29 Mars 2024

Çetnikët tentojnë të destabilizojnë Sanxhakun

Shkruar nga Ismet Azizi

Çetnikët, jo rastësisht e kanë zgjedhë 23 tetorin si ditë të marshimit nëpër qytetin e Pazarit të Ri. Më 23 tetor të viti 1912 ka filluar beteja e Kumanovës në Luftën e I-rë Ballkanike, ku ushtria serbe u shkaktoi humbje trupave osmane dhe atyre shqiptare të cilat nuk iu bashkuan Aleancës Ballkanike por vendosen të mbrohen nga depërtimi i ushtrisë serbe në trojet shqiptare.

Para disa ditësh  Lëvizja Çetnike ka ftuar “ të gjithë admiruesit e traditës patriotike të luftërave çlirimtare serbe” që me praninë e tyre në kishën e Pjetrit më 23 tetor 2014 në Pazarin e Ri,  t’i  përkujtojnë  heronjtë e vrarë për çlirimin e Serbisë, siç thonë ata, nga skllavëria turke.

“Novi Pazari u çlirua më 23 tetor 1912 dhe në këtë ditë do të organizojmë një manifestim përkujtimor në kishën e Pjetrit në një shëtitje të qetë dhe dinjitoze në kishën e Shën Nikollës, ku do t’i ndezim  qirinj gjeneralit të famshëm dhe çlirimtarit të Novi Pazarit,  Mihail Zhivkoviqit. Pastaj, në ora 12.00 do të vazhdojmë \"Shëtitjen e çlirimit\" deri te komuna e Novi Pazarit, ku do të dorëzojmë iniciativën tonë për  ngritjen e monumentit të  gjeneralit Mihailo Zhivkoviq në parkun e qytetit. Me këtë rast ky manifestim i vogël gjithëkombëtare i kësaj date të rëndësishme do të përfundon”, thuhet në deklaratën për shtyp të komandantit të njësisë çetnike Bratislav Zhivkoviq.

“Shëtitjes” do t’i prijnë pasardhësit e \"çlirimtarëve\" të Novi Pazarit dhe me rastin e ecjes pjesëmarrësit do të marrin nga një bluzë me mbishkrimin \"Përkujto kush ishin paraardhësit tanë\".  Me këto bluza  simbolikisht tentohet që të tregohet se serbët nuk i kanë harruar \"heronjtë\" që dhanë jetën për \"kryqin e nderuar dhe lirinë e artë\", thotë Bratislav Zhivkoviq, komandat i Lëvizjes Çetnike.

Në anën tjetër, Dr. Prof. Admir Muratoviq, (kryetar i Bashkësisë Kulturore Boshnjake dhe prodekan në FSI) thotë se nuk është aspak vështirë që paqja dhe stabiliteti  në Ballkan të vihen në pikëpyetje  Në të kundërtën, sipas tij, duhet shumë përpjekje dhe mund që të ruhet ajo që është vlerë e të gjithë njerëzve që jetojnë në këtë hapësirë. “Nuk ka nevojë të përkujtojmë se Ballkani është hapësirë ku jeton popullsia me përbërje heterogjene si në aspektin nacional dhe fetar”, tha Muratoviq.

Dihet shumë mirë se popullsinë e besimit mysliman, Serbia e trajtonte si popullsi turke. Muratoviq, duke aluduar në betejën e Kumanovës, përkujton se dikur “Serbia boshnjakët dhe shqiptarët i ka fajësuar për gjithçka, duke i trajtuar si turq. Sigurisht se 23 tetori është zgjedhë që përsëri të ripërtërihet tregimi për rrezikun nga Turqia. Edhe Ratko Mlladiq  kur ka hyrë me ushtrinë e tij në Srebrenicë, në prag të kryerjes së gjenocidit, ka thënë se më në fund erdhi momenti që t’u hakmerremi turqve”.

Nuk është kjo hera e parë që çetnikët i kërcënohen Pazarit të Ri. Në muajin nëntor të vitit 1941 ata kanë provuar disa herë, por nuk kanë pasur sukses. Në fillim të viteve të 90-ta në Pazar, diçka të tillë pat tentuar edhe Vuk Drashkoviqi kurse pak më vonë edhe Zhelko Raznatoviq –Arkani. Çetnikët  me ikonografinë e tyre nuk kanë vend në këtë qytet, porositë profesor Muratoviqi.

