20 Prill 2024

Shumë shpjegime e pak angazhime për ndryshim

Shkruar nga Jakup Krasniqi


Për gati gjashtë muaj kishim një krizë institucionale dhe demokratike. Përkundër kësaj kishim me bollëk opinione dhe analiza që shpjegonin sesi do të duhej të vepronte kjo e ajo parti politike, ky e ai lider politik.

Pa dyshim që kishte opinione e analiza goxha të mençme dhe të pavarura intelektualist, ndonëse kishte edhe të tillë që ishin të anshëm, derisa edhe të porositura e të paguara, por ky nuk është qëllimi i shpjegimit tim.

Si ato që ishin opinione e analiza shumë të mira dhe ato të tjerat që nuk i hynin kujt në punë, pak apo aspak nuk ndikuan në ndryshimin e gjendjes, përkundrazi, gjendja jo vetëm që nuk ka ndryshuar pozitivisht, madje ajo është përkeqësuar.

Për të gjitha analizat e mira, politika i paska pasur veshët e dyllosur. Përbërja e Kabinetit qeveritar është dëshmia më e mirë e kësaj që u tha. “Opinionet” e opinionistëve të dëshirave u treguan më të sakta?!

Në një situatë të tillë është e pa mundur të mos përmendet, aksioma filozofike e Marksit në Tezat për Fojerbahun: “Filozofet nuk kanë bërë tjetër veçse e kanë shpjeguar botën në mënyra të ndryshme, por puna është që të ndryshohet ajo”.

Edhe ne, në Kosovë nuk po na mungojnë shpjegimet për gjendjen jo të mirë si në sundimin e ligjit, në zhvillimin ekonomik, në zhvillimin demokratik, në arsim dhe shëndetësi e drejtësi sociale, por gjendja nuk po ndryshon, ndërsa gjendja duhet të ndryshohet, ndoshta edhe me masa emergjente.

Kjo gjendje nuk ndryshon, duke numëruar në vend, por duke vepruar mbi bazën e një plani mirë të organizuar e të planifikuar. Sa jemi të gatshëm ta fillojmë e ta realizojmë ndryshimin?!

Nga ajo që kemi parë e dëgjuar gjatë këtyre viteve, nuk mund të themi se nuk kemi njerëz të dijshëm e të përkushtuar, njerëz që i njohin gjerat e që janë ekspertë të mirë, njerëz që edhe mund të jenë menaxher të mirë, por krejt çështja është si te vendosen ata në vendet e duhura.

Deri tani, gjatë gjithë viteve të lirisë e të pavarësisë, ketë nuk e ka arritur asnjë parti e lider politik pa përjashtim.

Këta të fundit, gjatë gjithë këtyre viteve, mbi të gjitha kanë qenë të interesuar, ta rehatojnë veten e tyre dhe të afërmit e te dëgjueshmit e tyre. Kjo, ndoshta në mënyrën më të qartë u pa edhe në krijimin e ekzekutivit të “ri” të Kosovës.

Nuk ka dyshim se ky Kabinet qeveritar, nuk është konstruktuar për t’i zgjedhur problemet që i kanë e që duhet t’i zgjidhin qytetarët e Kosovës.

Po të veprohej në futbollin evropianë si veprohet në politikën tonë, futbolli nuk do të bëhej industri siç është bërë dhe stadiumet do të mbeteshin të boshatisura! Pra, askush nuk do të ishte i interesuar ta shikoj një ndeshje futbolli, madje as ne TV.

Sipas të gjitha gjasave, edhe qeveria e re, për prioritet te prioriteteve do t’i ketë: Formimin e Gjykatës Speciale, realizimin e Marrëveshjeve të arritura në Bruksel me Serbinë dhe vazhdimin e dialogut me Beogradin.

 Çështjet tjera, nuk janë prioritet i këtij koalicioni qeverisës!? Qytetarët le të gjinden si dinë dhe si mundin! E rëndësishme është rehatimi i ndonjë ministri a ministre që po “sakrifikohet” duke u bërë anëtar/e i/e qeverisë?!

Nëse duhet rehatimi i ndonjë  akrabaje apo blerja e paqes me të pa kënaqurit, pse mos të shtohet numri i zëvendësministrave.

Sigurisht që e rëndësishme për ne është edhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, por assesi të jetë prioritet mbi prioritetet tjera jetike për Kosovën dhe qytetarët e saj, siç janë zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, arsimi, shëndetësia etj.

Analistëve e opinionistëve një porosi: Me analiza e opinione të mira, e as shumë të mira, nuk po ndryshohet jeta institucionale dhe as jeta e qytetarëve të Kosovës, prandaj rreshtohu aty ku mund t’i bëni ndryshimet! Ndryshimet mund të bëhen vetëm me organizimin e mirëfilltë politik.

Ky organizim politik që kemi nuk është ai që i duhet vendit tonë. Andaj kërkohet një rirreshtim e bashkim ndryshe politik në Republikën e Kosovës.

Ky rirreshtim duhet të bëhet nga energjitë pozitive të gjeneratës së lirisë e të pavarësisë së Kosovës, të bashkuar me njerëzit  që me vete sjellin përvojën praktike të organizimit politik.

Gjithsesi bartësit e rirreshtimit duhet të jenë, njerëzit me dije, vullnete dhe energji të reja për ndryshim, njerëz që e duan pa hile vendin dhe popullin e vet.

Duhet ta themi edhe ketë, ndryshimet nuk mund t’i sjellin as njerëzit që yshten a mbështeten nga kushdo nga jashtë. Edhe ketë e kemi pasur mundësin ta shohim sa herë deri më tani.

Nga strukturat ekzistuese te politikës sonë, ka vetëm riciklime banale, si këto të 8 e 9 dhjetorit 2014! Pasi edhe ajo që mund të duket si ndryshim, s’është gjë tjetër veçse mashtrim?!

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)