19 Prill 2024

Prizreni duhet të forcoj kontrollet dhe monitorimin te lejet ndërtimore

Prizren, 30 korrik - Në kuadër të projektit për monitorimin e zhvillimeve në sektorin e urbanizmit të Prizrenit, EC Ma Ndryshe ka shqyrtuar çështjen e lejeve të ndërtimit që lëshohen nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, pasi që kjo temë është theksuar në kuadër të gjeturave të Raportit të Auditorit për vitin 2014.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka konstatuar se në një numër të konsiderueshëm të kërkesave të aprovuara për leje të ndërtimit dokumentacionet nuk kanë qenë të plotësuara, ndërkohë që edhe ata që janë pajis me leje nuk i janë përmbajtur kritereve urbanistike, derisa Komuna nuk ka marrë veprime ndaluese në këtë drejtim.

“Një prej burimeve kryesore të hyrave vetjake është ai nga lejet e ndërtimit. Të hyrat e  komunës për  leje  ndërtimi në vitin 2014 ishin 593,643 euro. Rishikimi  ynë ka identifikuar që nga 784 kërkesa të bëra gjatë vitit, vetëm 502 prej tyre ishin aprovuar, dokumentacioni i kërkuar nuk  është  plotësuar. Ne  kemi  vërejtur  që edhe ata të cilët  janë  pajisur  me  leje  ndërtimi, nuk  i  përmbahen  kritereve  të përcaktuara  nga urbanizmi.  Për  më  tepër, Komuna  nuk  ka ndërmarrë  masa adekuate për ndalimin e kësaj praktike”, shkruan në raport.  

Sipas Auditorit, Komuna nuk ka arritur të vendos kontrolle efektive dhe monitorim të duhur gjatë trajtimit të rasteve të ndërtimit. Numri i ulët i trajtimit të aplikacioneve për leje ndërtimi ka ndikim direkt në uljen e të hyrave potenciale nga ky burim dhe në shtimin  e  rrezikut  për ngritje të numrit  të  ndërtimeve  ilegale.  Në  anën  tjetër, mungesa   e   kontrolleve   dhe   monitorimit   të   procesit të   lëshimit   të   lejeve ndërtimore, mund të rezultojë me shkelje të kërkesave ligjore dhe standardeve të ndërtimit.

Rekomandimi që jep ZAP është se Kryetari  i Komunës duhet  të  sigurojë  që  numër  i  mjaftueshëm  i  stafit të  shkathtë është  i angazhuar në drejtorinë e Urbanizmit dhe me kohë trajton të gjitha aplikacionet për  leje  ndërtimi.  “Kontrollet  dhe  monitorimi  në  këtë  proces  duhet  të  forcohen për   të   parandaluar ndërtimet   pa   leje   dhe mbindërtimet.   Nëse është   e  nevojshme, të aplikojë edhe ndëshkimet e parapara me ligj”, thuhet në raport. 

Duke i marrë për bazë këto të dhëna EC Ma Ndryshe vlerëson se Qeveria Komunale ka telashe serioze sa i përket vendosjes së rendit urbanistik në Prizren dhe përfundimet e Auditorit tregojnë edhe njëherë se kjo gjendje po ndikon negativisht në urbanizimin e qytetit dhe në buxhetin komunal.

Prandaj EC Ma Ndryshe rekomandon Komunën e Prizrenit që në afatin sa më të shkurtër kohor të reflektoj mbi të gjeturat e fundit të Auditorit në lidhje me lejet ndërtimore dhe t’i ndërmarrë veprimet e duhura për zbatimin e rekomandimit të ZAP-it;

"I bëjmë thirrje qeverisë komunale të Prizrenit që të veproj konform përgjegjësive ligjore që ka dhe të marrë veprime konkrete për ndalimin e degradimit urbanistik brenda qytetit; dhe

Kërkojmë që kontrollet dhe monitorimi te lejet ndërtimore të forcohen për të parandaluar ndërtimet   pa  leje  dhe mbindërtimet", thekson EC Ma Ndryshe.

“EC Ma Ndryshe” në korrik të vitit 2013 ka nisur zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Projekti do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)