29 Mars 2024

Shqiptarët me Shekuj nuk po arrijnë të pajtohen mes Veti

Shkruar nga Albert Ramadani

Në Ballkan janë dy shtete me shqiptarë dhe mjaft shqiptarë të tjerë janë pjesë e rëndësishme e Maqedonisë apo e Malit të Zi.

Dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, nuk po arrijnë të prodhojnë sukses në qeverisjen e tyre, për më tepër, ato po vazhdojnë të eksportojnë imazhin e vendeve që nuk janë të qëndrueshme, që nuk kanë një projekt të qartë zhvillimi, që nuk respektojnë demokracinë, por që paraqiten si shtete që janë kapur nga banda rivale dhe që të vetmin shqetësim kanë pushtetin vetjak.

Ballkani nuk është stabilizuar dhe krizat e mëdha që po trondisin botën, duket se e kanë lënë pak anash vëmendjen ndaj këtij rajoni.

Mirëpo, për hir të së vërtetës, disa shtete në Ballkan nuk e kanë humbur identitetin dhe vazhdojnë të paraqiten me imazhin e tyre të qartë, qoftë edhe negativ. Serbia është një shtet që paraqitet me identitet të spikatur.

Ai vend nuk i ka harruar ende aspiratat ekspansioniste dhe nuk heq dorë nga imazhi i vet si qendra e Ballkanit. Imazhi që ai vend eksporton nuk janë grindjet e brendshme politike, por janë politikat e brendshme të qarta dhe paraqitja e tyre si një faktor i padyshimtë në rajon.

Megjithëse, ata janë autorët e krimeve më të përbindshme të kryera pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ata përsëri kanë ditur ta ruajnë kohezionin e tyre të brendshëm politik dhe jashtë Serbisë nuk eksportojnë imazhin e luftës së brendshme për pushtet apo të grindjes së bandave, por paraqiten si një faktor që mund të jenë nesër kërcënim për të tjerët nëse Europa rrëshqet në drejtim të errët.

Deri edhe shteti i vogël i Malit të Zi paraqitet me një peshë të admirueshme në Ballkan duke shfaqur seriozitetin e një vendi që ka aspiratë të orientohet nga Perëndimi dhe jo nga Rusia. Të mos flasim pastaj për Greqinë e cila, me zhvillimet e fundit politike, u imponoi të gjithëve respekt, sepse vërtet Greqia mund të ketë humbur shumë gjatë qeverisjeve korruptive të së shkuarës, por ajo ka konsoliduar demokracinë dhe referendumi apo zgjedhjet e fundit treguan se Greqia është një vend që eksporton të paktën një vlerë sa i takon Ballkanit, qëndrueshmëri demokratike.

 Në Shqipëri tash në fund ka shpërthyer një nga skandalet e radhës, ajo me emrin “CEZ” dhe opozita, opinioni publik, gazetarë të të gjitha niveleve, nga mëngjesi në darkë recitojnë vetëm një tekst, atë të akuzës publike.

Janë kthyer që të gjithë në prokurorë publikë dhe Shqipëria nuk ka më asnjë problem tjetër, por vetëm atë të vjedhjes në CEZ. Në Shqipëri nuk ekzistojnë institucionet, sepse politika është kthyer në një kafehane të madhe dhe arti i konspiracionit aq i dashur për shqiptarët është

kthyer në një sport kolektiv. Kjo ka lidhje edhe me psikikën dhe me konstitucionin antropologjik të shqiptarit.

Në vetëdijen tonë është i ngulitur rrëfimi i ngjarjeve me anë të paranojës mitike. Shqiptarët janë pengje të rrëfimit të historisë me anë të hiperbolave dhe me anë të metaforave mitologjike, prej të cilave që të gjithë nuk besojnë faktet, por perceptimin që kanë mbi faktin.

Ajo që ka ndodhur me CEZ është një histori e pastër korrupsioni, por tekstin e asaj historie nuk mund ta shkruajnë politikanët dhe as opinioni publik.

Atë tekst e shkruajnë organet kompetente të investigimit dhe ajo ngjarje është objekt për ta, nuk është objekt dhe as ushqim për trutë e rrjedhura të atyre që llomotisin nga mëngjesi në darkë për një histori që nuk u takon ta gjykojnë ata.

Mendoni se çfarë do të kishte ndodhur sikur skandali i Volkswagen-it të ishte prodhuar në Shqipëri.

Shqiptarët do të kishin dalë mendsh, sepse nuk do të kishte mbetur i madh dhe i vogël pa treguar detaje, pa rrëfyer episode, pa nxjerrë video, pa u çmendur me një fjalë.

Në anën tjetër, në Kosovë, askush nuk dëgjon fjalë tjetër vetëm se merr vesh për një opozitë që kërkon ta rrëzojë qeverinë me çdo kusht, me vezë, me protesta dhe një ish-kryeministër që ka vetëm një ëndërr, të bëhet president.

Nga ana tjetër, pothuajse çdo ditë do të mësosh nga një histori me vrasës e me të penduar. Dhe në të gjitha rastet do të marrësh vesh dy ngjarje: shqiptarë që vriten në Siri dhe shqiptarë që emigrojnë në Gjermani.

Elitat në të dyja këto shtete kanë rrjedhur ose janë shuar ose janë vetëpërjashtuar nga jeta publike ose në rastin më të keq janë degdisur tutje nga bandat që kanë marrë pushtetin dhe që në fakt, kanë pushtuar si Shqipërinë, si Kosovën.

Kështu, në të dyja rastet, pra si në rastin e Shqipërisë, dhe të Kosovës, gjendemi pak a shumë ashtu siç ishte gjendur Shqipëria në fillim të shekullit të shkuar, pra atëherë kur Fuqitë e Mëdha na dërgonin Princ Vidin për të na qeverisur.

Edhe atëherë Fuqitë e Mëdha na porositnin që të mos vjedhim, të mos vrasim, të respektojmë njëri-tjetrin. Edhe sot po të njëjtin mesazh na japin.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)