20 Prill 2024

Asnjë kolegj s'bëhet universitet

Prishtinë, 22 maj - Asnjë nga Bartësit Privat të Arsimit të Lartë as këtë vit nuk i plotësojnë kushtet të akreditohen si universitet.


Ferdije Zhushi-Etemi, drejtoreshë e Këshillit Kombëtar të Cilësisë, ka thënë se asnjë nga kolegjet që veprojnë në Kosovë nuk i kanë arritur kriteret e parapara me Ligj për Arsimin e Lartë që të akreditohen universitet. “Sipas Ligjit të Arsimit të Lartë në fuqi, asnjë kolegj pas këtij procesi nuk mund të arrijë të akreditohet si universitet.

Për ta arritur këtë nivel kolegjet duhet të akreditohen në pesë fusha të ndryshme të programeve të doktoratës që, sipas kapaciteteve ekzistuese për hulumtime shkencore, këto institucione tani për tani nuk mund ta arrijnë këtë kriter”, ka thënë për “Epokën e re”, Zhushi-Etemi.
 
Ajo ka treguar se vizitat e ekipeve të ekspertëve të akreditimit në institucione kanë filluar në muajin shkurt 2013 dhe se deri tani janë kryer në një numër të konsiderueshëm.

“Kanë mbetur edhe disa institucione për t’u vizituar në dy javët në vazhdim. Planifikojmë që të gjitha vizitat të përfundojnë deri më 10 qershor”, ka treguar Zhushi-Etemi.
 
Etemi është shprehur se në proces të akreditimit dhe riakreditimit janë disa programe të studimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universitetit të Prizrenit dhe Universitetit të Pejës. Ndërsa të gjitha kolegjet, me dy-tri përjashtime, janë në proces të riakreditimit institucional dhe të programeve.

“Përveç këtyre, kemi edhe dy aplikacione për themelimin e institucioneve të reja. Universitet e reja publike do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit konform LAL, pasi të ratifikohet vendimi për themelim dhe statutet e tyre në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ajo, duke shtuar se ky është procesi më i madh që Agjencia e Kosovës për Akreditim ka realizuar që prej themelimit të saj.
 
Ajo ka bërë me dije se shumica e institucioneve i kanë përmbushur kriteret e përcaktuara të akreditimit. Edhe pse këtë vit, sipas saj, në krahasim me vitet e kaluara është vërejtur një progres, në disa çështje ende duhet të punohet shumë për ta arritur nivelin e dëshiruar. Zhushi-Etemi ka thënë se në rastet kur nuk përmbushet minimumi i kërkuar i cilësisë nuk do të ketë akreditim të institucionit ose programit.

Ajo ka treguar se disa nga fakultetet e UP-së që janë në riakreditim të programeve të nivelit bachelor dhe master kanë aplikuar edhe për akreditim të programeve të doktoratës siç janë: Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN), Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës (FNA), Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM) dhe Fakulteti Filozofik. Rezultatet do të shpallen në mbledhjen e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të paraparë më 3 korrik 2013.(Epoka e re)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)