08 Shkurt 2023

Eksponentë të partive politike po cënojnë avancimet në UP

Prishtinë, 6 shtator - Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) është e shqetësuar me tendencën për deformim të meritokracisë në procesin e avancimeve në UP nga ana e eksponentëve të caktuar politik të Fakultetit Ekonomik të UP-së, lidhur me procesin e fundit të avancimeve.

Profesori Besnik Krasniqi, i cili ishte edhe kandidat për deputet i LDK-së, duke dashur të determinojë punësimin e stafit akademik në Fakultetin Ekonomik në të cilin tashmë ka shumë figura të LDK-së, ka organizuar një grup të profesorëve të cilët po bëjnë obstruksione ndaj Këshillit të Fakultetit.

"Kësisoj kanë pamundësuar funksionimin normal të tij, e po ashtu po shtyjnë përpara vendime absurde të Këshillit të Fakultetit Ekonomik në kundërshtim me traditën e deritashme të avancimeve", thekson ORCA.

ORCA për katër vite me radhë monitoron procesin e avancimeve akademike në Universitetin e Prishtinës.

Gjatë këtyre viteve është bërë punë e madhe që të respektohen kriteret formale për avancimin dhe zgjedhjen e stafit akademik meritor, si nga menaxhmentet po ashtu nga shoqëria civile dhe mediet.

Ndër këto avancime meritore ORCA kishte lavdëruar publikisht Avdullah Hotin në vitin 2019 për avancimin e tij meritor në titullin e profesorit të rregullt, por ORCA nuk mund të qëndrojë e heshtur kur eksponentë të së njëjtës parti përpiqen ta deformojnë rezultatin meritor të procesit të avancimeve.

Me këtë rast i bëjmë thirrje kryetarit të partisë zt. Lumir Abdixhiku, por edhe të të gjitha partive të tjera që t’ju bëjnë thirrje anëtarëve të partive të tyre të mos ndërhyjnë përmes politikës në punët e Universitetit të Prishtinës.

Autonomia akademike e tij është jashtëzakonisht e rëndësishme për shoqërinë kosovare dhe e tillë do të mbetet pavarësisht fuqisë politike të kujtdo.

ORCA është e verbër përballë fuqisë dhe emrit të cilësdo parti kur ato ndërhyjnë në autonominë e Universitetit, dhe kësisoj do t’i luftojë të gjitha ndërhyrjet pa dallim, siç edhe do t’i lavdërojë publikisht ata që e meritojnë.

ORCA i bën thirrje Rektorit Naser Sahiti që çdo person që pengon procesin e avancimeve ta paraqesë pranë Këshillit të Etikës si dhe ta përdorë autoritetin e tij për të ndalë dhe ndëshkuar çfarëdo tendence të grupeve politike e parapolitike, të profesorëve apo studentëve, të cilët për interesa të tyre rrezikojnë cilësinë e arsimit në Universitet e si rrjedhojë në vendin tonë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 shkurt 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, shqyrton Projektligjin për Sigurinë e përgjithshme të produkteve. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)
    
- Përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raportojnë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me Raportin e Auditimit për të “Hyrat nga Qiraja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 10:00)
    
- Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë mban tryezë diskutimi me temën: “Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës – progresi në zbatimin e tij”. (Hotel Sirius, ora 10:00)    

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare me pikat e pa përfunduar. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-së, ora 13:30)
    
- Organizata paditëse GLPS dhe një qytetare e Republikës së Kosovës do të paraqesin Padi për konflikt administrativ për refuzimin e kompensimit për personin paraplegjik dhe tetraplegjik. (Pallati i Drejtësisë, Ndërtesa A, ora 14:00)

- Federata e Futbollit e Kosovës mbledh të gjitha klubet e Superligës së Kosovës në një ngjarje të veçantë, ku fituesit e fushatës së nisur javë më parë në rrjetet sociale do të shpërblehen me fanella të nënshkruara nga vet lojtarët e ekipeve të ndryshme. (Kati i parë në Albi Mall, ora 18:00)

- Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) organizon hapjen e ekspozitës së përkohshme të veprës “Albumi familjar – Mes kujtimit dhe realitetit” (Family Album – Between Recollection and Reality) nga Alban Muja, e cila do të pasohet me një bisedë me artistin. (Vendi: Qendra e Dokumentimit, Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, Dardani, ora 19:00)