09 Korrik 2020

Hapet aktiviteti 'KarrieraUP' në Universitetin e Prishtinës

Prishtinë, 28 maj - Dje është bërë hapja zyrtare e aktivitetit “KarrieraUP”, i organizuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës.

Ky aktivitet, i mbajtur virtualisht, synon orientimin në karrierë dhe ndërlidhjen me tregun e punës. Në kuadër të këtij takimi u realizua prezantimi i parë virtual i këtij aktiviteti nëntë ditor, i cili do të zgjasë deri më 05 qershor.

Hapja zyrtare e aktivitetit u bë nga rektori i UP-së, prof. Marjan Dema, i cili u dëshiroj suksese studentëve pjesëmarrës në këto takime virtuale.

“Siç tashmë e dini, për disa ditë rresht, ju do të takoni virtualisht punëdhënës potencialë, të cilët do të ndajnë me ju perspektivat nga përvoja e tyre, për të ju shërbyer juve në karrierën tuaj. Urojmë që këto takime, të jenë udhërrëfyes në rrugëtimin tuaj drejt suksesit” theksoi Dema në fjalën e tij.

Dema, për realizimin e këtyre takimeve, falënderoi përfaqësuesit e tregut të punës, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së UP-së për të biseduar me studentët tanë rreth tematikave të aktivitetit, si dhe stafin e QZhK-së për punën e bërë.

Të pranishmëve në këtë takim virtual iu drejtua me fjalë përshëndetëse edhe prorektorja për zhvillim dhe cilësi, prof. asoc. Merita Berisha, e cila ftoi studentët që të përfitojnë nga këto takime, duke u bërë pjesë aktive e tyre.

Pjesëmarrësve të këtij takimi, të mbajtur përmes platformës Zoom, iu drejtuan edhe disa nga përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse, të do të prezantojnë ditëve në vijim.

Pas fjalëve përshëndetëse, menaxherja për Rekrutimin e Talentëve në kompaninë "Sutherland", znj. Donika Karaxha prezantoi profilin e kompanisë, mundësitë që ofrojnë për punësimin e studentëve dhe të diplomuarve të UP-së si dhe dha këshilla të vlefshme për përgatitjen e studentëve për tregun e punës.

Takimi i radhës do të zhvillohet sot ku folës do të jetë përfaqësuesi nga kompania farmaceutike “Gentipharm”, Demir Shkodra.

Gjatë ditëve në vijim do të prezantojnë institucione dhe kompani të profileve të ndryshme që mbulojnë shumicën e programeve studimore në UP. Ata janë: zAvni Syla nga kompania “Elen”, znj. Blerta Thaçi nga Open Data Kosovo, znj. Blerina Kuçi-Hoti nga ProCredit Bank, Bledion Baraliu nga ArchiEdu, Ayhan Nis nga DEKRA Arbeit, znj. Yllka Hoxha nga BIRN dhe znj. Vjosa Gjakova nga Talent Seekers and Keepers. Rreth mundësisë së pjesëmarrjes vizitoni faqen zyrtare të Qendrës për Zhvillim të Karrierës në Facebook (facebook.com/qzhkunipr)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Korrik 2020 - Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët votimi dhe shqyrtimi i disa Projektligjeve për ratifikimin e Marrëveshjeve ndërkombëtare. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit bën përurimin e stadiumit në Sërbicë të Poshtme, projekt i realizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ku do të jetë i pranishëm kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e DKRS-së, Emilija Redzepi. (Nisja do të bëhet nga Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:30)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët  votimi i Propozim rezolutës nga Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe debati parlamentar lidhur me dialogun Kosovë - Serbi. (Salla e Kuvendit, ora 10:30)

- Në nderim të ushtarit amerikan Alexander Blake Klass, 20 vjeçar nga Willamina e Oregonit, që ka humbur jetën në një incident, që nuk kishte të bënte me veprim të armatosur, Shoqata "Miqtë e Amerikës" do ta ulin në gjysëm shtizë flamurin amerikan. (Sheshi “Bill Clinton” në Prishtinë, ora 11:00)

- Mbahet Seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 11:00)

- OVL e UÇK-së mban protestë gjithëpopullore me moton “Në mbrojtje të Luftës Çlirimtare”. (Prishtinë dhe qytetet e tjera të Kosovës, ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media në të cilën flet Albulena Haxhiu. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Rahovecit, në të cilën do të behët shqyrtimi dhe aprovimi i Propozim vendimit për bartjen e mjeteve nga rezervat e buxhetit komunal, nga kategoria pozicionit të pagave në kategorinë e Investimeve Kapitale. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në objektin e ri të komunës, ora 14:00)

Mbledhja do të mbahet në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, në objektin e ri të komunës.

- Mbahet një takim pune i organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në të cilin do të diskutohet dokumenti - Plani Hapësinor i Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna. (Ndërtesa e re e Qeverisë ish-Rilindja, salla e konferencave, kati XVIII, ora 15:00)