18 Prill 2024

“Grand Hotel Prishtina”, pa asnjë yll

Prishtinë, 28 gusht - Drejtori i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës (SHTAK), Baki Hoti, ka thënë se deri më tani kanë arritur të kategorizohen 26 hotele, ndërkaq “Grand Hotel Prishtina” nuk i është nënshtruar procesit të kategorizimit dhe klasifikimit prandaj, sipas tij, i janë hequr yjet.

“Deri më tani janë kategorizuar 26 hotele. Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka filluar të dalë në terren. Ky inspektorat ka filluar t’ua heqë yjet të gjitha objekteve hoteliere të cilat nuk i janë nënshtruar kategorizimit dhe klasifikimit. ‘Grand Hotel Prishtina’ i ka pasur pesë yje dhe tani i janë hequr të gjithë”, ka thënë Baki Hoti në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka shtuar se Kosova nuk ka numër të saktë të statistikave të turistëve, të cilët e vizitojnë Kosovën. “Për fat të keq, nuk ka statistika të sakta për numrin e turistëve që hyjnë në Kosovë dhe prej nga vijnë këta turistë”, ka deklaruar ai.

“Epoka e re”: Sa është numri i turistëve të cilët e kanë vizituar Kosovën gjatë verës?
Hoti: Për fat të keq, Kosova nuk ka statistika të sakta për numrin e turistëve që hyjnë në Kosovë dhe prej nga vijnë. Po të kishte statistika, atëherë do të ishte shumë më e mirë.

“Epoka e re”: Pse ende nuk ka statistika të turistëve të cilët e vizitojnë Kosovën?


Hoti: Kjo është një procedurë më shumë shtetërore. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Polici, Doganë, janë disa statistika, por nuk janë të sakta, sepse merret numri i hyrje-daljeve në kufi, jo numri i saktë i vizitorëve. Unë e kam përmendur një model anglez, sipas të cilit, merren shënime prej nga vijnë turistët, sa do të qëndrojnë dhe çfarë lloj vizite kanë. Prandaj, në bazë të asaj, ne do ta dinim sa vizitorë kanë hyrë në Kosovë brenda jave, muaji dhe viti si dhe prej nga vijnë ata.

“Epoka e re”: Mospasja e statistikave a mund të ndikojë në zbehjen e imazhit për turizëm?


Hoti: Nuk mendoj se do të ndikojë aq shumë, por gjithsesi se mund të ndikojë pak negativisht. Më së shumti kjo ndikon te ne për shkak se institucionet tona nuk e dinë saktë se sa është numri i turistëve dhe nga cilat shtete vijnë. Nëse do ta dinim këtë, atëherë edhe targeti ynë për promovim të turizmit do të ishte shumë më i madh në ato vende prej të cilave ka vizitorë më tepër. Shembull, në ato vende do të organizonim panaire dhe konferenca të turizmit.

“Epoka e re”: Te shoqata, të cilën ju e drejtoni, a janë lajmëruar turistët e huaj?


Hoti: Definitivisht ka pasur shumë kërkesa të vizitorëve nga shtetet e ndryshme, duke u nisur nga vendet aziatike, Gjermania, Austria dhe Turqia. Nga të gjitha shtetet ka pasur interesim për vizita. Ne si shoqatë i kemi adresuar këto kërkesa të këtyre grupeve tek agjencitë turistike që janë anëtare të shoqatës dhe nëpërmjet tyre ata kanë siguruar guidat dhe kanë vazhduar më tutje.

“Epoka e re”: Për cilat vende kishin më shumë interesim?


Hoti: Varet se cili është destinacioni i grupit dhe çfarë kërkojnë turistët. Në bazë të asaj bëhet paketa turistike. Ka grupe që kërkojnë vetëm haiking ose vetëm ecje nëpër male, ka grupe që u intereson kultura dhe monumentet e trashëgimisë. Kishte interesim për Prishtinën, Pejën, Prizrenin e kështu me radhë, por edhe për aktivitete të ndryshme.

“Epoka e re”: U keni dhënë mirënjohje Micky dhe Kasum Haxhiislamit për kontributin e dhënë në shtetin japonez për promovimin e turizmit të Kosovës. Sa ka ndikuar ky promovim në rritjen e numrit të turistëve nga Japonia?


Hoti: Ne ishim vitin e kaluar në promovimin e turizmit për herë të parë në Tokyo të Japonisë dhe aty kemi gjetur mbështetje nga Haxhiislami së bashku me bashkëshorten. Ata kanë qenë gjatë gjithë kohës në shtetin e Kosovës dhe kanë dhënë një kontribut në promovimin e turizmit. Ky bashkëpunim ka vazhduar edhe më tutje dhe shpresoj se ky do të thellohet, prandaj kjo është arsyeja pse bordi drejtues i shoqatës u ka ndarë mirënjohje. Promovimi ynë ka ndikuar pozitivisht dhe nga atje kemi rritje të numrit të turistëve. Siç e shihni edhe ju, është e pamundur të dalim në Prishtinë dhe të mos shohim turistë nga vendet aziatike. Ata janë një popull që shëtisin shumë dhe është mundësi shumë e mirë që dhe Kosova të jetë pjesë e paketave turistike. Shoqata jonë ka dhënë një kontribut për përpilimin e paketave ndërballkanike, në të cilat përfshihet edhe Kosova. Para dy vjetësh Kosova ka qenë vetëm vend transit, kurse tani është inkorporuar si destinacion turistik me vendet e tjera siç janë: Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia.

“Epoka e re”: Ka krijuar shoqata bashkëpunim edhe në vendet e tjera?


Hoti: Shoqata ka filluar dhe është duke punuar të kemi sa më shumë bashkëpunëtorë në vendet e ndryshme botërore. Tani i kemi dy bashkëpunëtorë në Japoni, por kemi edhe në Angli.

“Epoka e re”: Z. Hoti, na thoni si ka shkuar procesi i kategorizimit të hoteleve?


Hoti: Do të flas në emër të Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës. Mendoj se ky proces ka shkuar shumë mirë dhe ka qenë i domosdoshëm. Deri më tani janë kategorizuar 26 hotele. Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka filluar të dalë në terren. Ky inspektorat ka filluar t’ua heqë yjet të gjitha objekteve hoteliere, të cilat nuk i janë nënshtruar kategorizimit dhe klasifikimit. ‘Grand Hotel Prishtina’ i ka pasur pesë yje dhe tani i janë hequr të gjithë.


Albulena S. MAVRAJ
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)