26 Prill 2024

Buja: Po bëjmë përpjekje maksimale për avancimin e sistemit të AAP-së

Prishtinë, 22 maj - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka marrë pjesë në hapjen e seminarit dyditor “Rishikimi dhe zbatimi i Sistemit Evropian të Kredive i Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Sistemin e AAP-së në Kosovë”.

Ky seminar është organizuar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve me përkrahjen e “DVV Internacional” me qëllim që të zhvillohen mekanizmat zbatues duke u mbështetur në rekomandimet e Sistemit Evropian të Kredive për Arsim dhe Aftësim Profesional.

Për herë të parë në Kosovë, seminari po udhëheqet nga ekspertët e ekipit të Rrjetit Evropian për Sistem të Kredive në AAP “SEKAAP” dhe do të sigurojë informacione dhe trajnime në lidhje me procedurat dhe proceset për implementimin e kritereve të SEKAAP bazuar në rekomandimet e dala nga KE për zbatimin e sistemit “SEKAAP” dhe praktikat të ndryshme evropiane.

Ministri Ramë Buja, me këtë rast tha se ndjehet i nderuar që gjendet në këtë seminar, për faktin e sukseseve të arritura në këtë lëmi, ndërsa theksoi se po bëjmë përpjekje maksimale për të realizuar synimin e përbashkët për avancimin e sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional.

Ministri Buja përmendi faktin se tashmë është miratuar Ligji për arsim dhe aftësim profesional dhe ai për të rritur, ndërsa tha se MAShT po bën hapat e fundit të nismës për themelimin e Agjencionit për Arsim dhe Aftësim Profesional.

“Kështu ne do të hyjmë në hap serioz me vendet e zhvilluara të këtij sektori të arsimit dhe aftësimit profesional. Po marrim përvojën e më të mirëve dhe natyrisht, kjo do të na shërbejë për të mirë. Kemi marrë përvojën e shtetit mik gjerman dhe kemi sygjerimet dhe preferencat e Komisionit Evropian që i çmojmë shumë”, tha ministri Buja.

Ministri i Arsimit theksoi se ky seminar për kreditë e AAP-së është shumë i nevojshëm që Kosovës t’i sjellë përvojë të re në këtë segment. “Unë jam i nderuar që gjendem në mesin e njerëzve profesionist që dinë çfarë bëjnë dhe çfarë duan për të realizuar më të mirën në arsimin dhe aftësimin profesional, andaj me ndjenjën më të mirë ju uroj që të keni sukses të plotë”, tha ministri Buja.

Ndërsa, Ragip Gjoshi, kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, foli për punën që ka bërë deri tani Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve si dhe për Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve.

“Me qëllim të rritjes së cilësisë në arsim dhe që kualifikimet profesionale të orjentohen kah nevojat e tregut të punës është aprovuar sistemi i kualifikimeve në kuadër të kësaj Kornize”, tha ai, ndërsa falenderoi edhe partnerët zhvillimor që ndihmojnë në këtë drejtim.

Teuta Danuza, drejtore e Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve theksoi se Rrjeti Evropian për Sistem të Kredive në AAP “SEKAAP” përbëhet nga përfaqësuesit shtetëror të shteteve anëtare të BE-së, partnerët socialë evropianë dhe ofruesit e  AAP-së dhe ka për qëllim të mbështet të gjithë palët e interesit në implementimin e rekomandimeve te dala nga Komisioni Evropian (KE) për Sistem të Kredive për AAP.

Pra, rrjeti është  mekanizëm i dalë nga KE dhe mbështet palët e interesit të AAP-së në Shtetet Anëtare të BE-së për përmbushjen e rekomandimeve të vendosura nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli për implementimin e sistemit “SEKAAP”.

Znj. Danuza tha se ky nivel i seminarit mbahet vetëm në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, por që në rastin e Kosovës është bërë një përjashtim me qëllim të avancimit në hap me vendet tjera sa i përket zbatimit të Sistemit Evropian të Kredive.

Përfaqësuesit e SEKAAP Didier Gelibert dhe Kosta Artur shprehën kënaqësinë që janë në vendin tonë dhe që mund të japin kontributin e tyre në të mirë të arsimit në Kosovë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)