18 Prill 2024

Luftërat ballkanike ishin të përgjakshme dhe të kushtueshme

Fundi i luftërave ballkanike

 
Shkruan: Ma. Sc. Nexhmedin Z. Bardhi

Periudha më e vështirë dhe më e përgjakshme, pothuajse gjatë gjithë historisë së popullit shqiptar të kësaj ane, ishte e viteve 1912-1915, që në pjesën e popullit dhe territoreve të pushtuara njihet si kohë e sundimit të Serbisë së parë.

Mu atëherë kur dukej se do të agonte liria, në vjeshtën e vitit 1912 tokat shqiptare i përfshiu shtrëngata e Luftës së Parë Ballkanike që ishte shkatërrimtare.

Fundi i luftërave ballkanike shpuri në përfundime të mëdha. E tërhequr përsëri në kryeqytetin e saj të vjetër, Adrionopojën, Perandoria Osmane u largua nga Evropa dhe nuk ishte më fuqi evropiane. Luftërat ballkanike ishin të përgjakshme dhe të kushtueshme.


Gjatë dhjetë javë luftimesh, gjashtë javë Lufta e Parë Ballkanike dhe katër javë Lufta e Dytë Ballkanike, u vranë rreth 200. 000 luftëtarë, pa llogaritur civilët, përveç dhjetëra mijëra viktima të kolerës, tifos e dizenterisë.

Vetëm pena e Dantes mund ta përshkruaj me saktësi udhën që vjen nga Lozengradi, vetëm talenti i tij i mistershëm do të ishte në gjendje të rikrijonte të gjitha tmerret e moçalishteve të akullta, mbi vijat dhe llumin e të cilave ngrihen trupat e gjymtuara dhe të copëtuara të të rënëve shkruante Leon Trocki. 


Traktati i Shën Stefanit e zgjeroi ndikimin e Rusisë në Ballkan në thellësi e sidomos në drejtim të Egjeut. Ky ndikim i jepte mundësi Rusisë të zotëronte Ballkanin e të dilte në brigjet e Detit Egje- Mesdhe, gjë që ishte e papranueshme si për Austro-Hungarinë ashtu dhe për Britaninë. Për atë u bë, thirrja e Kongresit të Berlinit që pos tjerash kishte si qëllim vendosjen e ekuilibrit midis dy fuqive në rajon: Austro-Hungarisë dhe Rusisë.

Duhet të theksojmë se përmasat tragjike dhe tonet dramatike të këtyre ngjarjeve në Ballkan kanë zanafillë të hershme.

Ato filluan të marrin jetë të paktën që prej fillimit të shekullit të XIX, e të prira më pas nga mitet dhe legjendat e së kaluarës: Bullgaria e Madhe, Serbia e Madhe, Rumania e Madhe, miti Pan Helenik, Mali i Zi i Madh, që ndikuan në trajtat e nacionalizmit tejet agresiv gjë që pasuan hakmarrje dhe konflikte të tmerrshme.


Mbi këtë pikë thurën tragjedi dhe ngjarje që nisin që nga shekulli XIX dhe prodhojnë edhe sot efektet e tyre negative. Si rezultat i Luftës se Dytë Ballkanike u bë një shpërndarje e re forcash në gadishull.

Rumania u shkëput nga Aleanca Qendrore e formuar më 1879 dhe u afrua me Antantën, kurse Bullgaria u lidh me Bllokun Qendror austro-gjerman. Luftërat ballkanike çuan në një acarim të mëtejshëm të kontradiktave midis popujve, duke shpejtuar kështu fillimin e Luftës së Parë Botërore.

Dhe, megjithëse ato (luftërat ballkanike) shiheshin si shkak i përshpejtimit të Luftës së Parë Botërore, unë pajtohem me thënien: “Megjithëse së paku teknikisht është e padiskutueshme se fuqia për shkëndijën e barutit për Luftën e Parë Botërore erdhi nga Ballkani, shumë të rrallë janë ata historianë, që do të pretendonin se aty qëndronte shkaku”.


