29 Mars 2024

Gjendja në arsim është po aq e rëndë sa dy vite më parë

Prishtinë, 22 dhjetor - Lëvizja Vetëvendosje! mbajti konferencë fundviti për media mbi gjendjen e arsimit në Kosovë për vitin 2018.

Në konferencë folën dy deputetët e Lëvizjes, njëherazi edhe anëtarë të komisionit parlamentar për arsim, Ismajl Kurteshi dhe Arbërie Nagavci.

Gjendja në arsim është po aq e rëndë sa dy vite më parë, kur në janar të vitit 2017 u miratua rezoluta e iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje! e cila e shpallte arsimin prioritet kombëtar për shkak të gjendjes së tij.

Deputeti Ismajl Kurteshi listoi problematikat e cilësisë së ulët të arsimit për të gjitha nivelet.

Në Kosovë vazhdon mësimi me tre ndërrime dhe me mungesë laboratorësh e mjetesh të tjera të punës në shumë shkolla.

Ndikimi i partive politike dhe vendosja e jashtëligjshme e drejtorëve pa kualifikim adekuat sipas Kurteshit janë mëse të pranishme.

Po ashtu, tekstet shkollore të importuara nga Serbia për nxënësit e komunitetit serb sipas tij janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ku përveç të tjerash mbjellin urrejtje nacionale, por askush nuk merret me këtë problem.

Një tjetër problematikë e rëndë në arsim që nuk po trajtohet seriozisht është edhe përdorimi i lëndëve narkotike në shkolla.

Për sa i përket arsimit të lartë, deputeti Kurteshi përmendi faktin se asnjëri nga universitetet rajonale publike nuk i ka plotësuar standardet për akreditim.

Në kolegje private gjendja është edhe më e rëndë me pranimet e tepërta të studentëve, pranimet në programe të pa akredituara, mosrespektimin e afateve të regjistrimit, mosregjistrimet në librat e amzës, etj.

Ndërsa sa i përket monitorimit të IAL-ve, Agjencia Kosovare e Akreditimit ka kapitulluar duke thënë se nuk ka kapacitete të mjaftueshme për përcjelljen e punës së institucioneve të akredituara.

Deputetja Nagavci duke përmenduar rezultatet e testit PISA dhe të indeksit të ri të kapitalit human tregoi se nxënësit e Kosovës për 13 vite shkollim marrin njohuri ekuivalente me vetëm rreth 7 vite. 5 vite shkollim humbasin dhe rrjedhin nga 13 vite për shkak të problemeve të sistemit tonë arsimor. Një 15 vjeçar i Kosovës është 6 vite mbrapa një moshatari të tij nga Singapori.

Po ashtu, deputetja Nagavci përmendi shkarkimin e KSHC të Agjencisë së Kosovës për Akreditim duke thënë, “vendim ky i marrë me kërkesën e Kryeministrit Haradinaj, gjë që çoi deri te përjashtimi i Agjensinë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), duke dëmtuar kështu arsimin e lartë për shkak të betejave krejtësisht partiake e biznesore në mes të grupeve të caktuara të interesit”.

Përkushtimi për përmirësimin e cilësisë nuk shihet as tek Projektligji për buxhetin. Shpenzimet kapitale në arsimin parauniversitar vazhdojnë të dominohen nga shpenzimet për ndërtimin dhe renovimin e shkollave, me investime të papërfillshme në cilësinë e arsimit.

Buxheti nuk ka prioritet investimin në institucionet e edukimit të fëmijërisë së hershme. Nga Projektbuxheti, ku planifikohen 69 milionë euro per MASHT, vetëm 27 milionë drejtohen për arsimin e lartë duke lënë një shumë të papërfillshme për hulumtimin shkencor dhe projektet zhvillimore.

Me këtë trend të politikbërjes për arsimin, viti 2019 dhe vitet në vazhdim janë ogurzeza për fëmijët dhe të ardhmen tonë. Kjo qeveri është e verbuar dhe e burgosur nga përfitimet e të tashmes dhe e ka të pamundur të mendoj për të ardhmen e rinisë dhe të arsimit.
 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)