25 Maj 2020

Hapen qendrat e kompetencës në Malishevë dhe Skenderaj

Malishevë, Skenderaj, 28 qershor - Dy qendrat e kompetencës në Malishevë dhe Skenderaj, të cilat janë edhe më modernet në rajon, janë hapur sot edhe zyrtarisht. Me ceremoni festive është përmbyllur kështu ky projekt i madh dhe shumë i rëndësishëm për arsimin profesional, e që është bashkëfinancim i Qeverisë së Norvegjisë dhe MASHT-it.

Në hapjen e të dy qendrave, ka marrë pjesë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Sverre Johan Kvale, kryetarët e dy komunave Isni Kilaj e Sami Lushtaku dhe personalitete të shumta nga vendi e ambasadorë.

Në ceremonitë festive të hapjes së qendrave, ministri Buja ka falënderuar të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre për këtë projekt madhor për arsimin në Kosovë. Në veçanti, ministri ka falënderuar ambasadorin e Norvegjisë për angazhimin e tij, si  dhe qeverinë norvegjeze.
 

“Këto dy qendra që ne po i promovojmë sot, nuk kanë vetëm cilësi ndërtimore, por edhe pedagogjike dhe kjo na ndihmon shumë. Jam shumë i gëzuar, sepse këto dy qendra, e rrisin nivelin e cilësisë në arsimin profesional, për çka jemi shumë të interesuar”, tha ai.

Ministri Buja, tha se sot po promovohen dy objekte që nuk i ka askush tjetër në rajon, prandaj ai porositi nxënësit dhe mësimdhënësit që të ruajnë këto objekte moderne. “Është lehtë ta realizosh, por vështirë ta ruash e avancosh. Kështu që, porosia ime është që ta ruani dhe avanconi këtë qendër”, tha ministri Buja.

Ambasadori i Norvegjisë, Sverre Johan Kvale, vlerësoi se sot është një ditë e madhe për Kosovën dhe arsimin kosovar.  Ai përmendi faktin se Kosova ka një popullsi shumë të re dhe tha se papunësia në mesin e këtyre të rinjve vlerësohet të jetë rreth 70 për qind. “Ndërsa, në të njejtën kohë, Kosova jep përshtypjen e një hapësire ndërtimi dhe këto qendra do të përgatisin këta të rinj që të gjejnë punë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë. Nga këtu nuk dalin njerëz me grada akademike, por dalin njerëz me aftësi praktike”, tha ambasadori Kvale, i cili theksoi se duke ndërtuar këto dy shkolla, jemi në vijë me rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe Bankës Botërore.

Ambasadori Kvale, mori edhe çmimin e ndarë ditë më parë si qytetar nderi i Malishevës, ndërsa në Skenderaj, ai përveç mirënjohjes për angazhimin e tij në ndërtimin e qendrave të kompetencës, pranoi edhe një dhuratë që ishte një pikturë e bërë nga vet nxënësit e Qendrës.

 

Edhe kryetarët e komunave të Malishevës dhe Skenderajt, Isni Kilaj dhe Sami Lushtaku, falënderuan Qeverinë Norvegjeze dhe i vlerësuan këto dy qendra si dhurata të çmueshme për komunat e tyre dhe për gjithë Kosovën.

Ndërsa, ministri Buja dhe pjesëmarrës të tjerë, mysafir në këto ceremoni, më pas u njohën edhe ambientet e dy qendrave, ku tashmë pritet të pranohet edhe gjenerata e dytë e nxënësve.

 

Ndërtimi i Qendrave të Kompetencës në Skenderaj dhe Malishevë, është bërë nga Qeveria Norvegjeze (14.7 milion euro) dhe MASHT-i (1.2 milion euro), dhe janë më modernet në gjithë rajonin. Planprogrami, pajisjet dhe dizajni i ndërtesave i përmbushin standardet më të larta evropiane.

Qendra e Kompetencës në Skenderaj aftëson punëtorë të kualifikuar në sektorin e Ndërtimtarisë. Ka kapacitet për 850 nxënës dhe sipërfaqja e saj është rreth 9.600 metër katrorë.

Qendra e Kompetencës në Malishevë aftëson punëtorë të kualifikuar në lëmin e Ekonomisë, Kontabilitetit/Administratës dhe Tregtisë, Ka po ashtu kapacitet për 850 nxënës dhe ka një sipërfaqe prej 9.200 metër katrorë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Maj 2020

- Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në shenjë nderimi për të burgosurit shqiptarë të vrarë para 21 vjetësh viziton Burgun e Dubravës në Komunën e Istogut. (Burgu i Dubravës ora 10:30)