29 Mars 2024

Kosovës i duhet një infuzion emergjent ekonomik

Shkruar nga Ahmet Pllana

Kosova hyri në vitin 2015 edhe më keq se sa që mendohej, edhe më keq me emigrimin masiv të njerëzve, siç po thuhet “për një jetë më të mirë” apo për të gjetur shpëtim social në vendet e BE-së, sidomos në Gjermani, Francë, Austri, Zvicër dhe vende të tjera evropiane.

Kosova hyri në vitin 2015, edhe më keq se sa në vitin 2014, ndonëse tek secili qytetar i Kosovës kishte shpresa se ky vit do të jetë më i mirë se viti i kaluar, edhe pse viti i kaluar ishte shumë i dobët ekonomikisht dhe me zvoglim të 13 mijë vendeve të punës, në vend se të hapeshin 13 mijë vende të reja të punës.

Si pasojë e menaxhimit jo të qëlluar të rimëkëmbjes dhe zhvillimit ekonomik, në Kosovë mbretëron skamje dhe fukarallëk, ku gati 30% e popullatës janë buzë varfërisë dhe jetojnë sot për nesër, janë kategori sociale, përderisa 15% e tyre janë në varfëri ekstreme.

Tash po thuhet se migrimi është ndalur. Megjithatë, sidomos në katër muajt e fundit, pamjet në stacionet e autobusëve, ku shiheshin përplot njerëz duke ia mësyrë vendeve të BE-së, i kanë dhënë Kosovës një imazh të keq, i cili imazh përmes mediave vendore e të jashtme u përhap kudo në botë. Interesante ishte se kishte edhe të atillë që kanë qenë të punësuar dhe kanë lëshuar vendet e punës dhe kanë migruar, sepse me pagat e tyre nuk kanë qenë të kënaqur, ngase janë të ulëta.

I habitur opinioni ndërkombëtar pyeste: Çka po ndodhë në Kosovë, pse po ikin njerëzit? Ata tash e kanë shtetin e tyre dhe më në Kosovë nuk ka dhunë, terror e gjenocid, siç kishte përpara? Pse ikin njerëzit masovikisht, madje shumë prej tyre edhe me familje e fëmijë?

Mirëpo, të gjithë e kishin kuptuar se njerëzit e Kosovës po iknin për shkak se nuk kanë punë, se nuk kanë të ardhura, se kanë vështirësi për mbijetesë, se nuk mund të jetojnë pa të ardhura. Qe 15 vjet, prej çlirimit e deri më tash, sa i përket punësimit, Kosova nuk ka pas asnjë Strategji për Punësim. Njerëzit nuk iknin prej qejfit, por prej zorit. Nuk është e lehtë t’ia kthesh shpinën vendit tënd ku je lindur dhe rritur, por nevoja për ekzistencë i detyronte ata.

Mirëpo, duhet pranuar se emigrimin masiv e ka shkaktuar edhe propaganda e madhe që është bërë, e cila ka rrjedh nga trafikantët, të cilët kanë pasur për qëllim përfitimet e tyre. Propaganda ishte e tillë: “Është çelë udha! Posa të shkoni në vendet evropiane, do t’u japin banesë, do ta keni ushqimin falas, kurse për secilin person do t’u japin nga 380 euro”.

Të gjitha këto kanë qenë gënjeshtra, sepse ata që kanë shkuar, kanë kaluar kufirin ilegalisht maleve, kurse ata kanë treguar se shumë prej tyre i kanë vendosur në shtalla të bagëtive dhe në barraka pa kurrfarë kushtesh, se u kanë dhënë fare ngapak ushqim sa për të mos vdekur dhe asnjë para.  

Me fjalë e me apele nuk ndalet migrimi. Me fjalë janë ngopur njerëzit qe 15 vjet. Më askush nuk u beson fjalëve. Vetëm me hapje të vendeve të punës ndalet migrimi. Vendet e punës nuk mund të hapen me fjalë boshe, por me mjete financiare. Për këtë arsye krerët e udhëheqjes së Kosovës duhet t’u shpjegojnë miqëve tanë, vendeve mike, si SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, pa u ardhur keq, se vendi është në krizë, se migrimi po vazhdon, se Kosova ka nevojë për një infuzion emergjent ekonomik.    

