12 Korrik 2020

Arsimi i Lartë dhe Shkenca përfitojnë rreth 2 milion euro

Prishtinë, 16 dhjetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja dhe përfaqësuesi i Agjencionit për Zhvillim i Austrisë, Christian Geosits, kanë nënshkruar sot Marrëveshje Mirëkuptimi për financimin e projektit “Promovimi i zhvillimit institucional në Arsimin e Lartë dhe Shkencë në Kosovë”, sipas të cilës, institucionet e arsimit të lartë përfitojnë rreth 2 milion euro. 


Ministri Buja, me këtë rast theksoi se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme dhe ka një ndikim shumë domethënës për institucionet e arsimit të lartë. Ai theksoi se programi është i fokusuar në tri komponente kryesore: cilësia në arsimin e lartë, promovimi i kërkimit shkencor dhe ngritja e kapaciteteve institucionale në menaxhim dhe qeverisje. “Këto edhe janë pikat ku ne si Ministri jemi të fokusuar, prandaj kjo është një ndihmë shumë e rëndësishme”, theksoi ministri.

Ministri Buja falenderioi shtetin austriak për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, e në veqanti falenderoi Agjencionin Austriak për Zhvillim për ndihmën e pakursyer për arsimin kosovar.

Ndërsa, konsulli i Ambasadës së Austrisë në Kosovë, Hubert Beidinger, theksoi se shteti i tij ka filluar ta përkrahë arsimin kosovar qysh në vitet e 90-ta, ndërsa theksoi se sot sillet eksperienca austriake në Kosovë, ku përfshihen universitetet dhe studentët. “Me këtë marrëveshje përkrahet modernizimi i arsimit të lartë, respektivisht agjencionet që sigurojnë cilësinë dhe e tërë Kosova do të përfitojë nga kjo ndihmë”, tha ai.

Kohëzgjatja e programit sillet rreth tri (3) vite (minimumi 36 muaj dhe maksimumi 48 muaj), duke filluar në fillim të vitit 2012.

Kostoja e programit sillet në 1,924,500.00 euro, ku MASHT kontribon me 175,000.00 euro (e cila shumë paguhet më 2012 me 100,000 euro dhe më 2013 me 75,000 euro), dhe ADA kontribon me 1,749,500.00 euro.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 Korrik 2020

- Kryeministri Avdullah Hoti do të mbajë konferencë për medie. (Oborri i Qeverisë, ora 16:00)