20 Prill 2024

100,000 dollarë për shkëmbimin e bursistëve Kosovë-SHBA

Prishtinë, 15 tetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë vendim për ndarjen e shumës prej 100.000 dollarëve, në mbështetje të programit të shkëmbimit të bursistëve ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës.

Ky vendim pason Memorandumin e Mirëkuptimit për programin akademik të shkëmbimit “Fulbright”, i cili është nënshkruar ndërmjet Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ish-Ambasadorit Amerikan në Kosovë, Christopher Dell, në maj të këtij viti.

Ky memorandum ka për synim vazhdimin e programit, i cili ndër vite shënoi shkëmbim shumë të suksesshëm të dhjetëra bursistëve, ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Ai përfshin pjesëmarrjen e Qeverisë së Kosovës në financimin e shkëmbimit, duke kontribuar me nga 100.000 dollarë në vit, në tre vjetët e ardhshëm.
 
Kandidatët përzgjidhen bazuar në potencialin e tyre për të udhëhequr dhe për të marrë pjesë në programin “Fulbright” për të shkëmbyer ide, për të vrojtuar institucionet politike, kulturore dhe ekonomike të njëri-tjetrit, dhe nisjen e projektit të përbashkët shumë të rëndësishëm për mirëqenien e gjithëmbarshme të qytetarit, kudo në botë.
 
Programi “Fulbright” është program kyç ndërkombëtar i shkëmbimit edukativ, që sponsorizohet nga Qeveria Amerikane dhe ka për qëllim të rrisë mirëkuptimin e ndërsjellë ndërmjet popullit amerikan dhe popujve të tjerë.
 
Programi është themeluar në vitin 1946 nga legjislacioni i paraqitur nga Senatori i ndjerë J. William Fulbright i Arkansas-it, kurse u sponsorizua nga Byroja Shtetërore e Edukimit dhe Kulturës, pranë Departamentit të Shtetit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)