28 Mars 2024

Serbia synon të rrit eksportin e produkteve bujqësore në tregun rus

Beograd, 20 gusht - Ndalimi për një vit nga Rusia i importeve të mishit, peshkut, qumështit, frutave dhe perimeve nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kanadaja, Australia dhe Norvegjia, mund të hapë dyert për eksportuesit serbë, të cilët mund të përfitojnë nga lidhjet tradicionale me Rusinë.

Serbia po shikon mundësinë për të rritur eksportin e produkteve bujqësore në tregun rus, nga 117 milion dollarë që është tani në 300 milion deri në fund të vitit.

Serbia është një ndër vendet nga të cilat Rusia synon të importojë produkte ushqimore, pas ndalimit që Moska u vuri eksportuesve perëndimorë si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të tyre për çështjen e Ukrainës.

Fermerët serbë dhe kompanitë serbe të frutave, druhen megjithatë se nuk kanë kapacitet e mjaftueshme për të plotësuar të gjithë boshllëkun e krijuar.

Në Ridjica, një fshat rreth 200 kilometra në veri të Beogradit, është stina e vjeljes së mollëve.

Kompania Apple World, e cila kultivon këtu 140 hektarë, prodhon 12 mijë ton mollë në vit.

Por drejtori i kompanisë Dushan Milivojeviç thotë se shtimi i eksporteve drejt Rusisë, mund të dëmtojë vazhdimin e eksporteve për në Bashkimin Evropian.

\"Shansi ynë këtu mund të jetë një thikë me dy presa, sepse kjo mund të na mbyllë disa kanale ekonomike për në Bashkimin Evropian. Pra, ne nuk do të jemi në gjendje t\'u ofrojmë atyre mall,\" thotë Milivojeviç, i cili shton se një tepricë prodhimesh bujqësore në BE mund të çojë në uljen e çmimit.

Sipas Dhomës serbe të Tregtisë, ka një interesim në rritje nga kompanitë e mëdha ushqimore për të filluar prodhimin në Serbi dhe për të përfituar nga trajtimi preferencial që i bën asaj Rusia.

Drejtori i Dhomës, Zeljko Sertic, thotë se interesimi i kompanive të mëdha evropiane për të filluar prodhimin në Serbi ishte një lajm i mirë, i cili mund t\'i bëjë prodhimet serbe më konkurruese jo vetëm në tregjet ruse, por edhe në BE dhe në tregjet e tjera.

\"Kemi oferta serioze nga kompanitë e mëdha evropiane për të ardhur këtu. Për ne është shumë e rëndësishme që ta përdorim këtë mundësi për të zbatuar sistemet që ekzistojnë sot në Evropë, sepse rruga drejt Bashkimit Evropian, është rruga drejt të gjitha tregjeve të tjera në botë,\" thotë Sertic.

Eksperti Milan Prostran, thotë se ndalimi importeve ushqimore nga Rusia do të dëmtojë ekonomikisht vendet fqinje, por i ofron Serbisë një rast të rrallë për të përfituar nga tregu i madh rus.

\"Ky është një shans, që nuk vjen shpesh. Për vendet fqinje, të cilat kanë zbatuar sanksione kundër Rusisë, eksportet do të kenë mjaft humbje, prandaj ne kemi një shans,\" thotë zoti Prostran.

Serbia ka thënë se nuk do të lejojë abuzime lidhur me eksportin e produkteve bujqësore nga Bashkimi Evropian në tregun rus, duke kontrolluar origjinën e mallrave bujqësore që eksportohen në Rusi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)