19 Prill 2024

Austria premton përkrahjen e arsimit në Kosovë

Prishtinë, 24 tetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja, gjatë vizitës zyrtare në Vjenë, sot është takuar me ministrin federal për Shkencë dhe Hulumtim të Austrisë, Prof.Dr. Karlheinz Tochetrle.

 Të dy ministrat e njoftuan njëri- tjetrin për gjendjen e arsimit në shtetet e tyre, ndërkaq ministri Buja e falënderoi përzemërsisht për gjithë ndihmën që Austria ka dhënë në fushën e arsimit. Ministri austriak për Shkencë shprehi gatishmërinë e plotë që bashkëpunimi mes dy shteteve të thellohet më shumë edhe në të ardhmen.

Ai ka thënë se Austria është e gatshme ta ndihmojë Kosovën në fushën e arsimit. Të dy ministrat kanë biseduar me theks të veçantë për arsimin dhe aftësimin profesional, akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, procesin e Bolonjes, shkencën dhe hulumtimin, qendrën NARIC, etj.

Ministri Buja ka ftuar ministrin austriak për Shkencë dhe Hulumtim që ta vizitojë Kosovën, e cila ftesë është mirëpritur nga ministri Tochetrle, i cili ka premtuar që shumë shpejtë do ta vizitojë Kosovën.

Ministri Buja, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Austri, Sabri Kiqmari dhe prorektori i UP, Nuri Bexheti, sot ka marrë pjesë edhe në tryezën e rrumbullakët me përfaqësuesit e komunitetit shkencor të Austrisë, ku u diskutua për fushat e caktuara të arsimit në Kosovë, siç janë: sektori i shkollave profesionale, Agjencioni i Akreditimit të Kosovës, Qendra NARIC, procesi i Bolonjes, aktivitetet në fushën e shkencës dhe hulumtimit, etj.

Në këtë takim, ministri Buja mori mbështetjen e plotë për vazhdimësinë e projekteve austriake në Kosovë, si dhe për fillimin e projekteve të reja, ku Austria do të ndihmojë maksimalisht arsimin në Kosovë.

Ministri Buja ka vizituar edhe disa nga universitetet më të njohura të Vjenës

Gjatë vizitës që i ka bërë Universitetit të Vjenës, ministri Buja është takuar me zëvendësrektorin e Universitetit të Vjenës, Prof.Dr. Heinz Fassman, me të cilin biseduan për bashkëpunimin mes Universitetit të Vjenës dhe atij të Prishtinës.

Ministri Buja e inofrmoi udhëheqjen e këtij Universiteti për gjendjen e arsimit të lartë në Kosovë, ndërkaq të dy palët u pajtuan të lidhin një marrëveshje bashkëpunimi, marrëveshje kjo që studentëve kosovarë do t’u jepte të drejtë studimi në këtë Universitet, në nivelin master dhe Phd.

Ndërkaq, ministri Buja ka vizituar edhe Universitetin e Vjenës për Teknologji, ku nga rektorja e këtij Universiteti, Prof.Dr. Sabine Seidler, mori premtimin që shumë shpejt studentëve kosovarë do t’u krijohen kushtet për studim në këtë Universitet.

Prorektori i Universitetit të Prishtinës, Nuri Bexheti, ka thënë se Universiteti i Prishtinës është i gatshëm për çfarëdo marrëveshje që përfitojnë studentët kosovarë.

Ministri Buja mbrëmë, me organizimin e ambasadorit Sari Kiqmari, ka pas një takim me mësuesit e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Austri, si dhe me disa studentë kosovarë që studiojnë në Vjenë, me të cilët bisedoi për gjendjen e arsimit në përgjithësi e me fokus arsimin e lartë.

Ndryshe, Ministri Buja po qëndron në Austri me ftesë të ministrit federal për Shkencë dhe Hulumtim të Austrisë, Prof.Dr. Karlheinz Tochetrle. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)