29 Mars 2024

Përkrahet koncesionimi i Brezovicës

Prishtinë, 31 mars - Qendra e skijimit në Brezovicë do të jepet në shfrytëzim për një periudhë afatgjatë prej 99 vjetësh.

Njohës të çështjeve ekonomike përkrahin procesin e dhënies me koncesion, duke thënë se ai do të sjellë efekte të shumta ekonomike.

Por, ekspertë të turizmit, shfaqin drojën se koncesionimi do të zgjasë shumë dhe nuk do të japë efekte të shpejta. Afati për shprehjen e interesit për këtë kompleks është deri pasnesër (2 prill), kurse deri në shtator pritet të bëhet dhënia e kontratës.
 
Kosova ka resurse të shumta të turizmit malor. Por, në mungesë të investimeve dhe shfrytëzimit të përshtatshëm të tyre, sektori i turizmit ka mbetur tejet i pazhvilluar dhe potencialet të pashfrytëzuara.

Kompleksi më i madh turistik në Kosovë është Qendra e Skijimit në Brezovicë, që ndodhet në malet e Sharrit. Përpjekjet e deritashme për zhvillimin e kësaj qendre, kanë rezultuar pa sukses. Tani Qeveria ka marrë vendim që Brezovica të jepet me koncesion për periudhën 99 vjeçare, por jo të privatizohet, siç ishte planifikuar më parë.

Eksperti i turizmit, Zekë Çeku, përkrahë çfarëdo nisme nga Qeveria për zhvillimin e këtij kompleksi, por thotë se procesi i koncesionimit, kërkon shumë kohë për t’u zhvilluar.

“Problemi është koha. Duhet me e nda, të bëhet privatizimi i qendrës ekzistuese, të vazhdohet me master-planifikimin, të vazhdohet me koncesionin. Nuk e kundërshtoj koncesionin, përkundrazi e konsideroj që është në rregull, mirëpo nuk kemi përvoja, duhet të dalim në vendet e rajonit, të marrim përvojat e tyre dhe të vlerësojmë se çka është e përshtatshme për ne”, thotë Çeku.

Eksperti i ekonomisë, Haki Shatri, ish ministër i ekonomisë dhe financave, thotë se në Brezovicë nuk është investuar fare për një kohë të gjatë, prandaj përkrah çfarëdo projekti, që ndikon në zhvillimin e tij.

“Mendoj që janë vonuar deri tash, por e di që në disa aspekte ka pasur edhe pengesa politike. Nuk mund të jap vlerësime të sakta se cila metodë do të jetë më e mirë, por duke u nisur prej rezultateve të deritashme të privatizimit, mendoj që ndoshta është më mirë koncesioni, për shkak se shteti e ruan pronësinë mbi asetin dhe nxjerr një rezultat në atë sektor”, tha Shatri.

Kurse profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, thotë se Kosova do të ketë përfitime të shumta nga procesi i dhënies me koncesion të Brezovicës.

“Përkitazi me dhënien e Brezovicës me koncesion, mendoj që pa marrë parasysh me çfarë përqindjeje, nga aspekti i ekonomisë së tregut të lirë do të ketë leverdi ekonomike në shumë dimensione, do të ketë investime të drejtpërdrejta të huaja, do të rritet numri i të punësuarve, do të zhvillohet turizmi malor dhe do të ketë qarkullim më të madh”, thekson Tahiri.

Në bazë të projektit, investitorëve do t’iu kërkohet të paraqesin konceptet e tyre për zhvillimin e Brezovicës, përkatësisht masterplanin e hapësirës. Atje janë përcaktuar katër zona për zhvillim; zona B është Brezovica ekzistuese, kurse A, C dhe D janë zona të reja të propozuara për zhvillim.

Këto zona, ku lartësia shkon deri në 2 mijë e 300 metra, paraqesin mundësi për hapjen e shtigjeve të reja, por edhe ndërtimin e objekteve hoteliere, fshatra turistike etj.

Ndryshe, shpallja e shprehjes së interesit për projektin zhvillimor të Brezovicës është bërë më 31 janar, afati për dorëzimin e shprehjes së interesit është më 2 prill, shpallja e tenderit parashihet të bëhet në muajin prill ose maj, kurse dhënia e kontratës në gusht apo shtator.

/RTK/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)