08 Shkurt 2023

Asambletë e Fëmijëve kërkojnë sigurimin e teksteve shkollore për të gjithë nxënësit

Prishtinë, 21 tetor -  Grupi i fëmijëve “ROR” dhe Asambletë Komunale të Fëmijëve shprehin shqetësimin në lidhje me mungesën e teksteve shkollore në disa shkolla të Kosovës.

"Pavarësisht që procesi mësimor ka filluar para pothuajse një muaji, ne si zë përfaqësues i fëmijëve të Kosovës, vazhdimisht jemi duke pranuar informata, kërkesa dhe ankesa të nxënësve dhe prindërve lidhur me mungesën e teksteve shkollore për nxënësit e arsimit parauniversitar (të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët)", thekson ROR.  

Mungesa e teksteve shkollore dhe vonesat në shpërndarje të tyre sipas ROR paraqesin shkelje të detyrimeve pozitive të shtetit për mbrojtjen e të drejtës për edukim; tregojnë moskoordinim të zinxhirit të institucioneve arsimore dhe shkaktojnë pasoja të shumëfishta te nxënësit.

Ministria e Arsimit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit kanë obligime ligjore që të sigurojnë dhe të shpërndajnë tekstet mësimore brenda afateve të përcaktuara me Ligj dhe udhëzuesit administrativ.

Rrjedhimisht, ROR konsideron se dështimi i tyre për t’u ofruar nxënësve tekstet shkollore në fillim të vitit shkollor nuk paraqet vetëm shkelje ligjore, por edhe shkelje të detyrimit të shtetit që fëmijëve t’u sigurojë të drejtën në arsim falas.

"Nuk mund të ketë justifikime, shfajësime apo fajësime nga cilido institucion për një proces rutinë dhe të afatizuar nga ligji."

"Duke marrë parasysh situatën me pandeminë dhe mënyrën e jashtëzakonshme të realizimit të procesit mësimor, sigurimi i teksteve shkollore është barra e fundit për të cilën nxënësit do duhej të brengoseshin", nenvizon ROR.

Në një situatë të tillë, mungesa e tyre shton edhe më tepër ankthin dhe stresin tek fëmijët dhe rritë barrën financiare të familjeve për t’i pajisur fëmijët me tekstet e nevojshme.

ROR vlerëson se me vonesën e shpërndarjes, klasët në mungesë të teksteve janë të detyruara që mësimin ta shtyejnë apo ta zhvillojnë në mënyrë sipërfaqësore pa tekste, çka u pamundëson nxënësve përgatitjet e nevojshme; ta realizojnë në mënyrë diskriminuese për nxënësit që kanë libra dhe ata që nuk kanë ose janë detyruar t’i blejnë vetë.

Të gjitha opsionet janë kundër fëmijës dhe insitucionet duhet të kenë pasur parasysh paraprakisht pasojat te fëmijët nga mosveprimet apo veprimet joefikase.  

Grupi ROR dhe Asambletë Komunale të Fëmijëve të Kosovës edhe një herë u bëjnë thirrje urgjente të gjitha institucioneve arsimore kompetente për sigurimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore që sa më shpejtë dhe pa vonesa të sigurohen tekstet mësimore për fëmijët.

"Ne shprehim gatishmërinë që të bashkëpunojmë në çfarëdo aspekti që kërkohet. Poashtu, kërkojmë nga institucionet që urgjentisht të rishikojnë udhëzimet administrative lidhur me pajisjen dhe ruajtjen e teksteve shkollore, e bashkë me fëmijët të gjejnë një zgjidhje kreative për kthimin e teksteve shkollore paraprake nga nxënësit, si problem i identifikuar dhe i pazgjidhur për tash shumë vite", deklaron në fund ROR.   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 shkurt 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, shqyrton Projektligjin për Sigurinë e përgjithshme të produkteve. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)
    
- Përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raportojnë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me Raportin e Auditimit për të “Hyrat nga Qiraja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 10:00)
    
- Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë mban tryezë diskutimi me temën: “Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës – progresi në zbatimin e tij”. (Hotel Sirius, ora 10:00)    

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare me pikat e pa përfunduar. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-së, ora 13:30)
    
- Organizata paditëse GLPS dhe një qytetare e Republikës së Kosovës do të paraqesin Padi për konflikt administrativ për refuzimin e kompensimit për personin paraplegjik dhe tetraplegjik. (Pallati i Drejtësisë, Ndërtesa A, ora 14:00)

- Federata e Futbollit e Kosovës mbledh të gjitha klubet e Superligës së Kosovës në një ngjarje të veçantë, ku fituesit e fushatës së nisur javë më parë në rrjetet sociale do të shpërblehen me fanella të nënshkruara nga vet lojtarët e ekipeve të ndryshme. (Kati i parë në Albi Mall, ora 18:00)

- Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) organizon hapjen e ekspozitës së përkohshme të veprës “Albumi familjar – Mes kujtimit dhe realitetit” (Family Album – Between Recollection and Reality) nga Alban Muja, e cila do të pasohet me një bisedë me artistin. (Vendi: Qendra e Dokumentimit, Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, Dardani, ora 19:00)