29 Mars 2024

Mbrojtja e pyjeve mbetet sfidë për Kosovën

Prishtinë, 27 prill - Mbrojtja e mjedisit dhe natyrës në vitet e tranzicionit janë karakterizuar me veprime të paligjshme, duke filluar me prerje ilegale të drunjve, gjueti ilegale, shfrytëzim të gurëve për nevoja të thërrmimit, e deri te ndërtimet në zonat e mbrojtura siç janë Prevalla e Rugova.

Kështu ka thënë ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, në Sesionin e Dytë të Forumit Debatues për Sektorin Pyjor në Kosovë. Në këtë takim, ku merrnin pjesë dhe ministrat Memli Krasniqi e Blerand Stavileci, u bisedua edhe për rëndësinë që sektori i pyjeve ka në strategjinë e zhvillimit ekonomik. 

Agani tha se korniza ligjore e miratuar për sektorin e mjedisit është krijuar duke transpozuar dispozita nga Direktivat e BE-së për secilën fushë specifike e po ashtu legjislacioni mjedisor është i harmonizuar edhe me rregulloret relevante të BE-së. 

“MMPH-ja që nga viti 2007, për nëntë vjet me radhë, zbaton Monitorimin e Progresit dhe plotëson Pyetësorët e Zbatimit për legjislacionin mjedisor, Tabelat e Përshtatshmërisë i ka dërguar në institucionet e BE-së dhe nga atje vlerësimi është inkurajues - Direktivat e BE-së në përqindje të lartë janë transpozuar në legjislacionin kombëtar”, ka thënë Agani, i cili tha se karshi këtyre veprimeve Ministria nuk ka ndenjur duarkryq por ka ndërmarrë disa veprime që gjendja në terren të përmirësohet.

“Fillimisht kemi përgatitur Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Biodiversitet 2011-2020 të cilën e ka aprovuar Kuvendi i Kosovës më 7 tetor 2011 dhe menjëherë pas miratimit kemi ndërmarrë masat për arritjen e objektivave strategjike të definuara me këtë dokument strategjik. Njëra nga to ishte që të arrihet shtimi i sipërfaqeve të zonave të mbrojtura ne nivel vendi deri në 10%”, shtoi ai.

Ministri Agani tha se aktualisht po diskutohet për Projektligjin për Pyjet e Kosovës, me të cilin shpresohet të arrihet një konsensus që do të ndikojë në ecjen përpara të sektorit të pylltarisë.  

Pyjet janë potencial i rëndësishëm për zhvillim ekonomik dhe institucionet po punojnë që të ruajnë ato dhe ti shfrytëzojnë në mënyrë efikase për tërheqjen e investitorëve, tha ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, në fjalën e tij në këtë sesion.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se institucionet kanë bërë punë të mirë përkundër dukurive të prerjes ilegale të pyjeve. “Institucionet dhe sektori privat besoj që kanë bërë një punë të mirë, përkundër këtyre dukurive negative dhe vështirësive  të tjera që janë shfaqur me kalimin e kohës. Dhe mendoj që këtë sektor e kemi model të mira të funksionimit  e sidomos kur flasim për sektorin privat”, tha ai. 

Prandaj, sipas Stavilecit, Kosova mund të mburret me industrinë drunore, nga e cila me mijëra njerëz sigurojnë ekzistencën e tyre dhe krijojnë të mira materiale.

Ambasadorja e Finlandës, Anne Huhtamaki, tha se projektet për sektorin pyjor në Kosovë, janë projektet më të mëdha që Finlanda i ka bërë në Kosovë gjatë këtyre viteve dhe se projekti i pylltarisë prej që ka filluar prej pesë viteve është në përkrahje teknike si dhe është zhvilluar edhe një laborator në Pejë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)