19 Prill 2024

Inaugurohet Fabrika e djathit të dhisë

Kijevë, 20 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot ka bërë inaugurimin e Fabrikës së djathit të dhisë, në fshatin Kijevë të komunës së Malishevës.

Prerjen solemne të shiritit përurues e bënë kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla dhe pronari i Fabrikës z. Brahim Kryeziu.

 “Ishte një kënaqësi e veçantë që së bashku me ministrin Stavileci, jemi në një ndërmarrje shumë të suksesshme, një ndërmarrje kjo e cila sapo ka filluar punën, në një bashkëpunim shumë të ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë. Është një ndërmarrje e suksesit, një ndërmarrje që ka hapur rreth 40 vende të punës, vende të reja të punës” tha kryeministri Thaçi në ceremoninë e hapjes së kësaj fabrike.

 Në kuadër të mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, politikave zhvillimore që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, si dhe thellimit të partneritetit me bizneset, kryeministri Thaçi potencoi:

“Jemi këtu për t’i inkurajuar për të vazhduar tutje, për të thelluar partneritetin dhe ky partneritet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit të biznesit do të ketë sukses edhe në të ardhmen” tha kryeministri Thaçi.

 Kryeministri Thaçi me këtë rast iu bëri thirrje të gjitha ndërmarrjeve të vogla, të mesme dhe të mëdha, që të përgatiten dhe të aplikojnë në Fondin e Punësimit prej 1.5 miliardë eurosh, sepse përfitues mund të jenë të gjithë, duke u nisur nga performanca, nga suksesi, nga vendosmëria dhe zotimi për të hapur vende të reja të punës.

 Duke shprehur gatishmërinë tij dhe të Qeverisë së Kosovës, për t’i mbështetur ndërmarrësit e rinj, kryeministri Thaçi shtoi se “ky Fond i Punësimit prej 1.5 miliardë eurosh, është fondi i komunitetit të biznesit, është fondi i qytetarëve të Kosovës. Por, i ftoj edhe të gjithë ndërmarrësit tjerë, që duan me të vërtetë të hapin biznese të përgatiten dhe të jenë të gjithë përfitues të Fondit të Punësimit” – tha kryeministri Thaçi pas inaugurimit të Fabrikës së djathit të dhisë, në Kijevë të komunës së Malishevës.

 Pronari i Fabrikë së djathit të dhisë “Mati-Com”, Brahim Kryeziu, pasi shprehu falënderimin për vizitën e kryeministrit Thaçi, potencoi se “përkrahja e institucioneve ka qenë ajo që mua më ka shtyrë që të ecë përpara me vendosmërinë për zhvillimin e biznesit tonë”.

 Pas ceremonisë së inaugurimit të Fabrikës së Djathit të Dhisë në Kijevë, kryeministri Thaçi, vizitoi edhe fermat e disa blegtorëve në fshatin Bubavec, me ç ‘rast blegtorët shprehën falënderimin për kujdesin dhe ndihmën që është duke iu dhënë Qeveria e Kosovës në zhvillimin e këtij sektori mjaft të rëndësishëm.

 Gjatë vizitës në Bubavec, Kryeministri Thaçi poashtu ndau kohë të luajë futboll bashkë me disa të rinj të këtij lokaliteti. Me këtë rast z.Thaçi theksoi se këta talentë të rinj të futbollit, janë potenciali ynë i suksesit në sport në arenën ndërkombëtare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)