26 Prill 2024

Asnjë vendim me gabime nuk ndalon fjalën e lirë

Prishtinë, 15 nëntor - Sot, Rron Gjinovci nga ORCA ka lexuar artikullin në bazë të të cilit është shkruar pjesa e raportit të Admovere, e cila me urdhër të Gjykatës Themelore të Prishtinës është ndaluar nga qarkullimi përkohësisht.

Askush nuk do ta cenoje fjalën e lirë. As një profesor, as një politikan, as një gjykatës, sepse fjala e lirë është themel i shoqërisë sonë, i kulturës evropiane të cilës i përkasim dhe liri e pacenueshme. Është nga ato liritë dhe të drejtat për të cilat ia vlen të vdesësh.

Ne jemi sot këtu që ta sfidojmë censurën. Jemi këtu që të protestojmë kundër vendimit të gjykatësit Adnan Konushevci i Gjykatës Themelore i cili ia ndalon përkohësisht nga qarkullimi organizatës Admovere pjesën e raportit që flet për plagjiaturën e Mejdi Bektashit, profesor në Fakultetin Juridik. Jemi këtu për ta mbrojtur interesin publik, e ai interes është që publiku të informohet rreth shërbimeve që merr nga institucioni publik përmes atyre që paguhen me paranë publike.

Gjykatësi Adnan Konushevci në mënyrë absurde e ka urdhëruar Admovere-n që ta tërheqë nga qarkullimi pjesën e raportit të tyre “Stafi Akademik i UP-së” që flet për plagjiaturën e Mejdi Bektashit, ndërkohë që i gjithë teksti i raportit të Admovere i referohet një artikulli të Gazetës Express të vitit 2007.

Si qenka e mundur që të censurohet një raport në emër të një padije për shpifje, ndonëse raporti bazohet në një artikull publik, në një artikull që asnjëherë asnjë institucion nuk e ka cilësuar si shpifje. Kjo përbën sulm mbi fjalën e lirë, mbi mediet në Kosovë dhe mbi të gjithë hulumtuesit që synojnë ta shpalosin të vërtetën për ndodhitë brenda institucioneve publike.

Nëse kjo qenka bërë e mundur, atëherë është e mundur për një qytetar të Republikës të lexojë një artikull publikisht, sepse këtë s’mund ta ndalojë asnjë gjykatë me asnjë vendim. Nga sot ORCA do lexojë rregullisht këtë artikull, derisa Gjykata e Apelit ta rrëzojë vendimin absurd të gjykatësit Adnan Konushevci.

Ia bëjmë me dije secilit që mendon se mund të na heshtë apo të na zmbrapsë, se me çfarëdo mjeti që vendosni ta bëni këtë do t’ju kthehet veç kundër jush, edhe më keq se që mund ta keni imagjinuar ndonjëherë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)