29 Mars 2024

Hapet kuvendi i 5 zgjedhor i këshillit të nxënësve të Kosovës

Prishtinë, 6 dhjetor - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, si dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja kanë marrë pjesë sot në hapjen e Kuvendit të Pestë Zgjedhor të Këshillit të Nxënësve të Kosovës.

Të pranishëm kanë qenë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, si dhe kryetarja e Grupit joformal të deputetëve të rinj të Kuvendit të Kosovës, znj. Ganimete Musliu.

Para më shumë se 80 delegatëve të këtij Kuvendi, ministri Krasniqi ka folur për angazhimet e MKRS-së për rininë gjatë këtij viti si dhe për projektet në të ardhmen.

Duke e vlerësuar lart angazhimin e këtij Këshilli, ai tha se MKRS do të jetë e gatshme çdo herë që të përkrahë dhe bashkëpunojë me organizatat rinore, e në këtë rast edhe KNK-në.

Ai shtoi se këtë vit është rritur buxheti për subvencionimin e organizatave rinore si dhe ka pasur projekte të përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë, që kanë pasur si qëllim realizmin e kërkesave të të rinjve dhe rritjen e rolit të saj në jetën publike.

“E kam deklaruar disa herë, por edhe këtu para jush dua të ju rikonfirmoj se rinia për këtë mandat është një prioritet i imi dhe do të angazhohemi shumë që të tejkalojmë sfidat që janë para nesh.

Ajo çka është e rëndësishme për juve në këto ditë, është që të punoni sinqerisht, pa u ndikuar nga interesa çfarëdo qofshin ato. Interes i juaji duhet të jetë, dhe besoj është, realizimi i të drejtave të nxënësve dhe në përgjithësi i rinisë. Përkrahjen tonë, në tërësi si qeveri, do ta keni gjithmonë”, ka thënë ministri Krasniqi.

Nga ana e tij, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka folur për të arriturat dhe prioritet në fushën e arsimit. Republika e Kosovës, tha ai, është shumë e përkushtuar që të jetë shtet i dijes dhe sipas tij qeveria po punon shumë në këtë drejtim.

Ai ka folur edhe për projekte konkrete në infrastrukturën e shkollave dhe çështjet që kanë të bëjnë me metodat e mësimit dhe procesin e reformave në këtë fushë.

Ndërkaq, kryetarja e Grupit joformal të deputetëve të rinj të Kuvendit të Kosovës, znj. Ganimete Musliu, tha se të rinjtë do të kenë gjithmonë vëmendjen e Kuvendit, e posaçërisht të deputetëve të rinj.

Edhe ajo porositi nxënësit që angazhimet e tyre të mos i bëjnë për qëllime jo të sinqerta. Ministri Krasniqi, ministri Buja dhe deputetja Musliu janë përgjigjur edhe në shumë pyetje të nxënësve lidhur me projekte konkrete dhe prioritet kryesore për arsimin, rininë, sportin dhe kulturën.

Këshilli i Nxënësve të Kosovës është strukturë përfaqësuese në nivel nacional nëpërmjet së cilës nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës përfaqësojnë shkollat e tyre, në mënyrë që të mbrojnë interesat e nxënësve dhe të bashkëpunojnë me zyrtarët, prindërit dhe profesorët për të përfituar arsimi dhe nxënësit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)