24 Prill 2024

Arsimtarët në grevë, ministri Bytyqi i zënë me punësimin e familjarëve të gruas së tij

Prishtinë, 19 janar - Kriza në arsim po vjen duke u thelluar, pas grevës së përgjithshme të arsimtarëve, derisa Ministria e Arsimit nuk po arrin të gjejë një ujdi me arsimtarët për kërkesat e tyre të ligjshme.

Në vend se të merret me problemet në arsim, ministri Shqyiri Bytyqi po del të jetë më tepër i zënë me agjendën e punësimeve familjare jo vetëm në ministrinë të cilën ai e drejton, por edhe në institucionet e tjera të Republikës së Kosovës.

Ministri Bytyqi po tregohet mjaft i kujdesshëm për t’i rehatuar edhe të afërmit e bashkëshortes së tij. Kështu më herët kishte punësuar një prej tyre në ministrinë të cilën ai vetë e drejton, kurse tani ka rehatuar edhe djalin e motrës së bashkëshortes në Ministrinë e Diasporës.

Mirlind Hyseni është punësuar në këtë ministri si staf civil. Duhet kujtuar se ushtruese e detyrës së sekretares në këtë ministri është Shyhrete Gosalci, e cila po ashtu është ‘e porositur’ nga partia e njëjtë me ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqin. Zonja Gosalci është ish-kandidate e Nismës Socialdemokrate për deputete në zgjedhjet e vitit 2014.

Gazeta Alo i ka dërguar pyetje Ministrisë së Arsimit për ndikimet që po ushtron ministri Bytyqi në konkurset publike nëpër institucione, por nuk kanë kthyer përgjigje. Njëlloj nuk janë përgjigjur as Ministria e Diasporës.

Më herët Gazeta Alo ka raportuar për punësimet partiake dhe familjare në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Një prej tyre ishte po ashtu djali tjetër i motrës së bashkëshortes, Milot Hyseni. Edhe ky është punësuar me një projekt të jashtëm përkohësisht, para se të rehatohet me kontratë afatgjate. Me punësime të tilla, po shkelet e drejta ligjore dhe kushtetuese për mundësi të barabarta me rastin e rekrutimit të stafit civil në institucionet e Republikës së Kosovës.

Nisma po tregohet më e shkathtë në punësimet mbi baza partiake dhe të nepotizmit, që janë antiligjore dhe antikushtetuese. Partia Nisma erdhi në pushtet falë një koalicioni të gjerë, duke qenë partia me më pak vota.

Ndërsa një prej premtimeve të saj në fushatën zgjedhore ishte edhe punësimi i nga një anëtari të familjes për çdo familje që nuk ka asnjë të punësuar. Por, kjo moto duket se ka devijuar në punësimin e sa më shumë familjarëve të ministrave. Së paku kjo ka ndodhur me rastin e punësimit të të afërmve të bashkëshortes së ministrit Shyqiri Bytyqi.

Në rastin e punësimit të Mirlind Hysenit në Ministrinë e Diasporës, burimet bëjnë me dije se ai fillimisht është angazhuar me kontratë mbi vepër, kurse më pas është sistemuar si staf i rregullt civil në administratën e kësaj ministrie. Hyseni tani ushtron detyrën si ndihmës përgjegjës i bazës së të dhënave në Ministri. Përndryshe, në ueb-faqen e Ministrisë nuk figuron fare konkursi për këtë vend pune.

Ndryshe, punësimet familjare të ministrit Shyqiri Bytyqi vijnë pikërisht në periudhën kur gjendja në arsim është më e keqja në krejt këto vitet e fundit.

Arsimtarët kanë paralajmëruar një grevë të zgjatur, diçka që nuk e kanë bërë në të kaluarën dhe procesi mësimor mund të ndërpritet me javë nëse jo me muaj. Grevës së arsimtarëve tani ka paralajmërime t’i bashkëngjiten edhe stafi i administratës së universitetit publik ‘Hasan Prishtina’, apo edhe universiteteve të tjera publike në vend. Edhe gjendja e përgjithshme e arsimit në vend është tepër e keqe dhe këtë e tregon më së miri rezultati i dobët në PISA.

Por për ministrin e arsimit nuk është prioritet arsimi. Pakënaqësitë janë të shumanshme. Kështu para dy ditësh para dyerve të Ministrisë kanë protestuar një grup i studentëve të Universitetit të Prizrenit, kundër emërimeve partiake në bordin e këtij universiteti që po e dëmton rritën akademike të këtij universiteti që është në hapat e parë të tij.

/Gazeta Alo/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)