28 Mars 2024

Zogjtë e qyqes

Shkruarr nga Xhevdet Fetahaj - Jeffy

Ditët, si ditët ikin e vijnë duke formuar javë e javët muaj, e këta muajt e fundit të ashtuquajturin ngërç politik.


Duke shqyrtuar e analizuar me vëmendje “Fluturimin mbi folenë e qyqes”, për pak minuta u ndala tek analiza pediatrike e prejardhjes së fjalës ngërç, por më doli “kapuç me maje”, ngase ky ngërçi kishte kuptimin për ta ndihmuar një foshnjë që ta kryente nevojën e madhe fiziologjike. Pastaj kishte të atillë ngërçesh që kishin të bëjnë me notin etj.

Foshnjat tona të politikës, po t’i ndihmosh në tejkalimin e ngërçit, gjithmonë duke iu referuar analizës pediatrike, ka rrezik se do ta bëjnë (...) dhe pastaj të gjithë do ta kuptojnë nga aroma e fëlliqtë, që do ta lënë pas!


Meqë po më dhimbset Kosova, sepse e kërcënon “Dimri i vetmisë së madhe”, jam i mendimit që ajo mos të mbetet “Qyqe në rremë”, sepse edhe pse “Ushtoi mali se polli një mi”, sërish toka “e tharë” e vendit tonë ka nevojë për borë, pas këtij shiu e vërshimeve me ujëra turbullta nga mbeturinat.

“Bije borë fjolla, fjolla”, kaq mirë niste njëherë e një kohë një vjershë që na mësonte se duhej të kapeshim bashkë dorë për dore, sepse “na priste shkolla”.

Shkolla na priste për të marrë edukate e dije, ndërsa sfidë gjithmonë mbeste rruga e ngrirë plotë akull. Të vegjël e të pafajshëm, kapur dorë për dore, ne ia dilnim të shkonim në shkollë, bile me hundë të skuqur si spec, me plotë krenari para mësueses e recitonim vjershën, që për mesazh të fundit kishte se bëmë çfarë bëmë, verë apo dimër, ne ia dilnim që të shkonim në shkollë.

Në tokën e pazotë tek çapitesha për të shkuar te “Lumi i vdekur” hasa në “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”. Toka e pazotë, lumi i vdekur, ushtria e vdekur e gjeneral i thënçin gjeneral, u bën “Të mjerët” në “Kafshatën që s’e kapërdinë o vëlla e të zë mjerimi”, bile-bile që “Do t’iu mbetet në fyt e do t’i zë trishtimi”.

“Deshta, shumë kam dashtë-dëshirue” që ta kem “Nji grusht të fortë, t’i bie mu në zemër malit që s’bëzanë” vetëm e vetëm që kërriçet mos të iluzionohen se kur do të rriten nuk do të përballen me të vërtetën e madhe “Prit gomar sa të mbijë barë”. Po ja që as “Rënia”, “Nata e njëmijë e një netëve”, apo “Idioti” nuk e zbehin konstatimin se përpos që “Njeriu për njeriun ujk është”, “Njeriu është një fazan i madh”. 


“Perënditë kanë etje” do të ishte më e mirëseardhur të thuash për këta tanët që të strukur në “Folenë e nepërkave” na lanë varur në pritje të “Kesh dhe të mos kesh” shtet.

Po t’u flasësh e t’i kritikosh ata deklarojnë se janë vet “Muzeu i pafajësisë”, sepse për ta politika është “Dashuria e parë” dhe slogan kanë “Çdo gjë që kam e mbaj me vete”.

Në këtë “Udhëtimin e mbyllur” që janë nisur, loja “Macja dhe miu” do t’ju kushtojë shumë e më shumë qytetarëve, sepse “Kolonelit s’ka kush...” nuk duam të shndërrohet në “Shtëpinë e heshtjes” e kurrsesi vendi ynë të kthehet në “Shkretëtirë” e aq më pak këtu të lulëzojë “Perëndia e mizave”.

“Lumturia” është jetë, të cilën duam ta jetojmë “Zoti President”, sepse as ata e as unë nuk jam “I huaji”, pos një zë më shumë, i cili insiston që ky “Qiell i lënë përgjysmë” mos të jetë “Shosha” e kërcënuar nga “Perëndia dorace”.
Lë të jetë ajo “Mbrëmje e bekuar” haberi se edhe ne do të jetojmë e do ta kemi shtetin tonë e mos të rrimë “Duke pritur Godonë” për ditë të mira.

“Buka e viteve të hershme” mos të shndërrohet në “Një kënaqësi e vetmuar”, për disa, sepse “Kujtim kurvash të trishta” lirshëm mund të shndërrohet në “Kallëzimi i një anijehumburi” apo edhe më keq në “Verbëri”.

“Ujku i Stepës” mund ta shtojë aq shumë urinë politike saqë as “Certifikata” e identitetit njerëzor nuk ta përhumb mjedisin mbytës “Stuhi në gang” e që mund të mbyllet fatkeqësisht nën autoritetin “Endacaku” pa fije “Turpi”.

