29 Mars 2024

Murphy: Partitë duhet të sakrifikojnë, për të mirën e vendit

Prishtinë, 19 tetor - Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpresojnë që partitë politike në Kosovë t’i lënë anash qëndrimet e tyre politike individuale dhe të gjejnë rrugën për dalje nga ngërçi politik, për të mirën e vendit, ka porositur të shtunën senatori amerikan, Christopher Murphy, i cili ka mbajtur një ligjëratë para studentëve në Universitetin Amerikan në Kosovë.

Senatori Murphy - duke komentuar, siç e ka quajtur ai, momentin e vështirë në Kosovë - ka tërhequr paralele duke thënë se në Senatin e Shteteve të Bashkuara në mënyrë të vazhdueshme ekzistojnë konfrontime me situata në të cilat ekzistojnë prioritete politike të partive, që nuk lejojnë hyrjen në koalicione për të bërë ndryshime në vend. Por, sipas tij, është dëshmuar se çdo herë kur shtohet kriza në SHBA, të dy partitë bashkohen për të mirën e vendit.

“Për këtë, ne, amerikanët, shpresojmë se kjo do të ndodhë këtu në Kosovë; që partitë politike do të jenë në gjendje t’i lënë anash qëndrimet e tyre politike individuale dhe do të krijojnë koalicion, që përfshin sakrificë personale për të mirën e vendit”, ka thënë senatori Murphy, dhe ka shtuar: “Shpresojmë se për një kohë të shkurtër miqtë e Kosovës do të jenë në gjendje ta vizitojnë Prishtinën dhe të takohen jo vetëm me presidenten, por të ulen dhe të takohen edhe me Qeverinë e re”.

Murphy ka theksuar se misioni parësor për ardhjen e tij në Kosovë është riafirmimi i partneritetit të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe, siç ka thënë, për ta duartrokitur përparimin që ka bërë Kosova.

Senatori ka theksuar se pesë vjet më parë, ka qenë e paimagjinueshme që sot mund të bisedohet për hapat pasues që janë ndërmarrë për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne e dimë se ajo që është e rëndësishme tash janë detajet e implementimit. Pra, kjo ishte një marrëveshje e paprecedente, historike, e papritur...”, ka theksuar senatori Murphy.

Ai gjithashtu ka vlerësuar përpjekjet e Kosovës në luftë kundër ekstremizmit.

Duke iu drejtuar studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë, ai u ka thënë studentëve se askush nuk do të jetë i kënaqur me shkallën e papunësisë, e në veçanti me shkallën e papunësisë në mesin e të rinjve, por, sipas tij, ekonomia në vend po rritet dhe se investitorët e jashtëm sot janë më të interesuar për Kosovën se kurrë më parë.

/REL/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)