19 Prill 2024

Viti 2014 u pa, viti 2015 me shpresë të jetë më i mirë

Shkruar nga Ahmet Pllana

Ky vit u pa si ka qenë deri më tash në aspektin ekonomik. Vit i krizës ekonomike dhe sociale. Një fjalë thotë: “Katundi që shihet, kallauz nuk don”. Muaji tetor thuaja se gati ka shkuar, ka mbetur edhe një javë, ndërsa në dy muajt e fundit të vitit nuk pritet ndonjë përmirësim në ekonomi, sepse për këtë nuk ka mundësi, meqë koha është tejet e shkurtër.

Ky vit shkoi me krizë ekonomike, financiare dhe sociale, ndërsa të shpresojmë se viti 2015 të mos jetë i tillë, por më i mirë në ekonomi. Shtrohet pyetja: A ka gjasa që viti tjetër të jetë më i mirë se ky i sivjemi? Ka mundësi që viti tjetër të jetë më i mirë në aspektin ekonomik, se sa viti 2014.

Dikush do të thoshte se kjo nuk është e mundur. Mirëpo, e vërteta është se është e mundur, madje me një rritje ekonomike me performancë pozitive dhe me rritje të shkallës ekonomike. Ku qëndron defekti që sivjet kishte krizë ekonomike?

Në planifikim të dobët, në menaxhim të dobët, në buxhet të pamjaftueshëm, në mungesë të suksesit të sektorit privat, në mungesë të rritjes së prodhimit vendor, në mungesë të zvoglimit të importit, në mungesë të rritjes së eksportit, në mungesë të investimeve të jashtme, në mungesë të investimeve të diasporës, etj. 

Është e vërtetë se bllokada institucionale ka pasur refleksione edhe në ekonomi, duke shkaktuar ngecje të vërejtshme. Njerëzit edhe ashtu në këtë vit janë të zhgënjyer nga kriza ekonomike e sociale, sidomos nga mungesa e parasë kesh. Njerëzit kanë shtëpi, banesa, vetura, por nuk kanë para. Secili ankohet se nuk ka para. Edhe ai që punon, edhe ai që nuk punon.

Viti 2013 ka qenë më i mirë se ky i sivjemi, thotë një qytetar. Dhe ka të drejtë, sepse sivjet ishte krizë. Të gjithë luten: ishalla viti tjetër nuk është i keq si ky! Ishalla viti 2015 është më i mirë se viti 2014! 

Njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, në një opinion të tij për gazetën “Tribuna” ka shkruar se viti 2014 ka qenë vit i krizës, ndërsa, sipas tij, “pasi sivjet kemi mbjellur krizë, në vitin tjetër do të korrim krizë!” Me këtë konstatim të tij nuk do të pajtohesha, sepse ne nuk kemi mbjellur krizë, por ka qenë vit i krizës, sepse kriza nuk është grurë që mbillet dhe pastaj korret.

Në këtë vit mund të jetë krizë, por në vitin tjetër mund të mos ketë krizë ekonomike. Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë, ka shkruar në fb se vendi në vitin që vjen do të ketë rritje ekonomike prej 4.6 për qind. Do të ishte shumë mirë sikur të ndodhte kjo, pas një viti tejet të vështirë në aspektin ekonomik. Mirëpo, të shpresojmë se kjo do të ndodhë.

Ndërsa, sipas Ibrahim Rexhepit, rritja ekonomike sivjet mund të jetë 2.5 për qind, gjë që nuk përkon me realitetin, sepse ende nuk ka konfirmim zyrtar për rritje ekonomike për këtë vit.

Ai bëhet paksa tepër skeptik, dhe nuk sheh perspektivë ekonomike as në vitin 2015, gjë që shpreh dekurajim për të ardhmen e afërt, të cilin e mbjell tek lexuesit pas zhgënjimit ekonomik të sivjetëm, të cilin të gjithë po e shohin.

Shumë njerëz gjatë bisedave kanë shprehur dekurajimin e tyre për këtë vit zhgënjyes ekonomik, duke thënë se nuk e mbajnë në mend që të mbesin pa para kështu si sivjet. Madje, edhe bizneset e kanë pasur të vështirë që të menaxhojnë prodhimin dhe shërbimet sivjet.

Megjithatë, nuk do të ishte mirë që asnjë opinion të shprehte zhgënjim ekonomik deri në atë masë të një krize edhe më të keqe për vitin tjetër, i cili vjen pas dy muajsh. Buxheti është një shpresë që nëse ato para shpenzohen si duhet dhe menaxhohen me një planifikim të shkëlqyeshëm, duke e kursyer në mënyrën sa më të mirë të mundshme, do të ndihmonte në performansë pozitive ekonomike.

Mirëpo, edhe sektori privat mund të bëj shumë më tepër në rritje të prodhimit, në shtimin e vendeve të punës, në eksport të produkteve “Made in Kosova”, në menaxhim të mirë dhe të ndihmojë në rritjen ekonomik. Gjithashtu, edhe investimet e jashtme do të përmirësonin dukshëm gjendjen ekonomike në vend, sepse paratë që do të investoheshin këtu, pa marrë parasysh në cilin sektor, ato para do të silleshin këtu.

Edhe diaspora do të ndihmonte shumë në tejkalimin e gjendjes së krizës, sikur ata të sillnin mjetet e tyre dhe të investonin në ndonjë biznes, po madje qoftë edhe në familjet e tyre. Po qe se secili e jep kontributin e tij në çdo lëmi ekonomik, sigurisht se kriza nuk do të ndihej, kështu që në vitin 2015 nuk do të kishte krizë ekonomike dhe sociale.

Të jemi optimist se viti 2015 do të jetë më i mirë dhe me një rritje më të lartë ekonomike, se sa ky vit. Mirëpo, optimizmi të përcillet me punë të sinqertë për të arritur rezultate në çdo lëmi të ekonomisë që qon drejtë përmirësimit të jetës dhe standardit jetësor të qytetarëve.  
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)