Po të isha kryeministër i vendit, do të kërkoja nga BE-ja 2 miliardë euro dhe nga SHBA-ja 2 miliardë dollarë, që Kosovës menjëherë t’i jipej një infuzion emergjent ekonomik, për ta nxjerr vendin nga kriza sociale dhe varfëria që e ka kapluar popullatën aktualisht.

Askush nuk është duke e ditur mirë se sa në zor është popullata nga papunësia, nga gjendja e rëndë sociale dhe nga mungesa e parasë. Shumë njerëz nuk kanë para, madje as për autobus. Shpeshherë ata janë të detyruar të kërkojnë nga ndonjë mik i tyre 1 euro.

Ndihmat sociale janë të ulëta, 75 euro në muaj, pensionet janë të ulëta, 140 euro në muaj, pagat janë të ulëta, mesatarja 250 euro në muaj, kurse enegjia elektrike është e shtrenjt, por edhe shërbimet tjera komunale, sikurse tatimet, taksat doganore, produktet ushqimore, veshmbathja, etj., të cilat me shumë vështirësi po i përballojnë qytetarët, përkatësisht familjet.

Këto 4 miliardë do të duhej shpërndarë popullatës, secilit qytetar që nuk punon dhe nuk ka biznes, qoftë biznes të madh apo biznes të vogël, prej foshnjës së posalindur e deri te më i vjetri, nga njëmijë euro, kurse pjesa e mbetur e këtyre parave të shkonte në fondin për punësim, ku do të ipeshin në projekte të hapjes së fabrikave e mini-fabrikave prodhuese, të cilat do të punësonin njerëz të papunë.

Me këtë potezë emergjent, që do të ishte infuzion për shpëtim nga kriza sociale e popullatës, kriza do të tejkalohej dhe popullata do të çlirohej nga katandisja dhe do të fillonte të merrte frymë më lirshëm. Me këtë infuzion do të ngjallej gjendja sociale në vend dhe për një kohë, për më shumë se një vit do të bëhej zgjidhje, sepse ato para do të shfrytëzoheshin dhe do të hynin në punë, do të ngjallej gjithçka, madje edhe shpresa e humbur dhe zhgënjimi për mbijetesë.

Të shpresojmë që ky shkrim, si një propozim, si një shprehje e lirë e mendimit, sepse jemi shoqëri demokratike, të gjej vend dhe hapësirë tek institucionet e vendit dhe të merret më se seriozisht. E kemi shansin, ta shfrytëzojmë. Mos të mbetemi peng e gjendjes së njejtë, pa lëvizur fare nga vendi. Mos të mbetemi peng e mungesës së mendimeve dhe propozimeve për gjetjen e ndonjë modeli se si të dilet nga kriza sociale e popullatës.

Kjo krizë sociale tejkalohet me një infuzion emergjent ekonomik. Ndërsa, pas këtij infuzioni, të punohet vazhdimisht për të gjetur mënyra për të hapur vende të reja të punës. Shlyerja e borxheve deri në fund të vitit 2008 e ka lehtësuar shumë frymëmarrjen prej krizës sociale të popullatës. Ky ishte një hap shumë i qëlluar, i duhur dhe i shpejt i Qeverisë së Kosovës.

Megjithatë, kriza sociale tejkalohet vetëm me punësim, punësim dhe vetëm punësim dhe assesi me fjalë të zbrazëta e të kota. Njerëzit kërkojnë konkretizim të punëve. Ka kaluar koha e fjalëve, fjalamanëve dhe filozofive shterpe. Infuzioni emergjent ekonomik është shpëtim për dalje nga kriza sociale e popullatës. 

(Autori është gazetar i ekonomisë)        

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)