29 Mars 2024

Bashkëpunimi në fushën e arsimit me shtetin gjerman, i nevojshëm për Kosovën

Prishtinë, 16 korrik - “Shkëmbimi i nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve me institucionet e njohura gjermane është veprim i duhur dhe Qeveria e Kosovës mbështet nisma të tilla, që kanë për qëllim ngritjen e nivelit të arsimit në vend”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim Kerstin Zielosko-Labonte, zyrtare e Lartë nga Ministria e Kulturës dhe Sportit nga Baden Wurttemberg i Gjermanisë dhe koordinatore e projekteve në fushën e arsimit, Gjermani-Kosovë.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj e ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e gjithanshme që i ka dhënë Kosovës në shtetndërtim, veçmas në fushën e arsimit përmes memorandumeve të bashkëpunimit ndërmjet dyja vendeve, memorandume këto që kanë dhënë rezultate në këmbimin e përvojave dhe njohurive të shumë nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve nga shumë Komuna të Kosovës.

“Nxënësi i Kosovës është edhe i Gjermanisë, është nxënës evropian. Ky është orientimi ynë dhe çdo nismë për të fuqizuar këtë do të përkrahet nga Qeveria e vendit”, ka thënë Kryeministri Haradinaj, duke e falënderuar zonjën Labonte për marrëveshjet e deritashme dhe duke e inkurajuar që të ndodhin edhe të tjera, si ajo mes Education Unlimited dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj, theksoi nevojën e mëtutjeshme për mbështetjen e Gjermanisë në arsim, shkëmbimin e përvojave, në ngritjen e shkollave profesionale, në mënyrë që nxënësit të jenë të përgatitur për tregun e punës dhe fusha të tjera që kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë.

Ndërkaq, Kerstin Zielosko-Labonte, zyrtare e Lartë nga Ministria e Kulturës dhe Sportit e Baden Wurttemberg, vlerësoi progresin në Kosovë, duke ofruar mbështetjen e mëtutjeshme për Kosovën, me theks në fushën e arsimit, trajnimin e nxënësve, studentëve dhe mësuesve në programe specifike, organizmin e kampingjeve verore për nxënësit dhe të rinjtë në disa komuna të Kosovës.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)