29 Mars 2024

Kur do të thonë qytetarët Qeveria ime

Shkruar nga Bahri Bivolaku

Turi i dëgjimeve, takimet me ekspertët e fushave të ndryshme, zhvillimi ekonomik, janë padyshim një fillim i ri në politikë, ndryshe nga ato që kemi parë deri më sot.

Është shumë me dobi për shoqërinë që ky diskurs politik të jetë i realizueshëm në praktikë, pasi si i i tillë i shërben konsolidimit e zhvillimit të demokracisë e mirëqenies.

Diskursi duhet të përfaqësojë vullnetet e lira e jo të uzurpuara, i argumentuar e bindës si shpresë e dëshmuar për shumicën e qytetarëve të vendit.

Ky diskurs shpresoj të rrjedhë nga një plan strategjik i hartuar dhe aftësisë për ta parë gjendjen ashtu si është.

Satiristi amerikan Mencken vlerëson se partitë, energjitë kryesore i shfrytëzojnë në përpjekje të argumentimit se partia tjetër është e papërshtatshme për të qeverisur dhe se ky angazhim ka qenë këtyre viteve tek ne primar dhe rezultati dihet.

Fillimi i ri duket të jetë ndryshe duke i fokusuar në ofertë energjitë e jo përpjekje për t’i bindur qytetarët se filan partia është e papërshtatshme për të qeverisur.

Diskursi i ri në politikë e nënkupton veprimin që reformën nuk duhet bërë si një zëvendësim pa domethënie për shoqërinë e personelin drejtues politik, por në ndërtim në stilin dhe përmbajtjen e politikës.

Shpresojmë që të jenë vetëm hapat e parë të këtij diskursi të paraqitur nga një lider i ri në politikën e Kosovës, pasi liderët e krijojnë të ardhmen duke caktuar pikësynime e lëvizur drejtë tyre.

Fillimi i ri ka këtë vizion, ku finalizimi do të nënkuptonte promovimin e qeverisjes së mirë në të dy nivelet. Vizioni i ri gjithsesi që pa një qeverisje të mirë është bosh dhe devalvues për gjithçka.

Thonë që qeverisja e mirë del nga një popull a shoqëri e mirë dhe mendoj të ketë ardhur koha që si popull të dëshmohemi se vërtetë jemi të mirë e të përgjegjshëm.

Konsideroj që fillimi i ri në konceptin e zhvillimit e ka promovomin e qeverisjes së mirë. Një qeverie e cila duhet të jetë së paku model për rajonin.

Përgjegjësia për të pasur e promovuar një qeverisje efektive, të përgjegjshme, të pakorruptuar, është obligim ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e vendit.

Është obligim ndaj atyre që na ndihmuan për të arritur tek liria dhe përgjegjshmëria ndaj fëmijëve tanë. Qytetarët e këtij vendi kanë të drejtë të presin e shpresojnë nga fillimi i ri, atyre u mungon krenaria me shtetin e tyre e të cilën duhet rikthyer.

Besimi kthehet kur dëshmohet se lideri i tyre është hero i moralit e virtytit, kur shohin se ai i mbron nga e keqja dhe i stimulon të ecin drejtë të mirës. Drejtësia e rendi janë shpirti i një qeverisje të mirë dhe atëherë qytetari me krenari thotë se “Kjo është Qeveria ime”.

Fillimi i ri për të arritur tek besimi i gjerë i masave do të nënkuptonte edhe ftesën publike për ndihmë e bashkëpunim të Transparency International në luftimin e korrupsionit në sektorët e ndjeshëm e veçanërisht në drejtësi dhe sektorët ku mund të blehen marrëveshjet e kontratat.

Besimi në qeverisje të mirë do të nënkuptonte edhe përceptimin qytetar se paratë apo mbiemri nuk vendosin se a do të hysh a jo në punë apo fitosh ndonjë grant.

Fillimin e ri e të kompletuar si koncept do të kisha dëshirë ta shihja edhe si vullnet i shprehur i lidershipit për ta takuar e inkurajuar median për ta demaskuar korrupsionin, madje edhe ndarë shpërblime për akte të tilla.

Në nivelin lokal, shpresoj që ka modele të promovimit të qeverisjes së mirë e efektive. Konsideroj që pushteti lokal në Shtime ka këto dimensione.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)