25 Prill 2024

Inaugurohet palestra sportive dhe fusha e futbollit në Gjakovë

Gjakovë, 23 nëntor - Në Gjakovë sot është bërë përurimi i renovimit të palestrës së sporteve “Shani Nushi”, si dhe i fushës së futbollit në hapësirat e jashtme të palestrës, e cila është bërë me investime dhe mbështetje të Bashkimit Evropian dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.

Në këtë ceremoni ishin prezent kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila, përfaqësuesi i zyrës së Bashkimit Evropian Christof Stock si dhe zv. Ministri i Kulturës Rinis dhe Sportit, z. Rexhep Hoti. Kryetarja Kusari Lila është shprehur shumë mirënjohëse ndaj Bashkimit Evropian për këtë investim si dhe për bashkëpunimin në projektet tjera madhore për Komunën e Gjakovës.

“Sot është një ditë e veçantë për ne, pasi jo vetëm se po përurojmë renovimet me shumë vlerë në palestrën e sporteve dhe të fushës së futbollit në hapësirat e jashtme të këtij pallati, por njëherit kemi edhe disa projekte me rëndësi të veçantë që do të kenë ndikim të madh për qytetarët e komunës.

Me Bashkimin Evropian, duke iu falënderuar z. Stock, do të realizojmë edhe renovimin e objektit të Kuvendit të Komunës, si dhe kemi përfituar projektin për ndërtimin e ngrohtores së re të qytetit në vlerë prej mbi 11 milion euro.

“Me përurimin e sotëm dhe me projektet që do të realizohen në bashkëpunim me BE-në, do të bëhet funksionalizimi i segmenteve vitale për zhvillim të mëtutjeshëm” ka theksuar  kryetarja Mimoza Kusari Lila.

Ndërkaq, Christof Stock, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka theksuar se ky është investim në rininë, mirëpo jo vetëm për ta por edhe për të gjitha moshat dhe gjinitë të cilët duan të merren me aktivitete sportive.

Stock, ka theksuar se tani më në këtë palestër janë zhvilluar aktivitete me rëndësi sportive, jo vetëm të nivelit të Kosovës por edhe më gjerë.

Ndërkohë, për fushën e futbollit ka thënë se është ndërtuar sipas standardeve të UEFA-s dhe të FIFA-s, ku për këtë fushë dhe renovimin e pallatit të sporteve, Bashkimi Evropian ka ndarë mjete në vlerë prej mbi një milion e pesëqind mijë euro.

Përurimin e sotëm e ka përshëndetur edhe Rexhep Hoti, zv. ministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili është shprehur se Gjakova meriton të ketë investime të tilla sepse është epiqendra e qytetërimit të Kosovës.

Ai ka cilësuar se “kryetarja Mimoza Kusari Lila është shembull i një shqiptare evropiane dhe lidere e qeverisjes së mirë, ndërsa projektet e saj duhet gjetur mbështetje dhe zbatim”. Në fund, delegacioni bashkërisht kanë vizituar palestrën sportive si dhe fushën e futbollit të ndërtuar jashtë palestrës sportive.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)