28 Mars 2024

Të rinjtë dhe delikunca në Kosovë

Shkruar nga Avdullah Hasani

Delikuenca është një dukuri shoqërore komplekse, njohja e plotë e së cilës kërkon një studim shkencor multidisiplinar. Shikuar historikisht, delikuenca e të miturve është e vjetër sa edhe vetë njeriu dhe shoqëria. Ajo gjithmonë ka ekzistuar dhe është shfaqur ku më pak e ku më shumë, varësisht nga ndryshimet në shoqëri dhe në mjedisin ku jetojnë të rinjtë

Delikuenca e të rinjve nuk paraqitet befas, por ka një fazë parapërgatitore që fillon me sjellje asociale nga mosha e pubertetit. Sjelljet asociale të fëmijëve në këtë moshë janë të shumta dhe të ndryshme.

Ato shfaqen në një gamë të gjerë si kokëfortësi, fyerje dhe sharje, rrahje, mosbindje, ikje nga shkolla, ikje nga shtëpia,  etj. Në qoftë se në këtë moshë nuk merren masa të duhura për mënjanimin e tyre, ato dalëngadalë rriten e shumohen dhe bëhen potencial për delikuencë të vërtetë, deri tek përmasat më të rënda.

Delikuenca kudo në botë, në përgjithësi, shfaqet në forma përafërsisht të njëjta, por me disa veçanti që lidhen me sistemin legjislativ dhe me zhvillimin ekonomik të vendit të caktuar, kurse ne   kemi jetuar kohën nëpër të cilen ka kaluar Kosova.

Si pasojë e multifaktorëve të ndryshëm, jeta delikuente e të rinjve  duket se do jetë shumë aktive në të  ardhmen, duke u bazuar në të tashmen dhe në analiza dhe tregues, të cilët tregojnë se kjo dukuri po zhvillohet vrullshëm në jetën shoqërore-institucionale ku si protagonist kryesorë janë  “gangsterët” e ardhshëm, e ata  “gangsterë” janë fëmijët delikuentë, me një fjalë të miturit delikuentë.

Shkollat  janë arenë kryesore  e përleshjeve ndërmjet të të miturve, madje Policia e Kosovës shpesh nuk mund t’i evidentojë të gjitha rastet e dhunës së të miturve nëper Kosovë, ngase ata vendosin t’i zgjidhin vetë zënkat dhe problemet me të tjerët dhe nuk i raportojnë në polici.

Nga dhuna në mes të të miturve jo rrallë nuk kanë shpëtuar as bankat e klasës, korridoret , dritat e klasës dhe oborret  e shkollave, të cilave, shpesh janë bërë arenë e përleshjeve mes individëve apo grupeve të ndryshme të të rinjve në shkolla.

Një numër i madh i hulumtimeve, të bëra nga organizata të ndryshme si dhe nga Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës, tregojnë për rritje të numrit të rasteve delikuente nga të rinjtë në Kosovë. Dhe kjo është shqetësuese! Ndaj, disa organizata kanë ndërmarrë fushata të ndryshme për ta parandaluar delikuencën e të miturve, por nuk janë treguar edhe aq të suksesshme.

Në shumë shkolla të Kosoves paraqiten raste të rrahjeve ndaj profesorëve apo kujdestarëve të klasës nga nxënesit e tyre, duke përdorur dhunë ndaj tyre. Statistikat tregojnë dhe paralajmrojnë se këta delikuentë të vegjël dikur do rriten dhe do bëhen kriminelë profesionistë, duke udhëhequr apo organizuar grupe mafioze kriminale në të ardhmen…

Disa prej faktorëve që kanë ndikuar të paraqitet kjo dukuri negative janë:

- Ndikimi i kinematografisë apo shikimi i filmave me përmbajtje kriminale, dhunë e aksioni, duke marrë parasysh se DVD-të janë mjaft të lira, të cilat në treg hasen kudo me vetëm 0,50 euro .

Largimi nga leximi dhe mësimi çdo ditë e më shumë ,edukimi familjar jondikues tek ta ,mësimi tejet jocilësor dhe jokorrekt nëper institucionet shkollore ,shkaqet ekonomike-financiare dhe dobësimi i moralit, i cili po zvetënohet dalëngadalë (falë edhe serialeve me përmbajtje pornografike.

Por, duhet cekur këtë, faktor kriminogjen me ndikim të madh konsiderohet edhe paslufta dhe pasojat e saj. Paslufta ka ndikuar të shtohet agresiviteti tek të të miturit edhe nga traumat e shkaktuara apo të përjetuara gjatë luftës si dhe pas saj. Rrjedhimisht, këto kanë sjellë varfëri të skajshme dhe tani të rinjtë, në pamundesi për t’i arritur qëllimet e tyre në mënyrë të duhur, brendapërbrenda normales, zgjedhin alternativa të tjera të papranueshme për një shoqëri të shëndoshë.

Për reduktimin e delikuencës së të rinjve me mjete të ndryshme fizike e rrethanore, nuk mjafton vetëm njohja dhe argumentimi i fenomenve shkak-pasojë.

Një “diagonozë” e tillë nuk është në gjendje të reflektojë interesin e caktuar, as për nga intensiteti që mund të ushtrojnë nevojat emergjente të të rinjve. Edukata morale në shkollë, nëse ajo zbatohet, dhe kjo ndodh në rastin më të mirë, një ose dy orë në javë lë shumë për të dëshiruar.

Së këndejmi, duhet cekur se përmbajtja e mësimve “moralizuese” u konvenon të rinjve vetëm ndonjëherë, njëfarë rastësie kjo si formë aberante, largimi apo refuzimi të sjelljes apo mirëshelljes së dëshiruar.

Për ta ndryshuar këtë fenomen negativ, aktualisht nuk bëhet sa duhet e kërkohet,  edhe pse ka pasur shumë pak  individë, organizata dhe institucione arsimore që kanë bërë trysni mbi pushtetin qendror që të jenë më aktivë dhe më efikas në luftimin e kësaj dukurie.

Ajo që tani  i duhet në të vërtetë Republikës së Kosovës është që të luftojë këtë dukuri dhe të investojë në sektorin e rinisë meqenëse pjesa  dërrmuese e popullatës së Kosovës janë të rinj dhe me të rinjtë duhet dhe mund të krijohet një imazh i mirë për Kosovën.

(Autori është President i Këshillit të Rinisë Evropiane të Kosovës)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)