19 Prill 2024

MKRS i ndanë KOK-ut 150 mijë për 2015 dhe 300 mijë euro për 2016

Prishtinë, 27 nëntor - Pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, ku edhe vijnë përgjegjësi dhe pune të mëdha, MKRS-ja ka vendosë t’i ndajë për KOK-un së paku 150 mijë euro për 2015 e së paku 300 mijë për vitin 2016.

 Këtë e ka paralajmëruar ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, pas takimit të zhvilluar me kryetarin e KOK-ut, Besim Hasani, ku diskutuan edhe për hapat që do të ndërmerren deri me datë 9 dhjetor 2014 kur Sesioni i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) do të marrë vendim për pranimin e plotë të KOK-ut në KON.

Ministri Krasniqi tha se në këtë takim është bërë një rikapitulim i zhvillimeve të fundit pas njohjes së KOK-ut nga KON-i, ku kryetari Hasani e informoi edhe për vizitat në Tajlandë, me ftesë të Asociacionit të Komiteteve Olimpike Kombëtare dhe në Azerbejxhan me ftesë të Komitetit Olimpik Evropian.

Ai pret që në Sesionin e jashtëzakonshëm të KON-it që do të mbahet në Monako të ndodhë njohja e plotë e KON-it dhe e premtoi kryetarin Hasani se MKRS-ja do të ketë një rol qenësor në mbështetje të KOK-ut.

 “Pa dyshim, që pas datës 8 dhe 9, do të fillojë një etapë e re për sportin e Kosovës, një kapitull i ri për sportistët dhe për punëtorët sportivë, por po ashtu edhe për administratorët e sportit, e veçanërisht për KOK-un në radhë të parë, si kupola e organizimit sportiv të Kosovës,” tha ministri duke konstatuar se është e nevojshme që KOK-ut të rrisë kapacitetet dhe përgjegjësitë e veta krahas kërkesave të reja që kanë dalë pas njohjes.

Ministri Krasniqi i premtoi drejtuesve të KOK-ut se ashtu siç ka ndodhur në vazhdimësi, MKRS-ja do ta përkrah financiarisht KOK-un edhe në të ardhmen duke e rritur edhe më shumë mbështetjen.

“Ia konfirmova presidentit të KOK-ut, që tashmë pas miratimit të projekt-buxhetit për vitit 2015, por edhe në kuadër të kornizës afatmesme të shpenzimeve për vitet që pasojnë, ne kemi planifikuar që të ndajmë për KOK-un për vitin e ardhshëm së paku 150 mijë euro, për të ndihmuar në mbarëvajtjen e funksionimit dhe punës së KOK-ut, ndërsa kemi planifikuar së paku 300 mijë euro për vitin 2016, si vit përmbyllës i këtij cikli olimpik”, tha ai.

Ministri po ashtu vlerësoi se pas rritjes së nevojave dhe kërkesave për KOK-un është e nevojshme një mbështetje më e madhe për këtë organizatë edhe nga sektori privat, tani kur pritet që Kosova do të merr pjesë në Lojërat Evropiane 2015 në Baku dhe në Lojërat Olimpike 2016 në Rio.

Ai tregoi se me kryetarin Hasani kanë biseduar edhe për çështje konkrete në lidhje me hapat që duhet të ndërmerren, qofshin në avancimin e infrastrukturës sportive, por edhe në avancimin e mëtejmë të legjislacionit përkatës.

 “Propozimi i ynë si ministri ka qenë që vitin e ardhshëm të fillojmë me hartimin e një ligji të ri për sportin duke i marrë për bazë praktikat më të mira evropiane dhe padyshim që të shohim mundësitë edhe për përmirësimin e akteve nënligjore sipas rekomandimeve dhe propozimeve që janë diskutuar në KOK, të cilat pa dyshim duhet të përfshihen, ta zëmë përfshirja e shpërblimeve potenciale nga lojërat mediterane tek rregullorja për shpërblimet shtetërore”, ka thënë ministri.

 Ndërkaq kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, vlerësoi bashkëpunimin e jashtëzakonshëm që kanë pasur me MKRS-në duke përmendur se është një bashkëpunim që e kanë lakmi edhe shtetet tjera, e i cili rezultoi me njohjen e KOK-ut nga KON-i.

“Ka qenë kënaqësi dhe gëzim i madh që KOK-u u njoh nga Bordi Ekzekutiv i KON-it me 22 tetor, njohje kjo që nuk vjen vetëm si rezultat i punës së KOK-ut por i një bashkëpunimi të shkëlqyer që besoj ia kanë lakmi shumë shtete të tjera, midis institucionit jo qeveritar dhe qeveritar, në këtë rast, KOK-ut e federatave sportive me ministrinë përkatëse të sportit, ku ishte rasti ta falënderojmë për këtë bashkëpunim të jashtëzakonshëm edhe ministrin Krasniqi për këtë të arritur të vendit tonë”, tha Hasani i cili e konsideroi njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe si e përafërt me njohjen që do t’i bëhet Kosovës nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Kryetari Hasani përmendi se me njohjen e KOK-ut nga ana e KON-it, Kosovën e presin përgjegjësi më të mëdha ku rriten kërkesat për avancimin e performancës të sportistëve, trajnerëve, të ekspertëve por edhe të njerëzve që janë të angazhuar në KOK.

“Tërë këto kërkojnë mbështetjen financiare e cila as më parë nuk ka munguar dhe ky paralajmërim për ngritje të mbështetjes në proporcion me rritjen e nevojave është për çdo respekt dhe pa dyshim se do të na ndihmojë shumë”, tha ai, duke u shprehur se angazhimi personal i ministrit Krasniqi ka lehtësuar në masë të jashtëzakonshme pranimin e KOK-ut në KON. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)