25 Prill 2024

Gjilan, mungon një impiant për trajtim të ujërave të zeza

Gjilan, 17 dhjetor - Në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) në Gjilan u tha se kjo komunë përballet me një varg problemesh mjedisore, që ndër të tjera kanë shkaktuar edhe vërshime të lumenjëve.

Diskutimi u mbajt në kuadër të projektit “Mbrojtja e Lumenjëve” të financuar nga Ambasada Amerikane, ku u debatua për draft strategjinë kombëtare të ujërave 2014-2033.

Duke prezentuar këtë strategji para përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe të shoqërisë civile, Milaim Morina nga QPA tha se qëllimi i përgjithshëm i strategjisë është: të sigurojë zhvillimin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve ujore, të cilat janë të domosdoshme për shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin social-ekonomik të Kosovës; të sigurojë mbrojtjen e resurseve ujore nga ndotja, tejshfrytëzimi dhe keqpërdorimi; si dhe të përcaktojë strukturat insitucionale për administrimin e resurseve ujore.

Drejtori për mbrojtje dhe shpëtim në komunën e Gjilan, Halit Rexhepi tha se problemet kryesore mjedisore janë sistemi i dobët i ujitjes dhe kanalizimeve,  mungesa e mirëmbajtjes së kanalizimeve, kapaciteti i ulët i gypave që përcojnë ujërat e zeza, mungesa e digave kontrolluese pranë lumenjëve gjë që ka rezultuar me vërshime, ndërtimet pranë zonës së lumenjëve etj.

Ndërkaq zyrtari për mbrojtje të mjedisit në komunën e Gjilanit, Fehmi Agushi theksoi se Gjilani është në shkallën e katërt të ndotjes së mjedisit, që sipas tij, vlerësohet si ndotje e nivelit të lartë.

Ai tha se mungon një impiant për trajtim të ujërave të zeza, ndërkaq menaxhimi i ujërave atmosferike mbetet i dobët dhe si pasojë gjatë rreshjeve bllokohen rrugët dhe vërshohet qyteti. Ky zyrtar bëri të ditur se komuna ka plan zhvillimor urban dhe plan për veprim në mjedis, teksa  po punon për të përmirësuar gjendjen mjedisore.

Përfaqësues të shoqërisë civile ndërkaq vlerësuan se ndotja më e madhe e lumenjëve në Gjilan bëhet nga derdhja e ujërave të amvisërisë, ndërkohë që në mungesë të një kolektori, ujërat e zeza dhe ato atmosferike derdhen në të njejtin gyp.

Debati në Gjilan për draft-strategjinë kombëtare të ujërave 2014-2033 pasoi atë në Rahovec dhe Obiliq, ndërsa QPA do të vazhdojë të mbajë debate të ngjashme edhe në disa komuna tjera të Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)