23 Prill 2024

Loja politike e Maqedonisë me shqiptarët dhe Evropën

Shkruar nga Faton Abdullahu  

Sikur kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë për barazi nacionale në këtë shtet, të ishin ta zëmë këmbëngulëse dhe të ashpra ashtu disi ngjashëm sikundër kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ato të serbëve të Kosovës, apo Bosnjës, tash sa kohë problem mbi problemet, çështje mbi çështjet në Maqedoni nuk do të ishte emri i kësaj republike, as anëtarësimi në NATO, as anëtarësimi në BE, as korrupsioni, por (mos)barazia e shqiptarëve në këtë shtet.

Mirëpo për shumë arsye kështu nuk është, prandaj edhe shteti ynë fqinjë me kollajllëk ngrit prioritete të tjera e jo ato të barazisë nacionale, konkretisht ato mbi (pa) barazinë e shqiptarëve. Pse është kështu?

Kërkesat e shqiptarëve për afirmim nacional dhe barazi të plotë  në këtë shtet nuk e kanë as përkrahjen e  Shkupit zyrtarë, as nuk përkrahen nga Brukseli.

Për ato nuk po mund të angazhohen as sa duhet as drejtë edhe forcat politike shqiptare atje. Situata aktuale tash sa kohë është e tillë sa të shtyn të dyshosh e të pyetesh a janë shqiptarët vërtetët të pabarabartë në Maqedoni me maqedonasit, apo ky është një mit, një trillim, një bukulizëm nacionalist i kompozuar të shumtën në Prishtinë. Gjithsesi se kështu nuk është, ka shumë fakte që e dëshmojnë të kundërtën.

Edhe sulmi i para do ditësh me armë (përgjegjësisë për të cilën e mori me një komunikatë organizata e quajtur UÇK ) ishte brengosës dhe vërteton atë se kur një komunitet e ka të vështirë t’i realizoj të drejtat e veta institucionalisht del në rrugë dhe proteston, kur edhe kjo nuk i shkon për dore, një pjesë e pjesëtarëve të tij përdorin aksione të armatosura për kauzën e tyre.

Shqiptarët e Maqedonisë tash sa kohë të drejtat e tyre nuk po mund t’i jetësojnë në masën e duhur përmes institucioneve zyrtare të shtetit të Maqedonisë.

Arsyet janë të shumta. Përçarjet dhe interesat klanore e partiake ndërmjet forcave politike shqiptare atje gjithsesi janë disa nga ato, nacionalizmi maqedonas gjithashtu, por kjo është temë në vete. Disa herë pati edhe përpjekja që të organizohen edhe protesta në rrugë, por as këto nuk funksionuan.

Edhe këtu arsyet janë të shumta, dalja në protesta për të drejta nacionale u bë jo zakonshëm për kërkesat nacionale të shqiptarëve,  nga tempulli fetar xhamia, me risi dhe debalance në koreografinë e demonstruesve dhe në ndërlidhjen jo të zakonshme komb e fe.

Por edhe  kjo është një temë në vete. Mirëpo se ka një disproporcion ndërmjet gjendjes reale të shqiptarëve dhe reagimit të tyre për ta ndryshuar pozitivisht këtë gjendje, këtu s’ka dyshim. Çështja gjithsesi është komplekse.

Unë do të mundohem të jap përgjigje duke e deshifruar një ‘kod politik’ antishqiptarë por funksional të nacionalizmit maqedonas, konkretisht të politikës zyrtare  të Shkupit karshi pabarazisë shqiptare si çështje interne e këtij shteti dhe disa çështjeve në anën tjetër si politika eksterne të po këtij shteti.

Thjeshtë kjo ka të bëjë me politikën interne antievropiane dhe politikën eksterne evroperëndiore të Maqedonisë. Për çka e kam fjalën konkretisht?

Për kohë të gjatë, tashmë në mënyrë të përsëritur, nga Shkupi zyrtarë, është konstatuar pa hezitim, se e vetmja rrugë për Maqedoninë është integrimi në BE dhe në NATO.

Në këtë aspekt, qeveritarët nga Maqedonia, janë munduar dhe ja kanë arritur të jenë kooperativë në fusha të ndryshme, posaçërisht ju ka shkuar për dore të jenë të tillë dhe atë jo rastësisht, për sa i përket disa zhvillimeve në Ballkan, gjithsesi të ndjeshme, me çka ata janë përpjekur të jenë faktorë stabiliteti dhe paqeje në rajon.