Para, faktori më i rëndësishëm, ashtu siç u vërejt edhe në luftërat e fundit në Ballkan, ishte nacionalizmi agresiv, një nacionalizëm me nuanca të prirjeve fisnore, duke e parë kundërshtarin politiko- ushtarak si një armik të frikshëm e të pandreqshëm. 


Shpesh çdo arsyetim me qeveritë përkatëse ndeshet në një mur të shurdhët. “Megalomania e idealit kombëtar” nuk linte shteg as për arsyetim e as për kompromise. Sidoqoftë në të dyja luftërat përleshjet ishin tejet të përgjakshme. Dhe sado e lavdishme të paraqitet kjo luftë, lufta e Perandorisë Osmane dhe e aleatëve ballkanik nuk është gjë tjetër veçse një kapitull i mbushur me tmerr. Si histori lufte, pasojat dhe rezultatet morale janë të tmerrshme.

Kombet që kishin qenë në aleancë dhe që i ishin drejtuar zotit t’i çlironte, papritmas filluan ta urrenin njëri tjetrin për vdekje. Urrejtja dhe mëria kombëtare, dyshimi i ndërsjellët mjaftonin për ta filluar dhe për ta çuar më tej luftën më brutale dhe më të kotë të kohës.

Ata që luftuan krah për krah në Adrianopojë tani janë gati të vrasin dhe të torturojnë. Fundi i luftërave ballkanike përbën periudhë të shkurtër kohore, por shumë të ngjeshur me ngjarje të rëndësisë historike, por dhe tragjike për çështjen kombëtare shqiptare. Është heroike se shpallet pavarësia e Shqipërisë si ngjarje më madhe në historinë e kombit shqiptar.

Ajo njëherësh është tragjike, se nga kjo kohë fillon shkelja më flagrante e të drejtat njerëzore e kombëtare për më tepër se gjysmën e popullit në trevat e shumta që mbetën jashtë shtetit të shpallur në Vlorë. Për pjesën e mbetur jashtë Shqipërisë është periudha më e kobshme, reflektimi i së cilës u përcjellë mbi gjenerata të tëra, të cilat mbetën nën robërinë serbomadhe dhe megalomaninë greke.

Kështu, në këtë pjesë të Shqipërisë së robëruar, ushtarët dhe paramilitarët serbo-malazezë kryen krime, që Evropa nuk i kishte parë e dëgjuar që prej kohës së depërtimit të hunëve, vandalëve, avarëve dhe Xhingis Kanit. Mirëpo as mizoritë më të tmerrshme nuk ia dolën ta zhbëjnë këtë racë të fortë. 


Meqë, Kosova, kjo tokë shqiptare u dënua prej Fuqive të Mëdha të mbajë në kurriz, një zgjedhë të re shumë më gjakpirëse se sa e përparshmja - zgjedhën militariste serbomadhe. Bazuar në zhvillimet dhe gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve nga serbo-malazezët, fitohet përshtypja siç thuhet se populli shqiptar i Kosovës, ishte populli më i guximshëm në botë. Me ndihmën e Rusisë Serbia dhe Mali i Zi, i krijuan kufijtë kolonialë me krime të papara mbi shqiptarët.


Pas shqyrtimit të materialeve e fakteve të shumta ne bindemi se disa nga shkaqet kryesore të rënies së shpejtë të territoreve shqiptare nën okupimin shteteve fqinjë ishin:

Populli shqiptar, i vetmuar dhe pa asnjë ndihmë, ishte i dërrmuar rëndë në luftëra me një shtet të madh prej dhjetëra milionësh banorë dhe për shkak të urrejtjes shekullore të grumbulluar ndaj osmanëve, nuk mund të shmangej ajo mëri menjëherë në një periudhë një apo dy mujore, që mund të mundësonte një bllok shqiptaro-osman që, gjithsesi në perspektivën historike do të ishte vetëvrasje për shqiptarët.

Në atë kahe duhet të pranojmë se synimet e shteteve të pabesa ballkanike u ndihmua nga një gjendje e tillë e shoqërisë shqiptare të asaj kohe.


Të gjithë ishin kundër shqiptarëve dhe asokohe mbetën pa asnjë aleatë në Ballkan dhe pa ndihmë të ndonjë Fuqie të Madhe.

