20 Prill 2024

Kujt po ia len Qeveria e Kosovës barrën e pensionistëve

 Shkruar nga Florina Duli 

Një raport në përpilim e sipër i Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), gjen se të moshuarit, përballen me shkallë të lartë të varfërisë dhe me mungesë të një trajtimi adekuat social dhe si pasojë detyrohet të bëjnë jetë  jo-dinjitoze.

E gjithë situata ka një shpjegim. Që nga paslufta e deri më sot, kjo është një nga kategoritë më të neglizhuara nga institucionet përkatëse.

Pensionet e ulëta, të cilat ua pamundësojnë qasjen në shërbime shëndetësore private (në mungesë të shërbimeve shëndetësore publike), pamundësia për t’u siguruar pranë kompanive private shëndetësore, mungesa e plotë në qasje në barëra dhe materiale mjekësore falas, mungesa e qasjes në ushqim e veshmbathje të mjaftueshme,  në transport publik, e shumë rrethana të tjera e vendosin pensionistin në pozitë të pa lakmueshme. 

Komuna e Prishtinës ofron  subvencionim për transportin publik për pensionistë, por sipas pensionistëve, trajtimi që atyre u bëhet nga operatorët privat, është tejet fyes.

Përderisa, 86% për qind e pensionistëve të anketuar për qëllimet e hulumtimit të IKS, raportojnë se të ardhurat e tyre mujore nuk i mbulojnë as shpenzimet për barëra, 28 për qind e  personave të anketuar dëshmojnë se shkak i qasjes së tyre të limituar në shërbimet shëndetësore mbetet pikërisht mungesa e parave për të mbuluar ato.

Sipas të gjeturave tona,  mbi 69 për qind e pensionistëve thonë që janë kryekëput barrë e familjes kur është fjala për mbulimin e këtyre shpenzimeve.

Pas shtatëmbëdhjetë vjetëve të përfundimit të luftës, dhe 8 vjetëve pas shpalljes së Pavarësisë, Qeveria jonë, jo vetëm që nuk ka arritur të ndërtojë një sistem efikas të mbrojtjes bazike sociale, por ajo ka nisur iniciativa politike të cilat drejtpërdrejtë rrezikojnë ekzistencën fizike të kësaj grup moshe.

Iniciativa për reformimin e sistemit të pensionit bazë, ka për qëllim zvogëlimin drastik të fondeve për të mbuluar pensionin bazë, e që nëse miratohet, mund të çojë drejt shkrirjes së pensionit bazë në skemën e asistencës sociale apo edhe deri në eliminimin e tij të plotë.

Në anën tjetër iniciativa më e re ligjore, që pritet të diskutohet sot në kuvend, dhe e cila propozon ndryshime rrënjësore në menaxhimin e mjeteve të trustit pensional, rrezikon edhe pensionistët e tashëm dhe ato të gjeneratave që vijnë.

Propozimet, që në thelb janë bërë për të siguruar qasje të qeverisë te kursimet pensionale të qytetarëve  të Kosovës, në qarqe të mbyllura arsyetohen duke thënë se Trusti ka 10 Milion Euro të cilat i kanë kontribuuesit e paidentifikuar.

Edhe pse Trusti ka deklaruar se nuk ua mohon të drejtën punëtorëve që t’i kërkojnë mjetet e tyre në ATK, nëse kanë dëshmi se atyre u është paguar kontributi pensional plotësim-ndryshimi i ligjit do ua pamundësojë edhe punëdhënësve edhe punëmarrësve që t’i kërkojnë këto mjete, për të cilat ata kanë punuar.

 “Fondi në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës në vazhdimësi zhvillon aktivitete për identifikimin e kontributeve të paidentifikuara.\"

\"Në rast se për kontributet përkatëse nuk identifikohen paguesit nga ana e Fondit dhe nuk ka as lajmërim nga ana e vet paguesve deri në gjashtë (6) vjet nga viti i pagesës, atëherë Qeveria e Republikës së Kosovës e ka të drejtën e marrjes së vendimit për inkasimin e Fondeve përkatëse në Buxhetin e Republikës së Kosovës”, ky nen i është shtuar Ligjit të Trustit të Kursimeve Pensionale, përkatësisht paragrafi i 11 i Neni 7 të ligjit bazik.

Përveç kësaj ndryshime janë paralajmëruar edhe tek Neni 4, ku “Komisioni për përzgjedhje i propozon kandidatët Kuvendit për vendet e lira për emërim ose për riemërim të anëtarëve të Bordit Drejtues. Mandati i rregullt i secilit anëtar të emëruar në Bordin Drejtues zgjat katër (4) vjet, me mundësi të rizgjedhjes.

Nëse ndonjë anëtar jep dorëheqje apo largohet për shkaqe të tjera, anëtari i ri zgjidhët vetëm për mandatin e mbetur të anëtarit të dorëhequr apo të larguar.

Nëse mandati i anëtarëve të Bordit skadon dhe asnjë anëtar i ri nuk është emëruar, atëherë anëtarët e Bordit ekzistues vazhdojnë mandatin tyre vetëm për nëntëdhjetë (90) ditë”

Në Nenin 4, thuhet se Anëtarët e Bordit Drejtues marrin kompensim mujor për angazhimin e tyre, ndërsa anëtari i Qeverisë merr pesëdhjetë (50 %) të vlerës së kompensimit mujor që marrin anëtarët tjerë të Bordit Drejtues.

Këto ndryshime nuk pritet të përmirësojnë gjendjen e pensionistëve, që jo vetëm sipas hulumtimit të IKS-it por bazuar edhe në shumë hulumtime tjera, është shumë e rëndë.

Përkundrazi, ndryshimet e paralajmëruara ngërthejnë në vete shumë shqetësime. Gjithë kjo situatë të bën të pyesësh:  A po tenton, Qeveria e Kosovës që të përfitojë mjete të cilat nuk i takojnë? A është shkelje e të drejtave të njeriut që qeveria e Kosovës t’i shpenzojë mjetet e kursyera për pension të personave privat?

A po e shkel me këto ndryshime qeveria Kushtetutën e Republikës së Kosovës, gjegj. Nenin 23 mbi jetën e dinjiteteshme dhe të drejtat themelore, Nenin 24 mbi barazinë para ligjit, Nenin 25  mbi të drejtën për jetën, dhe neni 26 mbi të drejtën e Integritetit personal?


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)