06 Tetor 2022

Fëmijët përmes artit evokojnë përvojat e tyre në arsimim gjatë pandemisë

Prishtinë, 29 qershor - Save the Children në Kosovë do të organizojë sot ngjarjen e shpalljes së fituesve të garës së vizatimit “Mbro Arsimin Tonë’’.

Gara e vizatimit “Mbro Arsimin Tonë’’ ishte pjesë një nga aktivitetet e 1 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe paraqet përvojat e fëmijëve me mësimin nga distanca dhe për ndikimin që ka pasur tek fëmijët si dhe në të njëjtën kohë iu jep mundësinë fëmijëve të ngrisin zërin përmes artit tek personat përgjegjës për adresimin e sfidave në arsimim cilësor dhe kthim të sigurt në shkollë.

Prej vizatimeve të dorëzuara, janë përzgjedhur 7 më të mirat, të cilat do të shpërblehen me nga një tablet elektronik për t’u përdorur për ofrimin e qasjes dhe për të lehtësuar arsimin e fëmijëve gjatë pandemisë së COVID-19.

Për të njohur kontributin e fëmijëve, Save the Children në Kosovë do të organizojë këtë event publik, në formë të një ekspozite, ku do paraqesë vizatimet më të mira.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë Drejtori i Save the Children në Kosovë Ahmet Kryeziu,  znj. Lulavere Behluli, Udhëheqëse e Divizionit për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, fituesit e garës si dhe përfaqësuesit e fëmijëve nga grupi i fëmijëve ‘Respect Our Rights’, të cilët do të kenë mundësinë që përmes një fjale rasti t’i paraqesin sfidat dhe kërkesat e fëmijëve të Kosovës në lidhje me edukimin gjatë pandemisë.  

Ky aktivitet realizohet në kuadër të fushatës ‘Save our Education’ (Mbro Arsimin Tonë) e cila është një fushatë globale e Save the Children International që përqendrohet në urgjencën globale të arsimit të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, ku për herë të parë në histori të njerëzimit një gjenerate të tërë i është penguar edukimi. Vlerësohet që globalisht rreth 1.6 miliardë studentë kanë qenë jashtë shkollës.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 tetor 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton raporti me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurën Përmbarimore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 9:00)

- Byroja Kosovare e Sigurimit shënon 11 vjetorin e themelimit. (Hotel Venus, ora 9:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe UNDP Kosova do të organizojnë  fillimi e fushatës për ndërgjegjësimin e publikut  “Festo me zemër, jo me armë” që synon ngritjen e vetëdijes për rrezikun e posedimit dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KEK-ut, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Oda Amerikane po organizon tryezën e rrumbullakët me titullin "Ndërtimi i partneritetit për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve në Kosovë", për të diskutuar lidhur me këtë temë dhe sfidat e tjera në fushën e kujdesit shëndetësor, me ekspertë eminentë nga Kroacia. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës interviston Jeton Mehmetin Kryesues i Bordit të Drejtorëve të KOSTT. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Avokati i Popullit organizon dëgjime publike përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ora 10:00)

- Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të mbajë konferencë për media me temë 'Masat për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët'. (Ministria e Ekonomisë, salla e takimeve, ora 11:00)

- Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës raporton para Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal lidhur me punën 6 mujore të vitit 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 12:00)

- Me rastin e vdekjes së ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Deli Lekaj, Komuna e Deçanit organizon mbledhjen komemorative. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 13:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KOSTT-it, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:00)