19 Prill 2024

Kosova voton sot për parlamentin e ri

Prishtinë, 12 dhjetor - Sot zhvillohen zgjedhjet e para parlamentare që pas shpalljes së pavarësisë. Votimi ka nisur rregullisht në disa zona, si në Prishtinë , kryeqendrën e Kosovës, në Prizren, në Pejë, etj, por gjithashtu edhe në Mitrovicë.

Zyrtarë të KQZ-ve, thonë se materiali zgjedhor tashmë është shpërndarë në të gjitha qendrat e votimit gjithandej Kosovës dhe që nga ora shtatë ka filluar procesi i votimit, i cili do të zgjatë deri në orën 19 të mbrëmjes.

Organizatorët e zgjedhjeve thonë se akoma janë duke mbledhur informata nga komisionet zonale për të parë nëse me kohë janë hapur të 746 qendrat e votimit, në të cilat janë paraparë të jenë 2.280 vendvotime.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se numri i përgjithshëm i votuesve kosovarë këtë vit është mbi 1.6 milion. Ata do të mund të votojnë në 746 qendra të votimit, me gjithsej 2.280 vendvotime.

Në zgjedhjet e sotme marrin pjesë 29 subjekte politike, nga të cilat 7 i përkasin shumicës shqiptare, 8 janë nga radhët e komunitetit serb, 4 janë subjekte boshnjake, 2 turke dhe 8 subjekte nga pakicat e tjera.

I diskutueshëm mbetet zhvillimi i procesit të rregullt zgjedhor në pjesën veriore të Kosovës, ndonëse KQZ-ja për këtë zonë ka parashikuar vendosjen e 114 ekipe te lëvizshme.

Përfaqësuesit e serbëve të veriut janë shprehur kategorikisht kundër pjesëmarrjes së komunitetit të tyre në zgjedhjet parlamentare, por, megjithatë, zyrtarët kosovarë dhe ata ndërkombëtarë mbeten optimistë.

Në këtë zonë, autoritetet e vendit kanë parashikuar masa shtesë të sigurisë për të ofruar, ambient të volitshëm votimi. Në zgjedhje, janë mbi 32 mijë vëzhgues që do të kujdesen për monitorimin e zgjedhjeve të sotme.

Prej tyre, mbi 26 mijë u përkasin partive politike, 493 organizatave ndërkombëtare, 351 ambasadave si dhe mbi 5 mijë vëzhgues nga organizatat joqeveritare.

Koalicioni “Demokracia në Veprim” ka akredituar 5 mijë monitorues të tërë procesit, ndërsa Rrjeti Evropian i Organizatave Monitoruese të Zgjedhjeve, ENEMO, ka konfirmuar arritjen e 182 vëzhguesve ndërkombëtarë.

Gara e sotme zhvillohet për 100 vende në Parlament, pasi 20 vende të tjera janë paraprakisht të rezervuara - 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet e tjera pakicë.

Votimi i mocionit të mosbesimit të qeverisë dhe rrjedhimisht shpërndarja e Kuvendit më 2 nëntor të këtij viti, çoi në organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Rreth 800 vëzhgues ndërkombëtarë do të vëzhgojnë zgjedhjet e sotme. 34 ekipe më afro 500 vëzhgues janë nga ambasadat e shteteve perëndimore në Kosovë.

Shefi i zyrës civile ndërkombëtare, Peter Feith, së bashku me ambasadorët e QUINT-it, u kanë bërë thirrje qytetarëve që masivisht të marrin pjesë në votime, për faktin që zgjedhjet e 12 dhjetorit, të parat që nga shpallja e pavarësisë i kanë cilësuar të një rëndësie të veçantë për vendin.

Mbi gjashtë mijë policë të Kosovës janë të angazhuar për sigurinë e votimeve dhe deri tani raportohet për situatë të qetë.   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)