28 Mars 2024

AKPM dhe Dogana fuqizojnë masat për kontrollin e importit të barnave

Prishtinë, 24 korrik - Agjensioni i Kosovës për Produkte Medicinale (AKPM) dhe Doganat e Kosovës kanë fuqizuar masat për kontrollin e importit të produkteve farmaceutike në vend.

Kështu u tha sot në një konferencë për media të këtyre dy autoriteteve të mbajtur në Ministrinë e Shëndetësisë, në të cilën u fol edhe për udhëzuesit e barnave në gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës.

Mr. Ilir Dushi, kryeshef ekzekutiv i AKPM-së, tha se me qëllim të garantimit të kualitetit të barnave të cilat i përdor popullata në Kosovë, AKPM, ka vendosur nga data 5 korrik 2013 inspektorin e saj në dy pika të caktuara doganore ku bëhet zhdoganimi i produkteve mjekësore: në “Inter-europa” dhe në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

“Këtë e kemi bërë në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe fillimi i punës së inspektoratit në këto dy pika, ka nxjerr në pah edhe probleme të theksuara, të cilat do t’i eliminojmë, sepse nga kontrollimet e inspektorëve në këto dy pika, është parë se ka produkte që importohen, dokumentacioni i të cilave me rastin e importit nuk korrespondon me dokumentacionin që lëshohet nga AKPM-ja, si numrat serik, etj.”, tha Dushi.

Ai tha se AKPM-ja është e përkushtuar që t’i luftojë dukuritë negative të kësaj natyre, ndërsa siguroi se produktet e ndjeshme termolabile që futen në Kosovë, si vaksinat apo produktet e gjakut, janë të sigurta, pasi që AKPM ka vendosur një sistem të sinjalizimit të ndryshimeve në temperaturën e tyre, me qëllim që qytetarët të marrin preparate të sigurta.

Bashkë me inspektorin farmaceutik Basri Rexha dhe zyrtaren nga dega e Zyrës së Zhdoganimit në “Inter- europa”, Fitore Mehmeti, ata kanë raportuar për punën në këto dy pika.

“Doganat janë duke bashkëpunuar shumë mirë me AKPM-në, ne ndjekim procedurat që janë në mandatin tonë, kurse AKPM kryen punën e vet sa i përket lejeve të importit dhe dokumenteve të tjera që kërkohen. Na ka dal më shumë punë, por sigurisht që është me interes dhe së bashku ja dalim”, tha ajo.

Në këtë konferencë për media, u fol edhe për fletë-udhëzuesit e barnave, ku disa kompani,, sipas kryeshefit ekzekutiv Ilir Dushi, që përbëjnë pakicën e produkteve që hyjnë në Kosovë, nuk i kanë këta udhëzues në gjuhët zyrtare të Kosovës.

“Ligji i obligon kompanitë apo distributorët që këtë udhëzues t’i kenë edhe në gjuhët zyrtare dhe ne jemi duke punuar për ta gjetur mënyrën se si kjo të bëhet, duke i bërë distributorët më të përgjegjshëm dhe importet apo barnat që nuk i kanë këta udhëzues, të mos lejohen të hyjnë që në pikat kufitare”, tha Dushi. Ai theksoi se disa prodhues të huaj, të cilat kanë disa seri të barnave, që për ta Kosova nuk paraqet treg të madh, nuk i kanë vendosur udhëzuesit në gjuhët zyrtare, por kjo do të ndryshojë dhe në të ardhmen, të gjitha barnat që do të hyjnë në tregun kosovar, duhet t’i kenë ato.

Kryeshefi i AKPM-së ka njoftuar gjithashtu, se në interesim dhe me kërkesë të AKPM-së, Interpoli e ka njoftuar dje këtë agjension se ka marrë informacion nga Agjensioni i Barnave i Serbisë, të cilat thonë se ky agjension nuk ka arritur të gjejë se produktet e tri kompanive serbe, që qarkullojnë edhe në Kosovë (Hemofarm AD, Jugoremedia dhe FHI Zdravlje), mund të dëshmojnë që e kanë certifikatën e produktit farmaceutik (CCP Certificate).

Kjo sipas Dushit, shtron nevojën që të ndërmerren masa ndaj këtyre produkteve, duke hequr autorizim marketingun për to dhe duke marrë në konsideratë edhe largimin e tyre nga tregu në Kosovë.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)