Një nga çështjet sa të ndjeshme aq edhe të rëndësishme të ndjekjes së kësaj politike, ka qenë moskundërshtimi për një kohë të gjatë dhe më pas edhe njohja e pavarësisë së Kosovës.

 Me këtë qasje Shkupi zyrtarë edhe përkundër disponimit jo në favor të kësaj zgjidhje te një pjesë e madhe e qytetarëve të saj, është munduar të nxjerrë përfitime, duke zbatuar me përpikëri dhe konsekuencë politikën e perëndimorëve të dizajnuar në Uashington dhe.

Në këtë vazhdë edhe për problemin tjetër, gjithsesi edhe ky i ndjeshëm, atë të emrit të Maqedonisë të cilin tash sa kohë po e konteston fuqishëm fqiut tjetër gjithnjë e më problematik, Greqia, përkundër mospajtimeve, gjë që janë edhe të kuptueshme, Shkupi zyrtarë, nuk ka qenë, dhe vazhdon të mos jetë refuzues dhe kokëfortë, por përpiqet të jetë konstruktiv të bashkëpunoj dhe të ulet në tavolinën e bisedimeve për çështjen në fjalë.

Sikundër mund të shihet, tash sa kohë Shkupi zyrtarë, mundohet dhe kjo i shkon për dore që të jetë kooperativë dhe konstruktiv në zbatimin e politikës evropiane dhe evroatlantike në çështje të cilat me të drejtë mund të kualifikohen si çështje eksterne.

Thënë ndryshe ajo mbetet konstruktive dhe zbaton politikë evropiane në çështjet të cilat nuk janë drejtpërdrejtë, bile shpesh disi as tërthorazi të lidhura me problemet interne të këtij shteti e posaçërisht që nuk kanë të bëjnë me problemin primar, atë të barazisë ndërmjet dy kombeve që e përbëjnë Maqedoninë, shqiptarëve dhe maqedonasve.

Sa më e suksesshme bëhet në politikat eksterne aq më shumë i shkon për dore të mos jetë evropiane në politikat interne.

Kështu Shkupi zyrtarë, duke ndjekur politikë evropiane në çështjet eksterne, por duke i bërë lak me elegancë atyre interne që kanë të bëjnë me barazinë etnike, dhe në anën tjetër shqiptarët në Maqedoni duke u munduar të jenë kooperativë me Evropën dhe SHBA-t  të mos bëjnë kërkesa “me nguti e pa sens” për më shumë barazi - është krijuar përshtypja se atje nuk ka probleme të mëdha. Por kjo nuk është kështu.

Këtu ndryshon puna shumë, bile “Marrëveshja e Ohrit” jo që nuk është zbatuar ashtu sikundër janë marrë veshë të dyja palët, por kjo çështje gati se është harruar, thua se ajo më tani është histori e përfunduar. Dhe kjo ka ndodhur më për shkak të kësaj prirje me shumë hile të nacionalizmit maqedonas.  
 
Nëse Shkupi zyrtarë do të vazhdoj edhe më tutje me evropianizmin e saj ekstern, duke e anashkaluar atë baziken, evropianizimin intern dhe nëse shpreson se kjo qasje është e mjaftueshme për shqiptarët dhe se edhe për një kohë do t’i amortizoj kërkesat e tyre në Maqedoni për barazi, mund të ndodhë që krejt ajo që është investuar në këtë shtet edhe nga Brukseli edhe nga Uashingtoni, si përpjekje e shumanshme dhe e gjatë, të vihet në pyetje apo edhe të shpërbëhet me efekte gjithanshëm negative edhe për shqiptarët edhe për maqedonët edhe për Evropën. Kjo më së paku i duhet Maqedonisë dhe Evropës.

Prandaj duke pasur parasyshë këtë kalkulim jo të mirë të qeveritarëve maqedonas, kërkohen reagime të shpejta dhe konstruktive nga BE dhe NATO, për t’ia bërë Shkupit zyrtarë me dije se çështje mbi çështjet në Maqedoni, ka qenë dhe vazhdon të jetë barazia e shqiptarëve dhe e maqedonëve, dhe se për këtë duhet punuar drejtë, vazhdimisht e pa hile.





Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)