11 Gusht 2022

Arsimi cilësor është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin Kosovës

Prizren, 3 korrik - Arsimi cilësor është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të Olimpiadës së Tretë Matematike Kosovë-Shqipëri për Klasat VII-IX.

Ne duhet të synojmë të frymëzojmë qysh herët tek nxënësit ndërveprimin me konceptet e shkencës, duke nxitur garë ndërmjet ekipeve edhe shkollave. Olimpiada që mbahet sot e jep një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim, tha kryeministri.

Kjo olimpiadë i kontribuon ndërtimit të urave të bashkëpunimit mbarëkombëtar në fushën e dijes dhe të shkencës, shtoi ai.

Para nxënësve e nxënëseve garues në këtë garë, kryeministri tha se njohuritë në matematikë që fitohen gjatë shkollimit do të jenë një aset i rëndësishëm jetësor që do t’u hapin rrugë për studime dhe zhvillim profesional, pavarësisht fushës dhe profesionit që do ta zgjedhin.

Kryeministri Kurti theksoi se në arsim, si edhe në fushat tjera të qeverisjes, një nga parimet kryesore në të cilat mbështetet Qeveria është ai i gjithpërfshirjes. Në programin tonë qeverisës, jemi zotuar që të avancojmë barazinë në çdo aspekt, potencoi ai.

Duke theksuar se stereotipet diskriminuese gjinore vazhdojnë t’ua mohojnë vajzave dhe grave qasjen e barabartë për të bërë karrierë në shkencë, kryeministri tha se Qeveria do të vazhdojë të punojë për të avancuar vajzat dhe gratë në shkencë, teknologji dhe inovacion, për të mbyllur hendekun ekzistues gjinor.

Për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë, në vitin aktual akademik, ne kemi ndarë 1365 bursa universitare për vajzat në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, apo siç njihet ndryshe STEM, tha kryeministri.

Ai tha se strategjia e re e arsimit adreson nevojat për zhvillimin e sektorit të arsimit në 5 vitet e ardhshme.

Strategjia parasheh intervenime rrënjësore për zhvillimin e arsimit në të gjitha nivelet, duke u bazuar në orientimet kyçe programore të qeverisë, e që janë: arsimi cilësor gjithëpërfshirës dhe i digjitalizuar; harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me kërkesat e tregut të punës; menaxhimi efektiv i sistemit të arsimit në të gjitha nivelet; arsimi i lartë me cilësi dhe integritet, në harmoni me standardet ndërkombëtare; dhe përmirësimi i mjedisit për kërkime dhe inovacion.

 Olimpiada e Tretë Matematike Kosovë-Shqipëri për Klasat VII-IX,  është organizim i përbashkët i shoqatave të matematikanëve të Kosovës dhe të Shqipërisë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 gusht 2022

- Handikos organizon ceremoninë e shpërndarjes së 70 karrocave për personat me aftësi të kufizuara, donacion nga Izraeli, ku do të marrin pjesë ambasadorja e Izraelit, znj. Tammy Ziv, ministrja e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë,  znj. Donika Gërvalla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. (Qendra e Resurseve për Personat me Aftësi të Kufizuara Adresa: Veternik, ora 10:00)

- Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës mban konferencë për media. (Selia qendrore e Vetëvendosjes, ora 11:00)

- Në qytetin e Vushtrrisë organizohet Akademia Verore "Arbën Xhaferi‘’ edicioni i II-të. (Kalaja e Vjetër të Vushtrrisë, ora 17:00)