20 Prill 2024

Beqaj: Me Bordin e BERZH-it biseduam për projekte konkrete

Prishtinë, 23 tetor -  Ministri i Financave Besim Beqaj ka deklaruar sot se në takimin me anëtarët e Bordit të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim kanë biseduar për projekte konkrete dhe se i ka informuar lidhur me stabilitetin makroekonomik, për perspektivën ekonomike të vendit, por njëkohësisht edhe për raportet tona në të ardhmen në fushën e projekteve të karakterit  vendor dhe rajonal.

“Sot folëm për stabilitetin makroekonomik, për perspektivën ekonomike të vendit, por njëkohësisht edhe për raportet tona në të ardhmen në fushën e projekteve të karakterit rajonal, duke pasur parasysh hekurudhat, rrugët, involvimin e sektorit të energjisë dhe sektorë tjerë që gjithashtu janë me interes të veçantë për neve.

Por, njëkohësisht diskutuam edhe për një çështje tjetër,  që EBRD-ja të involvohet edhe më tutje sa më shumë që është e mundur në sektorin privat, sepse ideja jonë është që zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës dhe mirëqenies të bëhet përmes sektorit privat”, tha Ministri Beqaj.

Duke theksuar se kjo është vizita e parë e Bordit të BERZH-it në Kosovë, Ministri Beqaj theksoi se ky është një sinjal jashtëzakonisht i fuqishëm që EBRD-ja pas këtij viti të anëtarësimit është e angazhuar dhe bashkërisht do të shohim projektet e përbashkëta.

“ Janë dy projekte të cilat tanimë janë të aprovuara dhe janë duke u analizuar në kuptimin e përgatitjes së dokumentacionit, është projekti për linjën hekurudhore nga kufiri me Maqedoninë deri në Fushë – Kosovë, dhe pastaj do të vazhdojnë edhe dy projekte të tjera të cilat do të shkojnë deri në kufi me Serbinë, do të thotë në drejtim të Veriut.

Një projekt tjetër i cili është duke u përgatitur dhe është në fazën e analizimit është financimi i rrugës nga Kijeva në drejtim të Pejës, ky është bashkëfinancim me Bankën Evropiane për Investime, dhe tani janë në procesin e përgatitjes së dokumentacionit”, tha Ministri i Financave.

Pjesa tjetër e projekteve janë projektet energjetike, do të thotë duke përfshirë edhe financimin e projekteve që kanë të bëjnë me energjinë e ripërtëritshme por njëkohësisht edhe të linjave të interkonekcionit .

“ Projekti i cili është në fazën pothuajse përfundimtare është 90 milionë për hekurudhën nga kufiri me Maqedoninë deri në Fushë-Kosovë dhe pjesa tjetër deri në kufirin me Serbinë gjithashtu do të jetë diku  rreth 90 milionë”, tha Ministri Beqaj.

Kryesuesi i delegacionit të Bordit të Drejtorëve të BERZH-it,  Evren Dilekli tha se pavarësisht se Kosova është një anëtare e re, është bërë një fillim shumë i mirë gjatë vitit të kaluar dhe se kanë plane shumë të qëndrueshme për të ardhmen.

Ai gjithashtu shprehi fuqimisht angazhimin e  BERZH-it për të mbështetur popullin dhe shtetin e Kosovës dhe prosperitetin e ardhshëm të vendit.

”Në vizitën tonë e cila është një vizitë relativisht e shkurtër, jemi duke u takuar me zyrtarë të Qeverisë, klientë ekzistues, përfaqësues të komunitetit, përfaqësues të administratës lokale dhe shoqërisë civile dhe jemi duke u përpjekur që të kuptojmë sa më shumë të jetë e mundur se si ne mundemi sa më mirë ta ndihmojmë Kosovën në planin e saj për të ardhmen”, tha z.  Dilekli.

Gjatë takimit është diskutuar për përvojën e deritanishme me autoritetet e BERZH-it, se si ata i vlerësojnë fushat e bashkëpunimit dhe gjithashtu në cilat fusha ne jemi duke u përqendruar dhe cilat janë ato fusha kritike, siç u përmendën: energjia, infrastruktura, zhvillimi i sektorit privat, zhvillimi i NVM-ve të cilat janë duke u shfaqur si fusha të rëndësishme për zhvillim të mundshëm në të ardhmen, tha kryesuesi i delegacionit të Bordit të BERZH-it.

 
Përfaqësuesit e delegacionit të Bordit të Drejtorëve të BERZH-it:

-        Evren Dilekli, Drejtor për Turqi, Rumani, Azerbejxhan dhe Republikën Kyrgyz

-        Sean Donlon, Drejtor për Irlandë, Danimarkë, Lituani dhe Kosovë

-        Makoto Honda, Drejtor për Japoni

-        Ove Jensen, Drejtor për Irlandë, Danimarkë, Lituani dhe Kosovë

-        Artem Shevalev, Drejtor për Zvicër, Ukrainë, Lihtenshajn, Turkmenistan, Serbi, Mali I Zi dhe Moldavi

-        Lyen Tran, Drejtor për SHBA

-        Paul Vlaanderen, Drejtor për Holandë, Mongoli, Maqedoni dhe Armenia

-        Kalin Mitrev, Drejtor për Bullgari, Poloni dhe Shqipëri

-        Raphael Bello, Drejtor për Francë

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)