29 Mars 2024

Thaçi zotohet se do të investohen mbi 500 milionë euro në bujqësi

Istog, 19 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci dhe Ministri i Financave, Besim Beqaj, ka vizituar sot fshatin Kovragë të Istogut, ku është takuar dhe ka bashkëbiseduar me fermerë të këtij fshati dhe të fshatrave përreth.

Pasi ka potencuar investimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në bujqësi që nga viti 2008 e deri më tani, Kryeministri Thaçi ka vënë theksin në subvencionimin e fermerëve të gjithë Kosovës dhe në veçanti të fermerëve të Kovragës dhe të fshatrave tjera të Komunës së Istogut.

\"Sot ndihem mirë dhe shumë krenar që shoh këto plantacione të familjeve tuaja, shoh që ka ndodhur progresi dhe falënderoj ministrin Stavileci për punën që ka bërë me ju, në kontakte të drejtpërdrejta me ju. Falënderoj shoqatën \'Pema\' për bashkëpunimin që ka treguar me Qeverinë e Kosovës. Dhe, sot në fshatin tuaj Kovragë dhe në fshatrat përreth është rritur edhe sasia, por edhe cilësia e mollës. Ne do të vazhdojmë të investojmë në sektorin e bujqësisë, do të investojmë fuqishëm edhe në sektorin e pemëtarisë\"- tha Thaçi.

Gjatë fjalës së tij para pemëtarëve të Kovragës, Kryeministri Thaçi ka ritheksuar zotimin e tij që në katër vitet e ardhshme do të investohen mbi 500 milionë euro në bujqësi. Në kuadër të këtij investimi, pemëtaria do të zë një vend të rëndësishëm, potencoi Kryeministri Thaçi. 

\"Për çdo hektar që do të mbillni tash e tutje, të gjithë pa dallim, ju në Kovragë, në Burim dhe në gjithë Kosovën do të përfitoni nga treqind euro për hektar. Ne do të jemi me ju, do të punojmë me ju, do të forcohet partneriteti me ju. Ne duam që ju të keni sukses. Suksesi juaj do të jetë suksesi jonë, është sukses i shtetit tonë, është sukses i qytetarit tonë, i familjeve tona, është sukses dhe garanci për të ardhmen e shtetit tinë\" u shpreh Kryeministri Thaçi.

Po ashtu, Kryeministri Thaçi gjatë adresimit të tij para kultivuesve të mollës në Kovragë, ka folur edhe për krijimin e Fondit për punësim dhe zhvillim, një fond ky prej 1.5 miliard eurosh, që do të jetë një mundësi e mirë shtesë edhe për gjithë fermerët e vendit dhe i ka ftuar pemëtarët e Kovragës që të konkurrojnë me projekte në këtë fond.

Përfaqësuesi i shoqatës \"Pema\" të Kovragës, Safet Blakaj falënderoi Kryeministrin Thaçi për gjithë mbështetjen e tij dhe të Qeverisë së Republikës për pemëtarët e Kovragës dhe shprehu besimin e plotë që kjo mbështetje do të vazhdojë të thellohet edhe më shumë.

Pemëtarët e Kosovës, në kuadër të shoqatës \"Pema\" kanë të mbjellë gjithsej 81 hektarë me mollë, prej të cilave rreth 33 hektarë i kanë ngritur me pemishte në  bashkëfinancim me Ministrinë e Bujqësisë.

Anëtarët e saj, vitin e kaluar janë përfitues të mbi 210 mijë eurove grante investive.

Vlen të theksohet edhe mbështetja e projektit të pemëtarëve të kësaj shoqate për sistemin e ujitjes në vitin e kaluar në vlerë prej 90 mijë eurove, i cili është mbështetur nga Qeveria me grant investiv prej 67,736 eurove.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)