar në nevojat e tregut evropian

Prizren, 14 shtator - "Fëmijët e Prizrenit janë me fat që e kanë një shkollë si Loyola dhe duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi" Kështu tha  Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një vizite pune që i bëri gjimnazit “Loyola” dhe ku u prezantua projekti i ri “Shkolla e Lartë Profesionale ‘Loyola”, projekt ky që domen ka fushën mekatronike dhe i  cili parashihet të jetë pjesë e Parkut Inovativ Trajnues në Prizren.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast, tha se projekti i një Shkolle të Lartë në Kosovë është një ngjarje e re, është koncept real i jetës, i tregut dhe se ka besim në gjimnazin “Loyola” për angazhimin e saj në arsim për të rinjtë kosovarë.

"Ky është investimi më i mirë që mund të bëjmë, është shkollimi i duhur dhe cilësorë i fëmijëve tanë dhe ky është edhe orientimi ynë si Qeveri, për arsimimin e të rinjve tanë.  Çdo përpjekje që e ofron këtë, do të marrë mbështetjen institucionale" ka shtuar Kryeministri Haradinaj duke shprehur përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës që t’i ndihmojnë këtij institucioni arsimor.

“Qëllimi është që të aftësohen të rinjtë tanë për tregun e punës, që të avancojnë si në shtete tjera të zhvilluara, si Gjermani, Austri apo diku tjetër”, tha kryeministri Haradinaj duke vlerësuar faktin se si kjo shkollë me mësimdhënës kosovarë dhe nxënës kosovarë ka sukses të jashtëzakonshëm në arsimimin e të rinjve tanë.

Duke pasur rastin të shohë nga afër planet e kësaj shkolle në projektin e ri për Shkollën e Lartë Profesionale “Loyola” brenda Parkut Inovativ dhe Trajnues ne Prizren, kryeministri Haradinaj tha se një institucion i tillë, do ta ketë mbështetjen e pa rezervë të të gjitha institucioneve, në mënyrë që projekte të tilla me këtë synim të ketë edhe më shumë në të ardhmen.

“Ky është modeli që duhet ndjekur”, tha kryeministri Haradinaj.

Gjatë prezantimit të projektit për shkollën e re janë paraqitur udhëzimet se si kjo shkollë mekatronike mund të funksionojë në mënyrën më të mirë, duke iu përshtatur tregut të punës, arritja e së cilës mund të bëhet përmes lidhjes nxënës-shkollë-kompani.

Pjesë e prezantimit ishin edhe kompani kosovare të cilat paraqiten nevojat e tyre konkrete për punësim. 

Në ceremoni ishin prezent ministri i Financave të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, drejtori i Doganës, Bahri Berisha,ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt,  ambasadori austriak, Gernot Pfandler, ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka si dhe përfaqësues tjerë institucionalë dhe të Odave Ekonomike

 
 

 

 

Kalendari

Ngajrjet e datës 24 shtator 2018

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Transmetuesin Publik të Kosovës, shqyrtimi i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)


- Misioni i OSBE-së do të publikojë dy raporte që kanë të bëjnë me legjislacionin dygjuhësh dhe respektimin e të drejtave gjuhësore në Policinë e Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të shumta për shënimin e Ditës Evropiane të Gjuhëve. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:30)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e Diskutimit me temë "Monitorimi i Planit Strategjik të KPK-së: Ku po qëndron sistemi prokurorial në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik?". (Hotelin Swiss Diamond, ora 10:30)

- Në kuadër të Javës së Sportit Evripian Federate e çiklizimit te Kosovës organizon garën e hapur çiklistike për të gjitha kategoritë dhe grupmoshat nga 20 deri 100 km. (Gjilan, ora 11:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi do të shoqëroj Drejtoreshën e Korpusit të Paqës, Dr. Darlene Grant, gjatë vizitës ku ata do të përcjellin një Vullnetare të Korpusit të Paqës në punë në shkollën e saj në një fshat të Kosovës. (Shkolla fillore “Nëna Tereza”, fshati Vranidoll, ora 11:15)

- Organizata ETEA, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do ta organizojë “Ditën e Librit të Ndaluar” me temën “Librat digjen, (por) idetë jo”, si përgjigje ndaj cenzurës, me theks të veçantë te cenzurimi i librave. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 13:00)

- Ministri i Financave Bedri Hamza dhe drejtoresha për Eksport në UniCredit Bank Austria AG Sabina Eder do të nënshkruajnë marrëveshjen për kredi në vlerë prej 5.349 milionë euro për financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Podujevës. (Ndërtesa e  Qeverisë, kati 11, ora 15:00)

- Mbahet diskutim i hapur me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi mbi temën “Librat digjen, (por) idetë jo” me moderim nga Liridona Sijarina. (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 15:00)

- Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohen me Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Republikën e Shqipërisë.  (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 15:00)

- Organizohet shfaqja e filmit “Fahrenheit 451” në bashkëpunim me “Film n’park”. (Parku i Qytetit të Prishtinës, ora 19:00)