21 Shkurt 2020

Fillon ndërtimi i një çerdheje të re në Klinë

Klinë, 15 gusht - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, së bashku me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, kanë vënë gurëthemelin për ndërtimin e një çerdheje të re në Klinë. Ndërsa, gjatë qëndrimit në këtë qytet, ministri Bytyqi ka vizituar edhe punimet e shkollës fillore të mesme të ulët “Ismet Rraci”, e cila pritet të jetë e gatshme në fillim të këtij viti shkollor.

“Është kënaqësi që sot jemi në Klinë dhe vumë gurëthemelin e një projekti shumë të rëndësishëm, siç është çerdhja e fëmijëve. Uroj banorët e komunës së Klinës dhe kryetarin, që tani e tutje do të kenë edhe një çerdhe. Uroj, po ashtu, që të kemi sa më shumë infrastrukturë për edukimin e hershëm, për arsye se kjo është në të mirë të edukimit të përgjithshëm të fëmijëve tanë”, është shprehur ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi dhe kryetari Elezaj kanë zhvilluar edhe një takim gjatë ditës së sotme, ku biseduan për zhvillimet në arsim, me theks në arsimin e komunës së Klinës, si dhe përpjekjet e përbashkëta për ngritje të cilësisë.

Në këtë ceremoni ishte e pranishme edhe deputetja e zonës, Mirjeta Kalludra. Ky projekt është investim i Ministrisë së Arsimit dhe kapë vlerën mbi 500 mijë euro.

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 shkurt 2020  - Mbahet takimi i 178-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Objekti i Prokurorisë së Shtetit, ora 10:00)

- Grupi për Ballkan dhe anëtarët e tjerë të Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë – Serbi mbajnë tryezën e diskutimit për të arriturat e dialogut teknik Kosovë – Serbi. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri pret në takim ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi (zyra e kryetarit, ora 10:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në akademinë përkujtimore për heroin Shaban Polluzha, me rastin e 75 vjetorit të rënies së tij. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri pret në takim kryetaren e Kuvendit të Republikës, Vjosa Osmani (zyra e kryetarit, ora 15:00)

- Kryeparlamentarja Osmani mban fjalim para kuvendarëve të Gjilanit e më pas viziton shkollën fillore “Thimi Mitko”. (Salla e Kuvendit te Komunës së Gjilanit, ora 15:30)

- Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani dhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri do të shkojnë për vizitë ngushëlluese në familjen Bllaca. (Gjilan, ora 17:00)

Festivali Nderkombetar i Animacionit Anibar organizon natën e shfaqjes së filmit Please Vote for Me" dhe dhurimit të librit nga truAktiv. (Kinema "Jusuf Gërvalla" në Pejë, ora 19:00)