Prandaj pushtimi otoman pesë shekullor kishte konservuar konservatorizmin mesjetar, ruralizmin e shoqërisë shqiptare, mbajtje në frenim të çdo prirje për ringritje kulturore dhe civilizuese të shoqërisë në tërësi. 


Fuqitë e Mëdha në këtë mënyrë, në vend që t’i hapnin poret jetësore një kombi në rrugën e tij për ripërtëritje qytetare dhe evropiane, e cunguan atë territorialisht, i këputën arteriet kryesore dhe ushqyen faktorët që bëjnë lehtësisht të manipulueshëm dhe të kontrollueshëm një popull të penguar historikisht në rrugën e tij të zhvillimit.

Sulmi i menjëhershëm nga të gjitha drejtimet kryesore të territorit shqiptar i ushtrive të katër shteteve ballkanike, ishte i pamundur të përballohej nga luftëtarët shqiptarë.

Shqiptarët nuk e kishin ende shtetin e tyre, çfarë e vështirësonte jo vetëm organizimin dhe mbështetjen e duhur të luftëtarëve, megjithëse si atdhetarë të devotshëm bënë luftë heroike dhe qëndresë të admirueshme ushtrive të aleancës në të gjitha drejtimet e depërtimit të tyre, ku ishte lakmia dhe vendosmëria e tyre “për të çliruar” bashkëkombësit e vet të shoqëruar me etjen për territore.

Dhe, siç vënë në dukje disa studiues, pas krijimit të shteteve të reja, ata ishin pa përvojë luftarake. Shumica e popullsisë ishin fshatarë joaktiv, indiferent dhe jo të mësuar me luftën.


Luftëtarët e vërtetë dikur ndër popujt e Ballkanit kishin qenë shqiptarët. Mirëpo, bullgarët, serbët e malazezët arritën të krijonin një traditë luftarake, duke u nisur nga hiçi, falë drejtimit me sukses të burimeve ekonomike e arsimore në dobi të ushtrisë në periudhën e shtet ndërtimit dyzetvjeçar. Propaganda e pareshtur e shteteve fqinje e shoqëruar me kërcënime, masakra, shantazhe, premtime të rrejshme, derdhja e shumave të mëdha të parave dhe korruptimi i disa individëve ndikoi në topitjen e tyre kombëtare.

Përkrahja dhe mbështetja që patën katër shtetet ballkanike nga Fuqitë e Mëdha, në radhë të parë nga Rusia, Franca, Anglia dhe qëndrimi i tyre mohues ndaj çështjes kombëtare shqiptare.


Në krahasim me periudhën para luftërave ballkanike, ndryshimet territoriale dhe demografike, pas Paqes së Bukureshtit, më 9 gusht 1913, të shprehura në % ishin: Bullgaria fitoi 29 % territor dhe 3% popullsi më shumë, Greqia 68% territor dhe 67% popullsi më shumë, Mali i Zi 62% territor dhe 100% popullsi më shumë, Serbia 82% më shumë territor dhe 55% më shumë popullsi. Dhe sipas gazetës “Obzor”, 24, XII. 1913, Zagreb shkruan: Serbia nga luftërat ballkanike zmadhohet gati dyfish në pikëpamje territoriale.

Ajo i afrohet Detit Egje dhe Detit Adriatik, fiton krahina të pëlleshme, kufij të përbashkët me Malin e Zi, sigurim të lirë të transportit në Selanik etj. Para luftërave ballkanike kishte 48. 803 km katror dhe 2. 911. 701 banorë (diku rreth 2. 700. 000 banorë), kurse pas luftërave ballkanike 87. 358 km katror me 4. 393. 315 banorë.


Faktikisht në këto luftëra harta e katër vendeve ballkanike u ndryshua në mënyrë rrënjësore në dobi të tyre, por dëm të madh pësoi çështja shqiptare, duke iu përgjysmuar populli dhe territori historik mijëravjeçar në Ballkan. Kështu që pjesa më e madhe e popullit shqiptar gjatë luftërave ballkanike pësoi zhgënjime të hidhura.