Atë që duhet dijtur, e që është një të vërtetë e madhe, çetnikët kurrë nuk kanë marshuar nëpër qytetin e Pazarit. Sipas të gjitha gjasave nuk do të kenë mundësi që këtë ta bëjnë as më 23 tetor të këtij viti. Ata duhet të  gjejnë forma tjera që të përkujtojnë betejën e Kumanovës.

Aleatët e Luftës së Parë Ballkanike deklaronin se lufta drejtohej kundër Turqisë dhe kishte për qëllim bashkimin kombëtar të popujve ballkanikë. Por ajo u drejtua nga qarqet shoviniste të vendeve të Ballkanit dhe u kthye në një luftë grabitqare, pushtuese, sidomos ndaj trojeve Shqiptare dhe Maqedonisë.

Shqiptarët ishin po aq të interesuar sa edhe popujt e tjerë të shtypur të Ballkanit për t’u çliruar nga zgjedha osmane. Me organizimin e forcave vullnetare shqiptare në zonën e Gjilanit, të Moravës e të Karadakut u mor Idriz Seferi, që arriti të grumbullojë 6 000 luftëtarë, të cilët u hodhën në kufi me Serbinë. Natën e 23-24 korrikut Armata e tretë serbe filloi një marshim drejt Shkupit e Kumanovës.

Në Shkup e pashë se deri në ç’nivel njeriu varet nga rrethanat e krijuara nga lufta barbare. (Leon Trocki)

Beteja më e madhe në trevën e Kosovës ishte ajo e Kumanovës (22-24 tetor), ku serbët hodhën ushtrinë e Armatës së Parë të përbërë nga 126 000 veta. Armata otomane e Vardarit kishte vendosur në këtë front 50 000 luftëtarë. Midis tyre kishte edhe disa mijëra ushtarë shqiptarë, përveç forcave vullnetare të ardhura nga treva e Kumanovës e rrethet e tjera.

Gjatë rrugëtimit për në Shkup ushtria serbe vrau dhe masakroi rreth 2 mijë shqiptarë të pafajshëm. Atë ditë, pas rënies së Shkupit, ushtria serbe i kapi të gjallë 13 krerë të kryengritjes Kombëtare Shqiptare.

Sanxhaklinjtë tetorin e vitit 1941 nuk e harrojnë kurrë. Çetnikët  kanë  provuar tri herë të hyjnë në Pazar. Falë solidarizimit dhe ndihmës që iu erdhi nga vëllezërit shqiptarë nga Kosova, në krye me Shaban Polluzhën, çetnikët nuk ia kanë arrit të okupojnë Pazarin e Ri.

\"Porosia ime e fundit për bashkëkombësit e mi\"- thotë Prof. Muratoviq,  \"por edhe për serbet të cilët jetojnë në Pazar, është që të ruajnë stabilitetin ashtu siç e kemi ruajtur në momentet më të vështira dhe për të cilën gjë ne kemi kapacitete ta bëjmë këtë edhe sot. Ne këtu duhet të vazhdojmë të jetojmë së bashku. T’ua bëjmë me dije atyre të cilët nuk ia dëshirojnë të mirën qytetit tonë, se me ikonografinë e tyre  nuk kanë çka të kërkojnë në Pazarin e Ri. Vetëm në këtë mënyrë mund t’iu sigurojmë një të ardhme të ndritshme fëmijëve tanë të cilët do të jetojnë në Pazarin e Ri\" - përfundon prof. Muratoviq.

Për deri sa çetnikët, dhe serbët në përgjithësi, 23 tetorin e viti 1912 e kremtojnë si ditë të çlirimit nga Perandoria Osmane,  sanxhaklinjtë këtë ditë e përkujtojnë si moment kur Sanxhaku u okupua nga ushtria serbe. Duke patur parasysh këto tendenca të rrezikshme të çetnikëve nuk mundë të shpresohet në ndonjë stabilitet afatgjatë në Sanxhak.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)