Shtrofullat me pretendime politike janë shndërruar në “Vilet e zemërimit”, sepse diku paska lindur “Fëmija i pestë” nga “Dashuria në kohërat e kolerës”, që, sipas pretenduesve duhej të lindte, në mos brenda, aty afër te “Kështjella e bardhë”.


Ky ngërçi sa “Njëqind vjet vetmi”, tashmë veçse është bërë “Vajza e prapë”, sepse hileja është më madhe, ngase si tellall thërret më sa zë ka “Unë jam e kuqja”, duke harruar se “Muri” është pengesë që “Vera para errësirës” të mos jetë “Këlthitja dhe mllefi” për mua “I huaji” në tokën time.

“Stambolli, kujtime dhe qyteti” duhet të merret shembull se “Jeta e re”, dihet si “Dita e mirë që shihet në sabah”, prandaj të nisemi për “Udhëtim në Malin e Shenjtë”, e atje “Lë të ulërijmë” për atë që jemi duke pritur e kurrsesi mos të ngelim “Bretkosa” uji e toke në pritje kapitullimin tonë “Kronikë e një vdekje të paralajmëruar”.

Neve, ato që janë bërë më dije në “Shënime për Hiroshimën”, na duhen për të mësuar se “Për dashurinë dhe demonë të tjerë”, duhet luftuar duke ndarë të mirën nga e keqja dhe po ashtu duke ndarë të keqen e madhe nga e mira e vogël.

“Shtëpia e gjelbër” kurrë nuk duhet të bëhet “Romani i një të pafati”, sepse “Njerëz e minj” janë “E paemërtueshmja” që kërcënohet haptas nga “Pavijoni i kancerozëve”, të cilët jomëshirshëm mund dhe ka rrezik ta sëmurin shoqërinë.

Tash më shumë se kurrë “Rrugët e lirisë, Mosha e arsyes”, duhet ta marrim sebep për atë që kemi kaluar dhe njëkohësisht të nisemi në rrugëtimin e premtuar atyre që nuk janë më me ne.

Ta tejkalojmë këtë “Kohë të pakohë” në mënyrë që nesër mos të pimë kafe në “Kafenenë e vjetër”, duke kujtuar momentet kur rrinim në “Kafenenë e rinisë së humbur” pa bërë asgjë e duke lejuar që “Miu të na kalonte mbi mustaqe”.


Kjo është “Jeta ime”, jeta jonë, e ju, nëse kjo është “Koha për të ikur” drejt një “Lumi të madh me dy zemra”, ikni që mos të na vijë “Murgu i zi & Njeriu në këllëf”.

“Procesi” nuk duhet të ndalojë e assesi të mos jetë “Trashëgimi”, për këta muaj me “Tregime të misterit”. 


Ka ardhur koha që “Lufta dhe paqja” të ndahen ashtu, siç ndahen “Shapi dhe sheqeri”, sepse më nuk duam që “Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve” të jetë pjesë e jetës sonë.

Duam që “Vuajtjet e djaloshit Verter” të mos jenë inspirim për “Ditarin e një njeriu të tepërt” e as që Kosova jonë të jetë “Shtëpia misterioze”.

Nuk duam që për Kosovën tonë të ketë “Tregime nga njëri xhep” e as “Tregime nga xhepi tjetër” e aq më pak tregimin kryesor ta bartim te pasardhësit të frikësuar nga “Gruaja me flatra”.

Ta qartësojmë njëherë e përgjithmonë se “E kuqja dhe e zeza” dallojnë si nata me ditën, e ju “Si ta doni” rrëfejeni dëshirën tuaj “Triologjia e dëshirave”.

“Kryevepra e panjohur” tani mund të jetësohet. Edhe pse të yshtur nga “Djajtë” nuk mund të ecët “Mbi ujë”, prandaj “Etër e bij” duhet të largohen njëherë e përgjithmonë nga “Damka e turpit” që mos ta presin frikën nga “Nata e dymbëdhjetë”.


Ka ardhur koha që “Vepra e plotë” të mos mbetet vetëm tek “Iluzionet e humbura”, por të bëhet realitet me të cilin do të jetojmë e prosperojmë të gjithë së bashku. “Zogjtë e qyqes” nuk mund ta luftojnë e as insistojnë ta “vrasin” zogun përqeshës me klithmën “Të vrasësh zogun përqeshës”, sepse ata janë zogj qyqeje, ndërsa zogu përqeshës është i lirë të frutojë kah të dojë, bile edhe nëpër hava.

E... ditët si ditët ikin e vijnë duke formuar javë e javët muaj, e këta muaj formojnë vite e vitet...?


Nuk dua të mendoj aq larg, edhe pse e sotmja, e nesërmja nuk pritet të na sjellin të mirat e pritura. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)