28 Mars 2024

Senati amerikan kundërshton naftësjellësin nga Kanadaja

Washington, 20 nëntor - Senati amerikan refuzoi ndërtimin e një naftësjellësi që do të transportonte naftën kanadeze drejt rafinerive amerikane.

Ka ende një shans që projekti prej 5 miliardë dollarësh të miratohet vitin e ardhshëm, kur të fillojë nga puna kongresi i ri, por presidenti Obama ka paralajamëruar se ai do t’i verë veton.

Ky propozim ka nxjerrë në pah ndasi të mëdha në Kongres në lidhje me të ardhmen energjitike të Amerikës.

Në një vend që varet nga hidrokarburet për energji, mbështetësit e projektit Keystone premtojnë një të ardhme më të mirë nëse ai realizohet.

“Për herë të parë do të jetë e mundur pavarësia energjitike e vendit tonë”, shprehet Senatorja demokrate Mary Landrieu.

Kundërshtarët e projektit paralajmërojnë për një katastrofë ekologjike me kosto njerëzore.

“Çdo dollar që shpenzojmë sot për naftë, është një dollar i harxhuar për t’i hapur varrin fëmijëve tanë”, shprehet Senatori demokrat Tom Harkin.

Ajo që po diskutohet është një naftësjellës i ri në Amerikën Veriore për të transportuar nga Kanadaja 830 mijë fuçi nafte në ditë më shumë. Mjedisorët thonë se kjo naftë nuk është e nevojshme dhe do të shtojë çlirimin e gazeve të dëmshme në atmosferë.

“Në vende si Amerika është shtuar prodhimi i naftës, kështu që mund të themi se në vitet në vazhdim nuk do të kërcënohemi nga mungesa e balancës ndërmjet kërkesës dhe ofertës, që ka shkaktuar kriza në tregjet e karburantit”, shprehet Tyson Slocum, i Programit Publik të Energjisë.

Mbështetësit e projektit të tubacionit thonë se sigurimi i energjisë nga burime të sigurta dhe të përballueshme është një shqetësim global.

“Ne duhet të sigurojmë më shumë energji të prodhuar nga burimet klasike të energjisë. Sipas anketave të OKB-së, shqetësimi kryesor i njerëzve është energjia e përballueshme, ndërsa çështja e mbrojtjes së klimës është në fund të listës”, shprehet ekonomisti i energjisë, Nick Loris, i fondacionit Heritage.

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët e miratoi projektin Keystone javën e kaluar. Mbështetësit e projektit në Senat dështuan për një votë, për të arritur shumicën e duhur prej dy të tretash, por miratimi mund të arrihet vitin tjetër, kur republikanët do të kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit. Projekti mbështet fuqishëm nga senatori republikan Mitch McConnell, i cili do të jetë kreu i shumicës në Senat në muajin janar, dhe që ka premtuar që tani një votim të hershëm.

“Projekti Keystone XL ka kuptim. Është një projekt që do të rrisë vendet e punës për amerikanët, do të sigurojë furnizimin me energji për Amerikën Veriore, dhe ndërkohë do të ketë ndikim minimal mbi klimën. Prandaj ka dhe mbështetjen e popullit amerikan.”

Shtëpia e Bardhë ka dhënë shenja se presidenti do të vendosë veton nëse projekti miratohet. Presidenti Obama është mbështetës i burimeve alternative të energjisë, ashtu siç është Senatorja demokrate Barbara Boxer.

“Më lejoni t’ju shpjegoj se si sigurohet pavarësia energjitike. Duke shtuar prodhimin sa të mundemi brenda venditgjë që e kemi bërë, dhe duke investuar në energjinë diellore, erën, atë gjeotermike dhe energjitë e pastra të së ardhmes. Në se përqafojmë një axhendë të energjisë së pastër, atëherë përfitohen më shumë vende pune dhe nuk ka ndotje të mjedisit.”

Sondazhet tregojnë se amerikanët janë të shqetësuar për ndryshimet klimatike, por gjithashtu dëshirojnë burime më të lira energjitike dhe më shumë vende pune.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)