29 Mars 2024

22 Marsi, Dita botërore e ujit

Shkruar nga Prof dr. Afrim Osmani 

Sot shënohet 22 marsi, Dita Botërore e Ujit, në të cilën, për fat të keq, shumë vende po përballen me mungesë të madhe të ujit dhe pamundësinë për t’i përmbushur nevojat kryesore të njeriut.

Në 22 dhjetor të vitit 1992, me rezolutën A/RES/47/193, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi që 22 marsin e çdo viti ta deklarojë si Ditën Botërore të Ujit, konform Agjendës 21 të konferencës së Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Zhvillimin.

Në këtë ditë ftohen shtete të ndryshme për të kontribuar në nivel lokal (kombëtar), me qëllim konkretizimin e aktiviteteve në lidhje me informimin publik, inicimin e tryezave të rrumbullakëta, organizimin e seminareve dhe ekspozimeve në lidhje me ruajtjen dhe zhvillimin e burimeve ujore, si edhe diskutimin e fazave të rekomandimeve që shtrohen në Agjendën 21 në nivel lokal.

Në mbështetje të kësaj iniciative u hartua rezoluta e adoptuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e cila me anë të një vendimi shpalli datën 22 mars 2005 si dita që deklaron dhe fillimin e Dekadës Ndërkombëtare 2005 - 2015 për veprim, me temë “Uji për Jetën”.

Shumë vende e njohën deklaratën e Kombeve të Bashkuara, dhe i mbështetën qëllimet e Kombeve të Bashkuara dhe objektivin e tyre të përgjithshëm “Ujë për të Gjithë”.

Kriza e ujit po vazhdon të jetë një fenomen shqetësues për popullsinë në mbarë rruzullin tokësor, të cilët po përjetojnë kohë të vështira, në pamundësi për të pasur ujë të mjaftueshëm.
Sipas një hulumtimi, deri në vitin 2025 dy të tretat e popullsisë botërore do të jenë të goditura me kërkesë të madhe për ujë.

Përveç kësaj, rreth 1,1 miliard njerëz nuk kanë qasje në ujë për pirje, kurse 2,5 miliard njerëz nuk i kanë të siguruara kushtet elementare higjieniko-shëndetësore.

Gjashtë mijë fëmijë më të vegjël se pesë vjeç për çdo ditë vdesin nga sëmundjet e shkaktuara nga uji i ndotur, kurse më shumë se pesë milion njerëz në vit, që është dhjetë herë më shumë se numri i atyre të vrarë në të gjitha luftërat vjetore në botë.

Madje, parashikimet e Kombeve të Bashkuara janë edhe më të errëta. Në raportin e tyre theksohet se burimet e ujit do të zvogëlohen vazhdimisht për shkak të rritjes së numrit të popullsisë, ndotjes dhe ndryshimeve të klimës.

Joakim Harlin, përfaqësues i OKB-së thotë se objektivi mund të realizohet: “Do të duhen edhe rreth 40 miliardë dollarë për ndërtimin e rrjeteve, por është një objektiv i arritshëm. Është sa vetëm një muaj harxhim i ujit me shishe në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë”.

Më pas, thotë se çelësi i suksesit është që të gjithë komunitetet, organizatat dhe qeveritë e të gjitha niveleve të marrin masa për përballimin e sfidës së ujit përmes bashkëpunimit, koordinimit dhe veprimeve të besueshme.

Ai thotë se kostoja e të ndenjurit duke mos bërë asgjë çon në vdekjen e 2 milion fëmijëve në vit.

Kjo ditë shënohet me qëllim të tërheqjes së vëmendjes për kujdesin ndaj ujit për pirje dhe me qëllim të apelimit të të gjithëve që të ndihmojnë me administrimin dhe menaxhimin e burimeve të ujit për pirje.

Ujë është burim i jetës sonë, pra ta mbrojmë burimin tonë...

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)