Zgjidhjet e gabuara për Shqipërinë e pas luftërave ballkanike krijuan pasoja tragjike që u ndjenë në copëtimin e mundshëm të integrimeve sociale, kulturore, ekonomike, arsimore, të komunikimeve dhe të raporteve me fqinjët dhe me botën të ndërtuara me shekuj: reduktimi i kapaciteteve shpirtërore e materiale të këtij populli; izolimin dhe zvogëlimin e peshës së përgjithshme të shtetit shqiptar në Ballkan; kufirin më të pakalueshëm në Evropë midis dy pjesëve të një populli e me tragjedi të panumërta familjare; zëvendësimin e një robërie (të Perandorisë Osmane) me një tjetër për më se gjysmën e popullit; gangrenizimin e një raporti tipik kolonial në mes të Evropës; destabilizimin permanent politik e ushtarak të rajonit.

Pasojat e drejtpërdrejta të këtyre padrejtësive, natyrisht nuk të çonin tjetër, veçse në varfërim ekonomik të rajoneve të tëra malore shqiptare si rezultat i ndërprerjeve të marrëdhënieve tradicionale, ruajtja e konservatorizmit gjysmë-mesjetarë edhe më tej në epokën moderne, mbajtja konstante e pasigurisë së brendshme politike në shtetin e ri shqiptar, dobësimi i mëtejshëm i tendencave kulturore evropiane brenda kombit shqiptar, një Ballkan Perëndimor të destabilizuar për një kohë të gjatë.


Dihet se trajtimi i problemit të kufirit shqiptar nuk u mbështet në konsiderata etnografike, historike, ekonomike etj., por u bë nga Fuqitë e Mëdha nën prizmin e “ruajtjes së ekuilibrave të paqes në rajon e më gjerë”, apo më saktë në mosprishjen e “Koncertit Evropian”.

Në këtë këndvështrim, diplomacia e Fuqive të Mëdha kërkonte të shmang Luftën e Madhe, gjë që nuk u shmang dot. Kjo tragjedi me territoret shqiptare ndodhte kur ekzistonin raporte historiko-etnografike e memorandume jo vetëm nga përfaqësues elitar nga kombi shqiptar si Konica etj., por dhe nga personalitete të paanshme botërore, të cilët argumentonin historikisht përbërjen kompakte etnike dhe origjinën historike të pandërprerë të popullit shqiptar.

Kështu, në memorandumin e dërguar nga misionari amerikan Telford Erikson, i cili pasi argumenton me fakte dhe dokumente historike lashtësinë ilire-arbërore të shqiptarëve, pyet se si mund të ndahet në mes kjo tokë antike dhe ky popull antik në mes aleatëve si një plaçkë lufte? Më pas ai vazhdon: “Ne zotërinj kemi pas mësuar se drejtësia duhet të jetë guri themeltar i çdo rendi jetëgjatë në shoqërinë njerëzore”.


Rezistenca shqiptare vazhdoi gjatë viteve 1912-1913. Por qëndresa më e organizuar kundër pushtuesve serbë qe kryengritja e shtatorit 1913, ndaj së cilës u morën masa të rrepta represive. Vitet 1912-1915, ishin një periudhë e një krize jo vetëm ballkanike, evropiane, por në përgjithësi edhe vite të krizës botërore.

Shikuar nga aspekti kohor është periudhë e shkurtër, por në fakt gjenocidi i ndodhur paraqet njërën ndër periudhat më të kobshme të historisë së këtij gadishulli, ku për ç’do ditë, javë, muaj, ndodhnin ngjarje nga më makarët, e veçanërisht ndaj popullit tonë, e cila edhe për Anamoravën është periudha më e dhimbshme e gjenocidit të ushtruar nga pansllavistët, gjë që e zbatuan në praktikë në mënyrë të përpiktë të gjitha projektet e elaboratet famëkeqe të përpiluara që nga Naçertania e Garashaninit, Vladan Gjorgjeviqit, të pasuara edhe nga shumë tjera në vazhdim, që u zbatuan nga të gjitha regjimet shtetërore serbe pa dallim, dhe quhej si veprim i shenjët masakra dhe gjenocidi i ushtruar ndaj shqiptarëve.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)